Libri është botuar me titullin "Cypherpunks: Liria dhe e ardhmja e internetit", ndërsa pjesërisht bazohet në serinë televizive "Bota Nesër”, i televizionit rus RT. Assange është bashkautor, siç janë edhe Jacob Appelbaum, Jeremy Zimmermann dhe Andy Muller Maguhn.
Në libër cypherpunksët përshkruhen si avokatë të qytetarëve që përdorin kriptografinë për të mbrojtur komunikimin elektronik nga spiunazhi qeveritar dhe ai i korporatave. Në libër thuhet po ashtu se interneti mund të jetë mjet si i lirisë, ashtu edhe i shtypjes.
Autorët pohojnë se jemi dëshmitarë të konfliktit në lidhje me atë nëse “komunikimi elektronik do të na emancipojë apo robërojë”, thonë nga shtëpia botuese në New York, “OR Books”.
Libri u botua përkundër faktit se Assange është ende i fshehur në Ambasadën e Ekuadorit në Londër. Ky shtet i ka dhënë atij azil në gusht.
Cypherpunks është lëvizja që është krijuar nga “Cyhperpunks’ Electronic Mailing List”, aktivistët e së cilës kanë synuar të përmirësojnë intimitetin dhe sigurinë në internet përmes përdorimit aktiv të kriptografisë. Ata janë aktiv që nga fundi i viteve ’80 të shekullit të kaluar.
Themeluesi i WikiLeaks ka kërkuar azil për të shmangur ekstradimin e tij në Suedi, ku akuzohet për përdhunim. Assange beson se pas mbërritjes në Suedi do të ekstradohet në Shtetet e Bashkuara, ku do ta dënonin për publikimin e korrespondencave sekrete diplomatike në Wikileaks. Ai ka shprehur shqetësimin se do të dënohet padrejtësisht me një dënim me burgim, madje edhe me vdekje. /Telegrafi/