Site icon Telegrafi

Ass.dr. Merita Emini Sadiku, dr.sci., Interniste-endokrinologe-diabetologe

Nëse keni një shqetësim apo problem për të cilin mendoni se mund t’ju ndihmojnë këshillat e një profesionisti, mund të na shkruani pa hezitim në adresën mjeku@telegrafi.com
Për shumë pyetje, ne do të bashkëbisedojmë me mjekët dhe përgjigjet e tyre do t’i botojmë në ditët vijuese.

Ass.dr.Merita Emini Sadiku, MSc, PhD
Interniste-endokrinologe-diabetologe
tel: 044 161 069


Vajza ime, 12 vjeçe, para disa ditësh është operuar nga mishi i huaj në hundë. Nga analizat e gjakut, esëll, glukoza i doli 100.3, pranë kufirit maksimal të normës. Parametrat e tjerë ishin në vlera normale. Xhaxhai i burrit, me të cilin vajza ka shumë ngjashmëri fizike, ka qenë me diabet. A duhet të shqetësohem se në të ardhmen, ajo mund të shfaqi këtë sëmundje?
Ju faleminderit.

PËRGJIGJE:
E nderuar, vajza juaj me operimin që ka pasur, ka përjetuar një stres fizik dhe organizmi mund të ketë reaguar me hormone kontrarregullatore të insulinës, duke rritur pak glukozën e cila shumë shpejt mund të kthehet në normë. Por, nga vlera që ju përshkruani 100.3 mg ose 5,5 mmol, mund të quhet në normë dhe nuk shoh arsye për t’u shqetësuar.
Ndërsa sa i përket predispozitës familjare, unë iu kisha rekomanduar që vajza të mbajë peshë normale për moshën, të konsumojë ushqim të shëndetshëm, të merret me ndonjë sport ose thjesht, të jetë aktive në lojëra me fëmijë. Të bëjë gjumë të rehatshëm dhe të mjaftueshëm, si dhe të ketë imunitet të fortë (larg nga infeksionet virale dhe të tjera). Pra, të jetë sa më larg faktorëve të rrezikut për të pasur sëmundjen e diabetit.
Të pasurit e një anëtari të familjes së rrethit të ngushtë me diabet, mund të rris pak gjasat, por kjo nuk do të thotë që ju duhet të preokupoheni dhe të jetoni me frikën nga kjo sëmundje. Ju thjesht, si edhe njerëzit tjerë, duhet ta mbani vajzën sa më larg nga faktorët e rrezikut, sepse përveç të tjerave, sot mbipesha dhe obeziteti po e kërcënojnë popullatën mbarë botërore për sëmundje të diabetit.


Përshëndetje. Jam 27 vjeçar. Kam marr testosteron me injeksion për 13 muaj çdo 3 javë. Para fillimit, niveli i testosteroni ishte tepër i ulët, pas 13 muajve niveli arriti maksimumin. Gjatë tretmanit kam humbur 5kg brenda një viti, përkundër oreksit normal. Gjithashtu edhe TSH ka qenë 0.50, ndërsa T3 e T4 në vlera normale. A ka mundësi që tretmani me injeksion për kaq kohë, të ndikojë tek humbja e 4-5 kg edhepse ushqehem normalisht. Jam i gjatë180 cm, peshoj 70 kg. Para një viti kisha 75 kg. Të gjitha analizat tjera të mëlçisë, veshkave, bilirubina, pasqyra e gjakut, më kanë dalë mirë. Mjeku më ka thënë se marrja e testosteronit ndikon për ta humbur peshën, por desha edhe mendimin tuaj.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Trajtimi me testosteron mund të ndikojë në humbjen e peshës. Nëse kjo ju pengon, ju duhet të konsultoheni me endokrinologun, i cili duhet t’ju udhëzoj se si të ushqeheni shëndetshëm dhe të mos humbni peshë. Gjithashtu, ju rekomandoj të bëni edhe aktivitet fizik të rregullt, së paku 2-3 herë në javë, sepse kjo në mënyrë natyrale e rrit nivelin e testosteronit!
Ju përshëndes, dr.Merita.


Përshëndetje dr.Merita! Gruas sime iu ka paraqitur diabeti që nga lindja e fëmijës në vjeshtën e vitit 2001 në Suedi.
Që atëherë, ajo trajtohet me hapat Metformin. Ka dy vite që neve jemi kthyer në Kosovë dhe këtu i asaj po i mungojnë kontrollet rutinore nga ekspertja e diabetit dhe si pasojë e kësaj, sheqeri i rritet goxha herë-pas-here i shkon deri 12-13!
Neve nuk po dimë se a janë në pyetje dobësimi i kualiteti të hapave Metformin, apo çka mund të jetë në pyetje?!
Mjekja, i ka preferuar gruas sime që të kontrollohet nga ndonjë ekspert i diabetit për të marrë masa se si duhet vepruar më tutje.
Ju lutem na kontaktoni dhe na orientoni në mënyrë të drejtë se si duhet vepruar.
Me nderime.

PËRGJIGJE: 
I nderuar. Gruaja juaj pa problem mund të trajtohet për sëmundjen e diabetit në Kosovë, sepse ka profesionist të cilët kanë përvojë në këtë sëmundje, siç janë endokrinologët-diabetolog. Që nga viti 2001 kur ka filluar të trajtohet me Metforminë e deri më tani, ka kaluar kohë e gjatë me këtë sëmundje dhe Metformina nuk është e mjaftueshme për të mbajtur kontrollin e glikemisë. Unë ju sugjeroj që të sillni gruan tuaj që ta vizitoj, fillimisht do t’i shohim rezervat e insulinës të cilën e prodhon vet organizmi, e pastaj do të vendosim për mënyrën e përshtatshme të vazhdimit të trajtimit. Krahas mjekimit, ajo duhet gjithashtu të informohet edhe për mënyrën e të ushqyerit me këtë sëmundje.
Ju përshëndes.


E nderuar doktoreshë. Motra ime është 35 vjeç dhe TSH e ka 5.7. Nuk mjekohet me asgjë, sepse posa e ka kuptuar. A është kjo vlerë për t’u shqetësuar dhe a paraqet problem në shtatzëni?
Faleminderit dhe respekt.

PËRGJIGJE:
E nderuar, unë kam nevoje të di gjithashtu edhe vlerat e FT3 dhe FT4 si dhe Anti TPO. Kjo vlerë e TSH nuk është shumë problem në raste tjera, por kur është në pyetje mbetja shtatzënë, atëherë kjo gjendje (hipotireozë subklinike) duhet të trajtohet me qëllim të uljes së TSH, sepse kështu edhe shanset për shtatzëni rriten. Gjithashtu, motra juaj duhet të bëjë edhe ultrazërin e gjëndrës tiroide.
Ju përshëndes, dr.Merita.


Jam 25 vjeçare, e gjatë 1.68 dhe peshoj 54kg. Desha të di se si mund të shtoj peshë, sepse më brengos shumë ky problem. Ushqim ha tri herë në ditë dhe kam oreks. Një mjeke e përgjithshme më ka thënë që duhet të bëj Echo te tiroides, analizat e gjakut, hormonet (TSH,T3,T4) për të parë se ku është.
Në pritje të përgjigjes, ju falënderoj.

