Themeluesi i ‘WikiLeaks’, Julian Assange u është bashkuar atyre që po paralajmërojnë rrezikun ekzistencial që i vjen njerëzimit nga Inteligjenca artificiale’. Ai përmes një statusi në rrjetin social ‘Twitter’, akuzon edhe kompanitë e mëdha si dhe përçuese dhe prodhuese të këtij rreziku që duket se po hyn me forcë në axhendën publike.
“E ardhmja e njeriut është beteja mes njerëzve që kontrollojnë makinat dhe makinat që kontrollojnë njerëzit.
Ndërsa internet ka sjellë një revolucion në aftësinë tonë për edukuar njëri-tjetrin, shpërthimi demokratik që pasoi ka tronditur establishmentin aktual në zemër të tij. Supershtetet dixhitale që janë në ngritje si ‘Google’, ‘Facebook’ dhe ekuivalentët e tyre kinezë, që janë integruar në rendin e tanishëm, po lëvizin për të marrë në kontroll diskursin. Ky nuk është një aksion thjesht korrigjues. Ndikim i pakuptueshëm masiv social, i fuqizuar nga Inteligjenca Artificiale është kërcënim ekzistencial për njerëzimin.
Ndonëse ende në hapat e parë, natyra gjeometrike e kësaj prirjeje është e qartë. Fenomeni në fjalë ndryshon nga përpjekjet tradicionale për formësimin e kulturës dhe politikës, duke vepruar në një shkallë, shpejtësi dhe një stërhollim në rritje që me shumë gjasë do të eklipsojë kundërmasat e njeriut.
Lufta bërthamore, ndryshimet klimaterike apo pandemitë globale janë kërcënime ekzistenciale për të cilat ne mund të punojmë së bashku me bashkëbisedim dhe mendim. Diskutimi është sistemi imunitar i njerëzimit për kërcënimet ekzistenciale. Sëmundjet që infektojnë sistemin imunitar janë zakonisht fatale. Në këtë rast në një shkallë planetare”, shkruan Assange, përcjell Telegrafi.
Po ashtu, vitin e kaluar pati disa nisma për ta rritur vëmendjen ndaj kërcënimit që vjen nga Inteligjenca Artificiale, Fizikanti i njohur, Stephen Hawking dhe miliarderi dhe novatori Elon Musk janë emrat e njohur që morën pjesë në këtë drejtim.
Ditë më parë Assange, i cili qysh prej vitit 2012 është strehuar në ambasadën e Ekuadorit në Londër, ka arritur të marrë shtetësinë ekuadoriane. /Telegrafi/