Telegrafi

Assad: Sulmet ajrore kanë rritur vendosmërinë time, nuk do ta ndryshoj rrugën

Presidenti sirian Bashar al-Assad ka thënë se sulmet ajrore, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara kanë rritur vendosmërinë e tij për të vazhduar “luftimin dhe shkatërrimin” e forcave rebele në vend.

Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, Assad tha se nuk do të ndryshojë rrugën e tij për të luftuar armiqtë e tij “në çdo pëllëmbë të vendit”, përcjell Telegrafi.

“Ky agresion vetëm sa do ta rrisë vendosmërinë e Sirisë dhe popullit të saj që të vazhdojë ta luftojë dhe shkatërrojë terrorizmin në çdo centimetër të këtij vendi”, citohet të ketë thënë Assad.

Në ditën kur SHBA-të kanë udhëhequr sulmin ajror kundër caqeve të dyshuara për prodhim dhe mbajtje të armëve kimike, Presidenca siriane ka postuar një video në Twitter, e cila thuhet se tregon presidentin Bashar al-Assad duke shkuar në vendin e tij të punës.

Lexo po ashtu Presidenti Assad arrin në punë pas sulmeve të udhëhequra nga SHBA-të në Siri (Video)

Presidenti amerikan  i cili urdhëroi sulmet, Donald Trump tha se SHBA është e përgatitur ta vazhdojë këtë përgjigje derisa “regjimi sirian të ndalojë përdorimin e agjentëve të ndaluar kimikë”.

Trump i bëri thirrje edhe Rusisë, edhe Iranit që të ndalojnë mbështetjen për regjimin “vrasës” të Assadit.

Duke iu drejtuar Moskës në veçanti, Trump tha se përdorimi i vazhdueshëm i armëve kimike nga ana e Assadit është “rezultat i drejtpërdrejtë” i dështimit të Rusisë për ta mbajtur aleatin e saj brenda një marrëveshjeje të vitit 2013, për braktisjen dhe shkatërrimin e armëve kimike.​

Lexo po ashtu Sulmi i SHBA-ve dhe aleatëve të saj ndaj Sirisë – krejt çfarë ka ndodhur deri më tani (Foto/Video)

Vëzhguesi Sirian i të Drejtave të Njeriut, grup që monitoron luftën në Siri, tha se bombat kanë goditur një qendër kërkimore shkencore dhe baza ushtarake në Damask, që strehojnë Gardën Republikane të Ushtrisë Siriane dhe njësi të tjera elitare.

Operacionin i sotëm i forcave amerikane, britanike dhe franceze vjen si përgjigje të sulmit të dyshuar kimik, që ka ndodhur javën e kaluar në qytetin sirian, Duma.

Sulmin e forcave aleate e kanë mbështetur edhe NATO, Gjermania, Turqia dhe shumë vende të tjera.  /Telegrafi/