Aston Martin DB5 është një legjendë e vërtetë në botën e automobilizmit, e një i tillë që kishte lidhje me James Bondin do të shitet në ankand.
Fjala është për veturën e dikurshme të aktorit Sean Connery, që asokohe luante rolin e spiunit britanik James Bond, transmeton Telegrafi.
Vetura do të shitet në ankand gjatë gushtit dhe bëhet fjalë për modelin e prodhuar në vitin 1964. Sean Connery ishte pronari i dytë që kur kishte dalë nga shiriti prodhues i fabrikës së Aston Martin.
Megjithatë ai e kishte dërguar në kompaninë RS Williams e specializuar për modifikime, që e kishte “rifreskuar në aspektin mekanik”. Prej asokohe është mirëmbajtur me kujdes, e ekspertët e RS Williams i kanë bërë një kontroll të detajuar para nxjerrjes në ankand.
Vetura është në gjendje të mirë, brendësia është e veshur me lëkurë me ngjyrë të zezë Connolly. Para shoferit gjendet një instrument tabelë e punuar nga druri.
DB5 vihet në lëvizje nga motori 4 litërsh me 6 cilindra që prodhon 282 kuaj-fuqi, dhe që ka ndërrues manual me pesë shpejtësi.
Kur kjo veturë ishte e re shpejtësinë nga 0-100 kilometra në orë e arrinte për 7 sekonda, dhe shpejtësinë maksimale e ka 229 km/h.
DB5 po shitet nga familje e Connery, e pronari i ri pritet të ndajë nga 1.3 deri në 1.7 milion euro nëse dëshiron ta ketë në garazh. Një pjesë e parave do të dhurohen për fondin e bamirësisë Sean Connery Philanthropy. /Telegrafi/