PËRGJIGJE:
E nderuar, në bazë të të dhënave, ju keni një BMI (indeks të masës trupore) 19.2 kg/m2, që do të thotë se keni peshë në kuadër të normës. Por, meqë ju dëshironi të shtoni në peshë dhe nuk mund ta arrini atë edhe pse keni oreks, atëherë duhet parë shkaqet që mund t’ju pengojnë ta bëni këtë. Pajtohem se fillimisht duhet shikuar funksionin e gjëndrës tiroide, sepse kjo gjëndër kujdeset për metabolizmin dhe ju duhet të bëni këto hormone: TSH dhe FT4, së paku.
Ju përshëndes, dr.Merita.


Jam 20 vjeç. Prej moshës 14 vjeç kam filluar pubertetin me të gjitha ndryshimet. Mirëpo, kam një problem për të cilin thuhet se kalon pas një viti apo dy, ndërsa tek unë vijon qe 6 vjet. Gjinjtë i kam të fryrë, sikur të isha 14 vjeç. Kjo po më pengon shumë (sikur ky djali në këtë video: http://m.youtube.com/watch?v=2nNAW-cJUIk).
Doktoreshë, çdo të më sugjeronit?
Faleminderit.

PËRGJIGJE:
I nderuar, problemi yt në endokrinologji njihet si gjinekomastia persistente pas pubertetit. Ky zmadhim i gjinjve ka qenë dashur të të largohet maksimumi pas 3 viteve nga puberteti. Aktualisht ti duhet të bësh disa analiza hormonale specifike të cilat më nevojiten për të parë nëse ky ndryshim në gjinj shoqërohet ose është pasojë e ndonjë sëmundje tjetër endokrinologjike, renale ose hepatike. Unë, besoj se do jenë në normë përderisa thua që nuk ke ndonjë ndryshim tjetër në trup dhe ndonjë ankesë! Pastaj do të vendosim a kemi hapësirë të shkojmë me terapi dhe nëse kjo nuk jep efektet e dëshiruara, vjen në shprehje kirurgjia, ku hiqet indi yndyror ndër lëkurën e gjinjve.
Megjithatë, mos u shqetësoni!
Ju përshëndes, dr.Merita.


Përshëndetje dr. Merita. Jam 47 vjeçar, më është paraqitur diabeti qe 6 muaj Përdori Siofor 850 1/2 në mëngjes dhe gjithashtu në darkë, por në mëngjes përdori edhe një tabletë Letroks për gjëndër (TSH-tirotropin është 4.05, ndërsa T4- fraksioni i lirë 15.2.)
Analiza e HbA1c ka dalë 5.1 %, ndërsa 32 mmol/mol. Sa për informatë ju them se kohët e fundit kam humbur bukur shumë peshë si pasojë e aktiviteteve fizike (ecje, vrapim), por edhe dietës diabetike. A duhet të vazhdoj me këtë terapi e dietë edhe më tutje?
Gjithë të mirat për ju dhe stafin e telegrafit.

PËRGJIGJE:
I nderuar, nga të dhënat mbi gjendjen tuaj shëndetësore, ajo çka më shqetëson është rënia në peshë nga aktiviteti fizik dhe dieta diabetike, për çka dhe më duhen informata shtesë nga ju se si po i aplikoni këto të dyja. Vetëm sa për t’ju kujtuar dua të them që, dieta diabetike duhet të jetë një dietë e shëndetshme dhe e balancuar në vazhdimësi, por kur ju bëni aktivitet fizik, ajo duhet të ketë edhe shtesat e kalorive, sepse gjatë këtij aktiviteti humbni kalori dhe si rezultat mund të dobësoheni. Prandaj, ju rekomandoj të bëni një vizitë te endokrinologu dhe të kuptoni aplikimin e drejtë. Siç po shihet, kjo ka reflektuar edhe në nivelin e HbA1c 5.1% që, unë them se është pak e ulët dhe kjo gjendje mund t’u çojë në mundësinë më të lehtë për të pasur rënie sheqeri në gjak apo hipoglikemi. Rekomandimi im është të keni HbA1C nga 5.5 deri 6% e për ta bërë këtë, ju duhet të shtoni marrjen e kalorive ditore, por gjithmonë nën mbikëqyrjen e endokrinologut.
Sa i përket trajtimit të hipotireozës, mendoj që ju duhet të ndryshoni dozën e Letrox-it, sepse niveli i TSH ende nuk është në normë.
Ju përshëndes, dr.Merita


Përshëndetje e nderuara dr. Merita. Jam 55 vjeçare. Pas disa shqetësimeve shëndetësore, kam bërë analizat e gjakut, të cilat kanë rezultuar mirë, përveç sedimentacionit që është 18, glukoza 6.2, koresteroli 4.7, trigliceridet 1.5. Për shkak të tensionit të lartë të gjakut 165/95 dhe plogështisë, jam udhëzuar nga mjeku i punës që t’i kryej edhe disa analiza, rezultati i të cilave është:

Rezultati vlera normale Njësia
T3       1.81    1.3 – 3.1      mnol/L
T4       102.    1 66 – 181   mnol/L
TSH    1.73    027 – 4.2     uIU/ml
PTH   12.98   15 – 65        pg/ml 

E kam bërë edhe një eko të gjëndrës tiroide. Konstatimi i mjekut është ky: Lob dex me ekostrukturë homogjene me volum 2, 6, diametër normal, nuk vërehen noduse as cista, pa ndryshim evident radiologjie evidente.
Lob sin me ekostrukturë homogjene me volum 1,1 me diametër normal, nuk verehen noduse as cista, pa ndryshim evident radiologjie evidente.
Nuk vërehen gj. limfatike të rritura regionale. Isthumusi homogjen.
Ju lutem, më udhëzoni si të veproj.
Me respekt.

PËRGJIGJE:
E nderuar, në bazë të analizave të cilat i keni përshkruar, ju duhet të përsërisni edhe njëherë glikeminë esëll, 12 orë pas ushqimit. Analizat tjera si ato hormonale dhe biokimike janë në normë. Gjithashtu nga përshkrimi i ekos së gjëndrës tiroide nuk vërehet ndonjë ndryshim që ju duhet të shqetësoheni. Ju duhet të filloni sa më parë të mjekoni tensionin e lartë të gjakut.
Ju përshëndes, dr. Merita.


Përshëndetje jam 25 vjeçare, pesha ime aktuale është 54kg, ndërsa gjatësia 1.69. Desha ta di se cila është mënyra më e shëndetshme për të shtuar peshë, përveç tre vakteve që duhet konsumuar. Kam oreks, përveç mëngjesit që nuk më hahet. Kam përdorur vitamina Once Daily (Kruger) që janë me 24 vitamina dhe minerale (food supplement), por pa ndonjë ndryshim dhe i kam ndërprerë.
Ju lutem, më ktheni përgjigje.

PËRGJIGJE:
E nderuar, në bazë të të dhënave për peshën dhe gjatësinë, ju keni BMI 19 kg/m2, çka do të thotë se ju keni peshë normale, por në kufirin e poshtëm. Norma e BMI është nga 18.5-25. Për të parë shkakun e mosshtimit në peshë, duhet t’ju vizitoj dhe në bazë të nevojës të bëni disa analiza të përgjithshme dhe/ose hormonale.
Ju përshëndes.


