Telegrafi

Astrit Haraqija pranon se rregulloi 40-80 viza italiane (Video)

Ish ministri i kulturës Astrit Haraqija, i cili po akuzohet se siguroi klientë për viza për grupin e Ukë Rugovës ka pranuar se është marrë me rregullimin e vizave për simpatizantë e anëtarë të partisë së tij. Në një bisedë për KALLXO.com Haraqija ka pranuar se ka lehtësuar viza.

“Pas arrestimit e kam thënë edhe publikisht se kemi bërë diku 40 deri në 80 viza njerëzve të Gjakovës, raste qoftë humanitare. Për shembull çështje shëndetësore ose ekonomike, i kam përkrah për viza edhe nuk mu ka dukur asgjë tmerr për arsye se ne kemi suportuar njerëz nga viti 1995. Nuk është se ka qenë diçka e re për mu”, thotë Haraqia.

Haraqjia mohon pretendimet e prokurorisë se veprimtaria e tij ishte ilegale madje pretendon se të gjithë Ministrat e zëvendës Ministrat e Kosovës ndërmjetësojnë për viza.

“Edhe sot unë nuk e di cili ministër ose zëvendës ministër nuk e suporton dikë nëpër ambasada për me marrë një vizë. Edhe unë nuk jam pishman për atë që e kam bërë edhe jam mëse i sigurt që kush 1 euro nuk ma ka dhënë”, shton ai.

Ish ministri i Kulturës përballet me aktakuzë të prokurorisë që nga java e kaluar prokuroria pretendon se roli i Haraqisë në grupin e Ukë Rugovës ishte për të siguruar klientë për grupin. Siç shkruhet në aktakuzë, dëshmitarë të shumtë kanë dhënë prova se ai ishte duke rregulluar viza Italiane për ta.