Gjiganti farmaceutik britanik, AstraZeneca, tha të premten se së shpejti do të fillojë punën me Institutin Gamaleya të Rusisë për të parë nëse vaksinat e tyre kundër coronavirusit mund të kombinohen me sukses.
Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, lajmi vjen pasi zhvilluesit e vaksinës Sputnik V iu afruan AstraZeneca-s përmes Twitter në fund të muajit të kaluar për të pyetur nëse duhet të përpiqen të kombinojnë dy vaksinat e bazuara në virusin e ftohjes për të rritur efikasitetin.
“Të jesh në gjendje të kombinosh vaksina të ndryshme kundër COVID-19 mund të jetë e dobishme për të përmirësuar mbrojtjen. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme të eksploroni kombinime të ndryshme të vaksinave për të ndihmuar në krijimin e programeve të imunizimit më fleksibil”, tha Astra Zeneca në një deklaratë të premten.
“Është gjithashtu e mundshme që kombinimi i vaksinave të çojë në përmirësimin e imunitetit për një periudhë të gjatë kohore”, thuhej tutje.
Vaksina kundër COVID-19 e AstraZeneca-s, e prodhuar në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit, është njëra prej vaksinave që ka kërkuar aprovimin nga rregullatorët shëndetësorë për aplikim.
Rezultatet e publikuara së fundmit në The Lancet, tregonin se vaksina e AstraZenaca-s ka një efikasitet me një mesatareje prej 70.4 për qind, derisa Rusia thotë se vaksina Sputnik V është më shumë se 90 për qind efektive në parandalimin e njerëzve nga kontraktimi i virusit. /Telegrafi/