Shoqja ime është 45vjeçare dhe është mbipeshë, dmth, peshon 110 kg. Ka dy muaj e këndej që ënjtet në krejt trupin. Ka bërë qe ca herë analiza, çdo herë i dalin mirë. Gjithashtu ndjen ligështi të madhe.
Me nderime dhe faleminderit për përgjigjen.

PËRGJIGJE:
I nderuar, pesha e madhe e gruas suaj dhe enjtja e trupit mund të tregojnë për praninë e një sëmundje që mund të jetë me origjinë nga funksioni i ulët i gjëndrës tiroide. Për të vërtetuar këtë, ajo duhet të bëjë një vizitë tek internisti endokrinolog, për të gjetur në të njëjtën kohë praninë ose jo të ndonjë sëmundje tjetër me origjinë nga zemra ose veshka që, gjithashtu mund të jetë e pranishme.
Ju përshëndes.


Përshëndetje dr. Merita. Gjatë kontrollit që kam pasur para dy viteve, jam diagnostikuar me gjëndër tiroide dhe një vit kam bërë analiza të vazhdueshme të T3,T4 dhe TSH. Me vlera normale gjithmonë kanë dalur T3, T4, ndërsa TSH pothuajse ka dalë <0.002. Para një viti mbeta shtatzënë dhe TSH-në e kisha në vlera normale, tani para 3 dite i përsërita prapë analizat dhe këto janë rezultatet: T3-4.4,T4-17.2 dhe TSH <0.002. Doktori më tha që s’ke mundësi tjetër pos që duhet ta heqësh me operim. Doktoreshë, në këto norma, a është e domosdoshme ta heq gjëndrën tiroide. Nëse jo, cilat janë pasojat? A mund të kem probleme shëndetësore në të ardhmen prej kësaj gjëndre?

PËRGJIGJE:
E nderuar. Në bazë të analizave të cilat i keni bërë, unë mund të kuptoj që TSH është mjaft i frenuar, përderisa hormonet T3 dhe T4 janë në normë. Kjo në mjekësi njihet me diagnozën hipertireozë subklinike. Kjo gjendje mund të jetë pa shenja dhe simptoma, por nganjëherë këto mund të jenë prezente. Ju nuk keni përshkruar ndonjë ankesë, por unë ju rekomandoj që të vizitoheni te endokrinologu duke ju kontrolluar në detaje si dhe të përsërisni analizën e TSH në një laborator që kanë përvojë më shumë sa i përket analizave hormonale. Shpesh ndodhë që hipertireoza subklinike të progredojë në hipertireozë të mirëfilltë. Endokrinologu, në bazë të të dhënave klinike dhe analizës së TSH, do të vendosë për fillimin ose jo të mjekimit. Nuk e di në bazë të cilit ekzaminim mjeku ju ka thënë që të hiqni patjetër gjëndrat tiroide! Por, gjithsesi ju rekomandoj të bëni edhe ultrazërin e gjëndrës për të vlerësuar strukturën, madhësinë dhe praninë e ndonjë formacioni tjetër në gjëndër.
Ju përshëndes.


E nderuar doktoreshë. Kam një problem me gjëndrën e djathtë. Mjeku më ka thënë se kam një lidhëse në të. Jam shumë e shqetësuar.
Ju lutem, më tregoni nëse është diçka serioze?

PËRGJIGJE:
E nderuar, nëse është fjala për gjëndrën tiroide, çdo ndryshim pa ndonjë problem mund të diagnostikohet dhe të gjitha ekzaminimet mund të bëhen në Kosovë brenda një kohe të shkurtë.
Fillimisht do t’ju bëjmë një ultrazë të tiroides dhe analizat përkatëse laboratorike, në varësi të nevojës dhe të vendosim për ekzaminime tjera përkatëse.
Ju përshëndes.


E nderuar doktoreshë, kam një familjare që është me diabet dhe nëse ka mundësi të tregosh se a mund të lind fëmijë?
Presim me padurim këshillën tuaj.

PËRGJIGJE:
E nderuar, pacientja me diabet mund të mbetet shtatzënë pa problem. Trajtimi i vetëm gjatë shtatzënisë duhet të jetë me insulinë. Duhet patur shumë kujdes në kontrollin e glikemisë (sheqerit në gjak) gjatë periudhës së shtatzënisë, gjë që menaxhohet shumë mirë me dozat e duhura të insulinës si dhe kontrollin e mirë të funksioneve të organeve tjera për të parë më herët praninë ose lajmërimin e komplikimeve të mundshme. Trajtimi është i domosdoshëm nga endokrinologu dhe gjinekologu duke pasur parasysh që gjatë kësaj periudhe duhet të përcillet edhe shëndeti i bebes. Para mbetjes shtatzënë duhet që kontrolli i glikemisë të jetë shumë i mirë.
Ju përshëndes.


Jam 65 vjeçar dhe kam shumë dhimbje të kokës. Kam bërë ekzaminimin në kokë dhe më ka dalë që kam nodus hiperdenz me dimensione 10x7mm.
Dua të di a është kjo diçka shqetësuese.
Ju lutem, pres përgjigjen nga ju.

PËRGJIGJE:
I nderuar. Ju lutem specifikoni ekzaminimin e kokës që e keni bërë. Në çfarë strukture të kokës është gjetur nodusi hiperdens? A është fjala për ekzaminimin e hipofizës? Nëse po, ju duhet patjetër të bëni edhe disa analiza hormonale përkatëse dhe të konsultoheni patjetër me endokrinologun. Nëse është nodus në struktura tjera të trurit, ju duhet të konsultoheni me neurologun.
Ju përshëndes.


Jam 17 vjeç dhe luaj basketboll qe 7 vite. Problemi im është se jam vetëm 1.67m i gjatë dhe kjo më shkakton mjaft probleme.Kam dëgjuar për Somatropin (HGH energizer) që janë hormone të rritjes dhe qëndrueshmërisë fizike. Thuhet se këto hormone stimulojnë rritjen dhe zgjatjen e kockave.
Vetëm doja të dija nëse mundem t’i konsumoj këto hormone dhe a është e këshillueshme nga ana e mjekut tuaj endokrinolog. Çfarë efektesh anësore mund te kenë nëse konsumohen?
Do isha shumë i kënaqur nëse do merrja përgjigje nga ana juaj.
Me respekt.

PËRGJIGJE:
I nderuar. Për të marrë hormonin e rritjes duhet të vlerësohen mundësitë se a mund të ketë efekt ky hormon, apo jo, në moshën që e keni. Kjo vërtetohet fillimisht me radiografinë epifizat kockore nëse ato janë ende të hapura. Gjatë vizitës endokrinologu do t’ju tregojë për të gjitha efektet e barin duke përfshirë edhe ato anësore të cilat janë minimale.
Ju përshëndes, dr. Merita.


