Aston Martin DB5, që është përdorur gjatë xhirimit të filmit “No Time To Die” që flet për spiunin fiktiv britanik James Bond, do të shitet në ankand.
Ankandin po e organizon “Christie’s”, e koleksionuesit dhe blerësit e tjerë potencial kanë mundësinë e përkryer për të poseduar një veturë unike, transmeton Telegrafi.
Karroceria është e punuar nga karboni dhe është e lyer me ngjyrë hiri Silver Birch. Është interesant se atë e vë në lëvizje motori 3.2 litërsh nga modeli BMW M3 (E46).
Në brendësi gjenden karriget sportive dhe rripat e sigurimit, si dhe kafazi mbrojtës dhe freni hidraulik i dorës.
Është modifikuar edhe sistemi ftohës si dhe vetura ka zhurmë të ngjashme me modelin standard të Aston Martin DB5.
Për realizimin e filmit janë bërë nëntë kopje, e vetëm një është nxjerrë në shitje dhe për këtë blerësi i ri duhet t’i ndajë 2.4 milionë dollarë.
Ankandi do të fillojë më 15 shtator dhe do të përfundojë më 5 tetor. /Telegrafi/