Përshëndetje! Jam një paciente 20 vjeçe me diabet tipi 1 (qe 5 vjet) dhe nga periudha dhjetor 2012-janar 2013 kam pasur ulje dhe ngritje ekstreme të glikemisë. Gjatë ditës, glikemia ka vlera normale, gjithashtu edhe përpara vaktit të darkës, por në mëngjes del vlerë shumë e lartë, rreth 300-400. Përdor insulinë ordinere 2 herë në ditë (mëngjes dhe drekë) dhe në darkë përdorja Mixtard, por nuk më rezultoi shumë e efektshme dhe këto 3 ditë kam përdorur Lente. Edhe pse kohëzgjatja e lentës mund të jetë më e gjatë se e Mixtardit, prapë glikemia me del shumë e lartë në mëngjes. Në mëngjes kam unitet 18-24 (nqs glicemia është shumë e lartë), në drekë 18-20 dhe darkë 18-20.
Ka raste që më shkon glikemia 50, por edhe 400. Unitet e insulinës i rris nqs e kam glikeminë e lartë.
Analizat që bëra këtë javë për HbA1c dolën 7.9.
Shqetësimi im është pse glikemia më del në vlera të larta në mëngjes? Dhe a mund të përdor në të njëjtën kohë Lentën dhe Lantus? Dmth ta injektoj 4 herë insulinën.
Mos vallë vlerat minimale glikemia arrin pasi kam bërë Lantusin-in?
Faleminderit!

PËRGJIGJE:
E nderuar, ashtu siç edhe po e përshkruani, ju deri më tani nuk keni arritur të merrni në kontroll sëmundjen tuaj. Kjo shihet edhe nga forma se si jeni trajtuar. Ajo çka unë mund t’ju këshilloj që në fillim është: ju patjetër duhet të merrni insulinë ordinere tri herë në ditë para shujtave kryesore dhe insuline me veprim të gjatë para gjumit, që në këtë rast mund të jetë Lantus, insulinë analoge me veprim shumë të mirë dhe me pak ose fare efekte anësore. Gjithashtu, ju duhet të merrni informata të sakta dhe të detajuara nga endokrinologu juaj lidhur me rritjen dhe uljen e dozave të insulinës, varësisht nga glikemia para ushqimit dhe niveli i kalorive të karbohidrateve që i merrni në çdo shujtë.
Informatat për ushqimin janë kryesore në trajtimin e diabetit. Nëse këto nuk i keni të qarta, atëherë trajtoheni në mënyrë të parregullt dhe kjo ju çon drejt rritjes së glikemisë dhe paraqitjes së hershme të komplikimeve të diabetit të cilat janë mjaft serioze.


Jam 22 vjeçare, e gjatë 1.66 dhe peshoj vetëm 49 kg. Dëshiroj të shtoj në peshë, por nuk e di se si?! Kam problem me oreksin. Ndodh që të mos uritem tërë ditën. Po marr edhe vitamina Oligovit, mirëpo nuk po më ndihmojnë aspak.
Ju lutem të më tregoni konkretisht çfarë lloj barnash apo vitaminash të përdor që të më shtohet oreksi?
Kam nevojë për ndihmën tuaj, sepse po ndihem shumë e demoralizuar. Unë konsumoj shume pemë, perime, ushqime shtëpiake, por çdo shujtë e shoqëroj me coca-cola. Kam dëgjuar se kjo pije të shëndosh, por te unë nuk ka ndikuar. Sado që ha çokollata, poashtu nuk më ndihmojnë.
Pres përgjigjen tuaj me shpresë që të më këshilloni. Ju faleminderit.

PËRGJIGJE:
E nderuar, nga të dhënat që keni përshkruar ju keni BMI 17.8 kg/m2, pra jeni nën peshë. Norma e këtij indeksi është nga 18.5 deri në 25 kg/m2. Ju duhet të shtoni minimum 6-8 kg për të qenë në peshë normale. Për të bërë këtë, duhet t’ju vizitoj në mënyrë që të gjejmë shkakun e mosshtimit në peshë, pastaj të bëjmë programin i cili është shumëdimensional dhe ka të bëjë me ndryshimin komplet të stilit të jetës që keni bërë deri më tani. Ky trajtim përveç dietës specifike me kalori të përcaktuara, mund të përfshijë edhe trajtimin medikamentoz. Qysh tani ju rekomandoj të mos pini coca-cola.
Ju përshendes, dr.Merita.


Përshëndetje Dr Merita. Së pari, ju falënderoj për këshillat tuaja të vlefshme. Së dyti kam një pyetje. Jam 51 vjeç dhe këto dite kam zbuluar se vuaj nga gjëndra tiroide. Kam bërë analizat përkatëse (echo, shintigrafi, analizën e tiroides) dhe ne lobin dexter. Kam një nodus hypoekogen enfero-medial me dimensione 8×7 mm, me vaskularizim prezent, por jo të shprehur. Shintigrafia thotë se tiroidja ka pozicion normal, por shihet shpërndarje jo uniforme dhe lehtësisht e shtuar në pjesën e mesme të lobit dextra. Uptake 2.1%. Ju lutem, mund të më sqaroni nëse është shumë shqetësues një nodul me këto përmasa dhe si mund të përcaktohet natyra e nodulit. Në analizat që kam bërë nuk thuhet çfarë natyre ka. Ka nevojë të bëj biopsinë e nodusit?
Faleminderit paraprakisht.
Me respekt.

PËRGJIGJE:
E nderuar. Përmasat e nodusit të përshkruar nuk janë indikacion për biopsi. Për të bërë biopsinë (FNAB) përmasat duhet të jenë së paku mbi 1,5 cm. Por ju mund të bëni paraprakisht këto analiza: tireoglobulinen, kalcitoninen si dhe TSH. Gjithashtu në eko të gjëndrës tiroide duhet të përshkruhen prania ose jo e vaskularizimit të brendshëm (në nodul), kufijtë e nodusit, mundësisht struktura dhe prania ose jo e kalcifikateve. Këto ju ndihmojnë për të bërë dallimin e nodulit beninj apo malinj.
Ju përshëndes, dr.Merita.


E nderuar. Jam 45 vjeçar. Gjatë një kontrolli për fyt, më është vërejtur një gjëndër kur përpihem. Kam bërë analizat t3=2.24, t4= 90.11 dhe tsh=0.32. Kam bërë scintigrafinë që e citoj: në scintigram vizualizohet gjëndra tiroide e zmadhuar, nodose, me akumulim jo uniform. Nodusi palbabil që përfshin pjesën distale të lobit të djathtë, qartë i përkufizuar, lehtë i spostuar, prezantohet si nodus i ftohtë-afunksional.
Str.nodosa, nodus afunksional ( cysta ) lob. dex.
Më është preferuar operimi, por a ka mundësi shërimi me barna. Nuk kam probleme momentale me gjëndër, as dhimbje.
Flm për përgjigjen.

PËRGJIGJE:
I nderuar, analizat hormonale që i keni përshkruar janë në normë. Në bazë të shintigrafisë ju keni strumë nodoze. Ajo çka ju kisha rekomanduar është se ju duhet të bëni një vizitë te endokrinologu ku duhet të bëni edhe një ultrazë të tiroides në të cilën do të shiheshin përmasat e nodusit gjë që do të mund të konkludohet për trajtimin e mëtejmë. Shërimi me barna ka efekt më të ngadalshëm si dhe ky shërim mund të rekomandohet vetëm në cistet e vogla.
Gjithë të mirat.


Përshëndetje doktoreshë. Unë që po shkruaj jam nga Tirana. Gruaja ime ka një mikroadenomë në hipofizë me përmasa 5*6 ml. Kurohet me dostinex, por kohët e fundit ndihet shumë keq. Ka dhimbje koke të hërë pas hershme. Prolaktinën e ka shumë të lartë – 90. Doktoreshë, do të lutesha shumë, a ka ndonjë preparat më të mirë se dostinexi, që të ulim nivelin e prolaktinës dhe të masën në hipofizë.
Edhe diçka tjetër, ne kemi një gocë dëshirë, do të kishim edhe një fëmijë tjetër, por duam të dimë pasojat dhe sa e rrezikshme është për gruan time po të ngelej përsëri shtatzënë.
Faleminderit.

PËRGJIGJE:
I nderuar. Janë disa çështje të cilat i keni adresuar, tani t’i marrim me radhë:
– Trajtimi të cilin po e merr gruaja juaj Cabergoline (Dostinex) është njeri prej medikamenteve i cili rekomandohet për trajtimin e mikroadenomave hipofizare me sekretim te prolaktines. Dozat e këtij medikamenti rriten gradualisht. Por, ka raste kur ndaj këtij medikamenti mund të paraqitet rezistencë dhe niveli i prolaktinës nuk ulet, ashtu siç mund të ketë ndodhur në rastin e gruas suaj. Prandaj, ju rekomandoj të bisedoni me endokrinologun tuaj që të ndërroni trajtimin, p.sh. t’ju përshkruaj Bromocriptine (Parlodel).Trajtimi i hiperprolaktinomave ecë mirë, nuk keni nevojë të shqetësoheni dhe mjekimi zakonisht jep rezultate të mira si në uljen e masës në hipofizë, poashtu edhe në rivënien e funksionit gonadal (ciklit menstrual dhe ovulacionit), pra mundësinë e një shtatzënie të re.
– Tani sa i përket shtatzënisë se re, nuk ju kisha rekomanduar të planifikoni shtatzëninë derisa nuk normalizohen vlerat e prolaktines. Sigurisht ju ka thënë edhe endokrinologu juaj se gjatë trajtimit gruaja mund të ketë rregullim të ovulacionit dhe të mbetet shtatzënë, prandaj rekomandohet marrja e kontraceptivëve oral gjatë kohës që trajtohet për hiperprolaktinemi. Dhe, pasi të jenë stabilizuar vlerat e prolaktinës, atëherë mund të planifikoni shtatzëninë. Në tremujorin e parë të shtatzënisë, nuk rekomandohet marrja e këtyre barnave për shkak të efektit të tyre teratogjen (efektin e dëmshëm tek fetusi).
Çdo të mirë, dr.Merita.


Përshëndetje Dr.Merita. Jam një 60 vjeçar, kam diabetin 10.3. Përdori Diabos në mëngjes, pastaj gjatë racionit të drekës dhe darkës Siofor 850.
A janë këto barna adekuate? Çka duhet përdorur për normalizimin e sheqerit në gjak?

PËRGJIGJE:
Zotëri i nderuar. Barnat të cilat po i merrni dhe glikemia mbi 10,3 mmol/l, tregojnë se nuk e keni nën kontroll sëmundjen e diabetit.
Rekomandimi im është të kujdeseni në mënyrë strikte për ushqimin duke u konsultuar me endokrinolog ose diabetolog si dhe të bëni analizën e HbA1c për të vlerësuar kontrollin e kësaj sëmundje në tre muajt e fundit. Nga rezultati i kësaj analize mund të konkludohet për trajtimin e mëtejmë, krahas dietës diabetike.
Ju përshëndes.


Përshëndetje e nderuar. Unë lajmërohem nga Franca. Para një viti jam operuar nga dhe paratiroideja. Terapija ime është: levotyrox150 mg, vit. D. Kam një problem me gjirin e djathtë, më dhemb shumë. Dhimbja përcillet edhe në krahun e djathtë kam rrjedhje nga gjiri (ujë të gjelbër). Analiza tregon infeksion. Prolaktina rezulton e rritur – 68.
Doktoreshë, a është e mundur që prej prolaktinës t’i kem këto dhimbje, a kam gjasa të lindi fëmijë edhepse mjekët e Francës më thonë se s’do të kem probleme.
Ju falënderoj për përgjigjen.

PËRGJIGJE:
E nderuar, në bazë të asaj që keni shkruar, unë mendoj që nuk po e merrni dozën e duhur të Levotiroksinës, gjë që pasqyrohet edhe me rritje të prolaktinës dhe simptomat si ajo që e keni përshkruar (rrjedhja e gjirit). Gjithashtu edhe shenjat tjera shoqëruese, mendoj, që janë pasojë e kësaj.
Sigurisht që me këtë sëmundje, pra hipotireozë, pas heqjes së tiroides, ju mund të mbeteni shtatzënë, por duhet të merrni trajtimin me doza të përshtatshme të hormoneve zëvendësuese të tiroides, siç është Levotiroksina (T4) si dhe të stabilizoni nivelin e prolaktinës.
Ju rekomandoj të bëni këto analiza: TSH dhe FT4 të cilat ju tregojnë saktë se si po trajtoheni, pra a keni arrit të frenoni TSH-në në nivelin normal, apo është mjaft i lartë, siç edhe unë po mendoj që e keni. Gjithashtu duhet të bëni edhe analizën e kalciumit për të parë nëse po e trajtoni mirë hipoparatiroidizmin, pasi i keni të hequra gjëndrat paratiroide gjatë operimit të tiroides.
Ju përshëndes.


Përshëndetje doktoreshë. Gjyshja ime vuan nga hipertensioni dhe ka dhimbje shpine gjatë gjithë kohës. Sheqerin e ka pas njëherë të rritur, ka ciste në veshkë. Ka dy javë që nuk dëgjon mirë,ka dhembje veshi dhe i ka dalë një gjëndër në krahun e dorës së djathtë.
Gjyshja ka vizituar mjekë të ndryshëm, por pa ndonjë mjekim.
Pres përgjigjen tuaj.

PËRGJIGJE:
E nderuar. Gjyshja juaj përveç diabetit dhe hipertensionit, të cilat duhet të trajtohen te internisti ose endokrinologu, ajo paska edhe probleme tjera, siç janë cistet në veshkë për të cilën i duhet të bëjë së paku një ultrazë, pastaj analizat tjera laboratorike përkatëse për të parë funksionin e veshkave. Duke pas parasysh që ka edhe sëmundjet e lartpërmendura të cilat, gjithashtu, e dëmtojnë funksionin e veshkës. Poashtu, të konsultohet edhe specialisti i ORL-së për ankesat e veshit.
Ju përshëndes.


Dr.Merita! Ju uroj gjithë të mirat. Ne jemi nga Shqipëria, banojmë në qytetin e Korçës. Kam një problem me vajzën time, 22-vjeçe. Është operuar nga gjëndra tiroide, ka 1.5 vjet, me diagnozën tiroiditis Hashimoto. Pas operacionit, është mjekuar me levotiroksinë, në doza të ndryshme sipas nivelit të analizave, dhe që varirojnë nga 0.75 mg- 1.5 mg. Tani në këtë moment analiza e TSH= 73, para tre muajsh e kishte 97, dhe ka përdorur 1.5mg levotiroksinë. Më shqetëson fakti se gjendja klinike nuk është e dëshirueshme, sepse ka lodhje, këputje të trupit dhe nuk e kupton se kur i vjen kjo gjendje, ndërkohë që ka edhe rënie të pulsit.
Doktoreshë kam nevojë për këshillën tuaj. Gjithashtu a ka ndonjë medikament tjetër përveç levotiroksinës.
Ju faleminderit.

PËRGJIGJE:
Zonjë, me vlerën e lartë të TSH që ka vajza, janë të kuptueshme edhe simptomat që përshkruani. Por, sidoqë të jetë, ju duhet të konsultoheni patjetër me endokrinologun për rritjen graduale të levotiroksinës. Ka edhe preparate tjera si liotironina, por nuk është më efikas se levotiroksi. Pra, duhet rritur dozat patjetër, por paraprakisht vajza duhet të bëjë ekzaminim objektiv dhe së paku një EKG. Deri më tani unë mund të gjykoj se vajza nuk ka marrë dozën e duhur të levotiroksinës, prandaj dhe nuk ka arritur të frenojë nivelin e lartë të TSH-së.
Shpresoj t’ju kam ndihmuar, çdo të mirë!


Përshëndetje doktoreshë. Gjyshes sime, diabeti i saj është paraqitur qe 2 vite. Në fillim nuk ka vërejtur mundim, por tani qe një muaj, niveli i sheqerit i është rritur nga 7-8, në 10-14. Kjo rritje e sheqerit ka bërë që t’i humbet oreksi, të ketë lodhje të tepërt dhe pafuqi. Në fillim nuk ka përdorur asgjë, para një viti ka përdorë vetëm në mëngjes – një herë në ditë, ilaçin e diabetit, kurse për momentin po e përdor 3 herë në ditë, por gjendjen e ka gjithnjë të njëjtë. Analizat biokimike kanë dalë mirë, përveç glukozës së rritur dhe sedimentacionit të rritur. Kurse në urinë, kohët e fundit po i paraqitet glukoza.
Ju falënderojmë dhe presim përgjigjen tuaj.

PËRGJIGJE:
E nderuar, nga ajo çfarë keni me shkruar më lartë, po kuptoj se gjyshja juaj nuk e ka nën kontroll të duhur sëmundjen e sheqerit. Barin te cilin fillimisht e ka përdorë një herë në ditë dhe tani po e përdorë tri here në ditë, nuk e keni shkruar emrin e tij, prandaj nuk mund të konstatoj nëse po e përdor barin adekuat dhe dozën adekuate.
Prania e lartë e glukozës në gjak dhe në urinë tregon se trajtimin të cilin po e merr nuk është ai adekuati. Lodhja dhe humbja e oreksit mund të jenë nga diabeti dhe komplikimet e tij, por nuk përjashtohen edhe sëmundjet tjera. Prandaj, ju rekomandoj të konsultohet me mjekun e saj endokrinolog ose me diabetologun.


Përshëndetje doktoreshë dhe faleminderit për kontributin tuaj. Jam 26 vjeçe, qe një vit më është shfaqur gjëndra tiroide. Përdori Letrox çdo mëngjes nga një.
Pyetja ime është se a shkakton probleme gjëndra në mbetjen shtatzënë, gjatë shtatzënisë dhe te fëmija, ngase planifikoj të krijoj familje.
Cilat janë këshillat tua dhe çka më rekomandoni.
Pres përgjigjeje dhe njëherazi ju falënderoj.

PËRGJIGJE:
E nderuar, deri sa mjekohesh me rregull për hipotireozë, nuk ke nevojë të brengosesh si për mbetjen shtatzënë, gjatë periudhës së shtatzënisë dhe për fëmijën. Por, për të gjitha këto duhet të konsultohesh me endokrinologun tënd që kontrollet të jenë të rregullta duke mbajtur nivelin e hormoneve të tiroides (TSH, FT4) dhe dozimin e medikamentit që në rastin tënd është Letrox-i. Kështu do t’i shmangësh komplikimet e mundshme nga trajtimi joadekuat dhe jo i rregullt.
Ju përshëndes.


Ju lutem doktoreshë, më tregoni a është normale vlera e sheqerit në gjak 5.9 tek fëmija 4 vjeç?

PËRGJIGJE:
Vlera e glikemisë të cilën e përshkruani është normale. Nëse fëmija ka ndonjë shenjë klinike si pirje uji në sasi më të mëdha, humbje peshe, urinim të shpeshtë etj., për të larguar çdo dyshim rreth sëmundjes së sheqerit, mateni një glikemi rasti gjatë ditës dhe nëse ajo del më pak se 11.1 mmol/l ose 2 orë pas ushqimit nëse glikemia është më pak se 8 mmol/l, nuk ke nevojë të brengosesh.
Vlerat e lartëpërmendura vlejnë për gjak venoz, ndërsa nëse e matni me aparat manual (me shpim në gisht), ky është gjak kapilar dhe vlerat e glikemisë janë për 1.1 mmol/l më lart nga vlerat e gjakut venoz.
Ju përshëndes.


Përshëndetje doktoreshë. Së pari ju falënderoj për mundësinë e këshillave që na jepni. Mami im vuan nga sëmundja e sheqerit qe 8 vit. Deri para dy muajve nivelin e sheqerit e ka mbajtur deri 13.5, mirëpo qe dy muaj vazhdon të jetë 25.7. Ka qenë në ambulancë, ka marrë një infuzion dhe pas 24 orëve ka zbritur në 13.5.
Mami merr dy lloje tabletash për diabet: Diamicron 60 mg në esëll si dhe Metfin 1000 mg gjatë ushqimit; tabletat për tension Enalapril 10 mg. Insulinë nuk është duke përdorur.
Ju lutem na ndihmoni. Pres përgjigjen tuaj.

PËRGJIGJE:
E nderuar. Nga ajo çfarë keni shkruar, unë mund t’ju them që mjekimin të cilin po e merr nëna juaj nuk është më i përshtatshmi për gjendjen të cilën e ka tani. Niveli i glikemisë të cilin e keni përshkruar është shumë i lartë dhe ajo duhet të vizitohet sa më shpejt nga endokrinologu për të filluar trajtimin e duhur dhe për të bërë analizat e nevojshme lidhur me komplikimet e mundshme në zemër, veshka, vazat e gjakut, nervat e gjymtyrëve të poshtme, etj. Në bazë të këtyre rezultateve vendoset nëse do të ketë hapësirë ende për t’u trajtuar me tableta apo duhet patjetër të fillohet trajtimi me insulinë. Mjekimi me insulinë nganjëherë është i nevojshëm vetëm për trajtimin e rasteve akute për një periudhë të shkurte dhe nëse ka rezerva të mira të sekretimin të insulinës nga pankreasi i vet pacientit (kjo shihet nga disa analiza specifike), atëherë mund të vazhdohet përsëri mjekimi me tableta, por gjithmonë duke mbajtur në norme glikeminë dhe parametrat tjerë të nevojshëm për kontrollin e diabetit.
Ju përshëndes.


Përshëndetje Dr. Merita. Jemi një çift nga një fshat i Tetovës. Jemi prindër të 3 fëmijëve, dy vajza dhe një djalë. Djalin e kemi më të vogël, tek i cili qëndron edhe "problemi". Djali është 13 muajsh dhe kemi vërejtur se shumë ujë është duke konsumuar. Në shtëpi kemi një aparat për matjen e sheqerit. Një mëngjes e kishte vlerën 5,3, kurse pas disa ditëve e dërguam në ambulancën e fshatit, gjithashtu në mëngjes, ku vlera ishte 7. Ju lutem të më tregoni a janë këto vlera që duhet të shqetësohemi, apo janë vlera normale për një fëmijë 13 muajsh.
Me respekt.

PËRGJIGJE:
Të nderuar, vlera e sheqerit ne gjak 5,3 mmol/L në mëngjes nuk është kriter për diagnozën e diabetit, por vlera tjetër 7 mmol/L (gjithmonë nëse është 8 deri 12 ore pa ngrënë asgjë) dhe konsumimi i tepërt i ujit janë shenja që duhet kërkuar ndihmë mjekësore, sepse dyshimi për diabet ekziston.
Unë ju rekomandoj të konsultoheni me pediatrin sa më parë që është e mundur.
Ju uroj çdo të mirë.


Përshëndetje. Jam 46 vjeçar, para 9 viteve e zbulova rastësisht se kam rritje të triglicerideve deri në nivelin 12.5. Me terapi (Vasilip 20 mg) e zbres deri 3,5. Tash vonë, e kam sërish 13.
Doktoreshë, dua t’ju pyes nëse ka shërim kjo sëmundje apo gjithnjë duhet të jem me terapi?
Faleminderit.

PËRGJIGJE:
Vasilip 20 mg nuk është trajtimi më adekuat për trigliceride. Ai më së shumti ndikon në uljen e nivelit të kolesterolit dhe vetëm 30% ndikon në trigliceride. Unë ju rekomandoj që të merrni barnat që bëjnë pjesë në grupin e fibrateve, p.sh. Lipantil, por gjithmonë të përshkruara nga endokrinologu për dozën e duhur si dhe analizat laboratorike paraprake.
Ju duhet t’i nënshtroheni një diete për uljen e yndyrave. Kështu paralelisht dietës, edhe barnat do të ndikojnë që për një kohë të shkurtë t’i normalizoni trigliceridet.


Përshëndetje e nderuar. Mami im ka 11 vite që është me diabet, por problemi është që nuk i përdor barnat dhe sado që ne dëshirojmë t’ia japim, ajo kundërshton. Por, ky nuk është problemi i vetëm: ajo shpeshherë flet me veten, qan, pastaj qesh. Me babanë tonë fjaloset. E kemi pasur te mjeku, por askush nuk na ka dhënë një diagnozë të saktë.
A ka mundësi që diabeti të ketë lënë pasoja në të?
Ju lutem, të më jepni ndonjë këshillë.

PËRGJIGJE:
E nderuar. Së pari, është mjaft e çuditshme që nëna juaj për një kohë kaq të gjatë me diabet të mbetet pa trajtim dhe të rezistojë ndaj sëmundjes. Megjithatë, duhet patjetër të fillojë sa më shpejt që është e mundur trajtimin me barna dhe të marrë informata të nevojshme sa i përket përdorimit të ushqimeve të përshtatshme për sëmundjen e diabetit si dhe cilat janë principet bazë të mbajtjes nën kontroll të diabetit. Sigurisht që për të gjitha këto duhet kurajo, angazhim edhe të anëtarëve të familjes aq më shumë kur kemi të bëjmë me pacientë të cilët vështirë e pranojnë sëmundjen.
Problemet që ke përshkruar janë pasqyrë e gjendjes së kontrollit të dobët të diabetit, e këto janë pasojë e sheqerit të ulët në gjak, apo siç njihet me termin hipoglikemia, ku në këtë rast më së shumti pëson truri duke u reflektuar me çrregullimet emocionale, të folurit e pakontrolluar, irritim, nervozizëm pa asnjë shkak, depresion, sjellje jo e përshtatshme e shumë shenja tjera të ngjashme, për të cilat jo rrallë edhe pacienti ndihet keq pas stabilizimit të gjendjes. Por, nuk përjashtohen edhe çrregullime tjera psikike të cilat mund të jenë të pranishme në ndërkohë që sëmundja e diabetit veç dihet.
Ju rekomandoj që ta sillni nënën tuaj për një vizitë, për të vlerësuar saktë gjendjen.


Përshëndetje e nderuar. Jam 29 vjeç dhe qe 5 vite kam probleme me diabetin dhe trigliceridet. Para 15 ditëve, sheqerin e kisha 9.7, ndërsa trigliceridet 5.3. Mjeku më ka rekomanduar Metformin 500 mg dy herë në ditë, gjysmë ore para buke dhe Atorvastatine 20 mg para gjumit. Mirëpo, edhe pse po përdori terapinë, sheqeri herë zvogëlohet në 8.5, herë në 9.5, ndërsa nuk arrin të zbres më shumë edhe pse kam vendosur një regjim të rreptë të dietës në ushqim. Doktoreshë, sa duhet te jetë koha e përdorimit të terapisë në mënyrë që të reagoj një terapi dhe të zbres sheqeri, sepse mjeku më thotë se rritja e sheqerit, rrit edhe nivelin e triglicerideve. Të lutem, më shpjego për pasojat eventuale? Faleminderit, me respekt. 

PËRGJIGJE:

Në bazë të të dhënave që keni përshkruar, ju keni diabetin tip 2, i cili mjekohet me hipoglikemiant oral, ashtu siç edhe keni tentuar deri më tani. Por, unë mendoj se nuk jeni duke e marrë trajtimin ashtu siç duhet dhe kjo është reflektuar në kontrollin jo të mirë të glikemisë. Gjithashtu Metformina 500 mg është marrë gabim gjysmë ore para bukës. Ky bar duhet të merret sapo të filloni të hani, pra me ushqim. Doza 500 mg 2 herë në ditë, ndoshta është e pamjaftueshme. Kjo varet prej peshës trupore dhe reagimit të organizmit tuaj, gjegjësisht insulinës, ndaj këtij bari. Përveç këtij bari ka mjaft zgjedhje tjera të cilat do të kishin mundur të të ndihmonin, p.sh. barnat që i takojnë grupit të sulfanilureve, një ndër ta është glimepiridi që në treg gjendet si Trical ose Amaryl. Këto barna nxisin pankreasin për të sekretuar insulinë e cila ulë sheqerin në gjak. Këto barna merren gjysmë ore para buke dhe doza e fillimit mund të jetë 1ose 2 mg, një herë në ditë dhe mund të rritet gradualisht në kohëzgjatje një javore. Dieta është shumë e rëndësishme tek diabetikët, por duhet të përpilohet nga diabetologu, dietologu ose endokrinologu. Sa më i rregullt të jeni me konsumimin e ushqimit të shëndetshëm, aq më pak do të keni nevojë për barna. Ndërsa sa i përket rritjes së triglicerideve, edhe këtu jeni duke marrë barna gabim. Atorvastatina nuk është bari më i mirë për trigliceride,  por për kolesterol. Ky preparat vetëm 30% ndikon në trigliceride. Ju duhet të mjekoheni me fibrate. Terapia e duhur për uljen e glikemisë ndikon shume shpejt brenda ditëve. Ju nuk duhet te prini aq gjate, por ju rekomandoj të vizitoheni tek endokrinologu ose diabetologu për të filluar terapinë e duhur. Ju uroj shëndet.


Doktoreshë, e kam vërejtur qe disa muaj se qafa më është fryrë në mes. Mjeku familjar më tha që të vizitohem tek endokrinologu për gjëndrën tiroide. Kohët e fundit po më doket se kam shtuar në peshë dhe flokët po më bien. Nuk e di nëse janë këto shenja prej kësaj gjëndre. Unë nuk kam vërejtur ndonjë ndryshim tjetër.
Çfarë mjekimi duhet të marr.
Të përshëndes.

PËRGJIGJE:
E nderuar. Shenjën e fryrjes në qafë të cilën e përmendni, në mjekësi njihen si strumë apo gushë e cila nënkupton zmadhimin e gjëndrës tiroide. Ky zmadhim i kësaj gjëndre mund të shoqërohet me funksion të shtuar të gjëndrës që njihet si hipertireozë, por mund të haset edhe në funksion të ulur të gjëndrës-hipotireozë. Hipotireoza (për të cilën unë po mendoj që jeni e sëmurë edhe ju) jep këto simptoma: probleme me kujtesë, lodhje, depresion, tharje të lëkurës, shtim të peshës, rënie të flokëve, konstipacion (jashtëqitje të rralla), mosdurim i të ftohtit.
Ju rekomandoj që para se të mjekoheni duhet të bëni këto analiza TSH, FT3 dhe FT4, nëse këto dy të fundit dalin të ulura dhe TSH e lartë, duhet të merrni patjetër mjekimin me zëvendësues të hormoneve të tiroides gjegjësisht Levotiroksine.
Ju përshëndes.


E nderuar doktoreshë. Vjehrra ime është 45 vjeçare dhe qe 8 vite i është lajmëruar diabetit i sheqerit tipi 2. Përdorë tableta Siofor® 850, të cilat i merr 3 herë në ditë me bukë.
Ne jemi shumë të brengosur dhe deshëm të pyesim se a ka mundësi t’i ndërpres barnat pasi sheqeri tani i del maksimum 6, apo keni ndonjë terapi natyrale pa i përdorur barnat.
Duke pritur përgjigjen tuaj, ju përshëndes.

PËRGJIGJE:
E nderuar. Mjekimin të cilin e merr vjehrra juaj siç po duket ka pasur efekt duke zbritur sheqerin në 6 mmol/L, çka do të thotë një kontroll i mirë i glikemisë tek diabetikët, por unë nuk jam dakord që kjo terapi të ndërpritet, sepse do të çrregulloheshin vlerat e sheqerit menjëherë. Por, vetëm matja e sheqerit në mëngjes ose esëll nuk mjafton. Për mua është shumë e rëndësishme të matet sheqeri në gjak 2 orë pasi të merr ushqimin, pra 2 orë pas mëngjesit, pas drekës ose pas darkës. Nëse këto vlera janë nën 8 ose 9 mmol/L, atëherë kemi të bëjmë me një rregullim të mirë të sheqerit. Për të parandaluar ose vonuar shfaqjen e komplikimeve tek diabetikët, duhen patjetër kontrollet e rregullta dhe ushqimi i rekomanduar nga mjeku.
Ju përshëndes.


Përshëndetje. Burri im ka probleme me pankreasin, si dukuri është shfaq edhe sëmundja e sheqerit. Është vetëm 46 vjeç dhe nuk ka fare përgjegjësi për shëndetin e vet. Ka kontakt me mjek në Suedi, nuk i merr tabletat kundër sëmundjes se sheqerit me kohë. Ka pas probleme disa herë me dhembje të padurueshme në pjesën sipër barkut. Dhembjet në pankreas i kane filluar para 4 vjetësh.
Si t`ia bëj me të? Vet jam motër medicinale, kur e këshilloj, kujton se unë vetëm po i zmadhoj gjërat.
Ju lutem të më përgjigjeni.
Faleminderit.

PËRGJIGJE:
E nderuar, me aq sa munda te kuptoj burri juaj vuan nga sëmundja e sheqerit si rezultat i sëmundjes paraprake të pankreasit. Tani duke ditur shkaktarin e sëmundjes së sheqerit, ndërkohë që duhet mjekuar me rregull diabetin si me medikamente ashtu edhe me ushqime dhe aktivitet fizik, duhet t’i kushtoni rëndësi edhe mjekimit të vet pankreasit që në këtë fazë, në bazë të të dhënave që keni shkruar, mund të jetë një formë e pankreatitit kronik. Duke patur parasysh që kjo sëmundje mund të jap komplikime mjaft serioze si ascit(grumbullim të lëngjeve në bark), pseudociste të pankreasit, efuzion pleural (grumbullim të lëngjeve në mbështjellësin e mushkërive), trombozë (trashje e gjakut) në venën e shpretkës si dhe hipertension portal (nga dëmtimi i mëlçisë), iu rekomandoj që sa më parë burri juaj duhet t’i bëjë disa ekzaminime, si në vijim: ERCP (kolangipankreatografine endoskopike retrograde), ose MRCP (rezonancën magnetike me kolangipankreatografi) ose ultrasonografi endoskopike, ekzaminime të cilat me shumë lehtësi mund t’i bëni në ndonjërin nga spitalet ku jetoni në Suedi, gjithmonë në konsultim me gastroenterologun. Ndërsa, për mjekimin adekuat te diabetin duhet ta konsultoni endokrinologun, por unë qysh tani po iu këshilloj që asnjë nga barnat për mjekimin e diabetit nuk jep efekt nëse vet burri juaj nuk kujdeset për ushqimin të cilin duhet ta marrë, sepse kjo sëmundje detyrimisht është e lidhur me ushqimin. Mjekimi është i pakuptimtë nëse ushqimi është i çrregullt!
Gjithashtu rekomandoj të mos konsumojë fare alkool dhe duhan.
Ju përshëndes.


Përshëndetje dr. Merita. Jam 27 vjeçare, 1.56/52, mirëpo unë kam dëshirë të jem më e shëndoshë, sepse dukem më bukur. Për shkak se dua të shtoj peshë kërkoj këshillën tuaj për barnat e duhura dhe ushqimin e duhur. Para gjashtë muajsh jam bërë nënën, për herë të parë. Foshnjën e ushqej me gji. Në shtatzëni kam shtuar 10 kilogram, të cilën pastaj e kam humbur të tërën.
Pres përgjigjen tuaj.
Faleminderit.

PËRGJIGJE:
E nderuar. Në bazë të të dhënave tuaja për peshën dhe gjatësinë, ju keni Indeksin e masës trupore 22, që do të thotë se keni peshë normale për gjatësinë trupore. Por, meqë dëshira juaj është që të shtoni peshë, atëherë ekziston mundësi që kjo të arrihet me dietë të caktuar, pra ushqime të zgjedhura të cilat konsiderohen për shtimin e peshës si dhe marrjen e disa vitaminave nga ekstraktet bimore të cilat rrisin oreksin.
Ju thoni që keni humbur pes

Exit mobile version