Site icon Telegrafi

Ass. dr. Memli Morina, mr. sci, gjinekolog – obstetër

Nëse keni një shqetësim apo problem për të cilin mendoni se mund t’ju ndihmojnë këshillat e një profesionisti mund të na shkruani pa hezitim në adresën mjeku@telegrafi.com
Për shumë pyetje, ne do të bashkëbisedojmë me mjekët dhe përgjigjet e tyre do t’i botojmë në ditët vijuese.

Ass. dr. Memli Morina, mr. sci
gjinekolog – obstetër
tel. 045 725 725


Jam nënë e dy fëmijëve. Gjatë mjekimit të infeksionit nga gardnerella, fitova candiden, e cila më shkaktoi shumë probleme gjersa e shërova. Tani e bëra strishon vaginale dhe më doli E.coli, mirëpo mjekët kanë mendime të ndryshme se a duhet përdorur terapi. Më brengos fakti se po planifikoj një shtatzëni të re.
Nuk kam simptoma të veçanta, përveç një skuqjeje të vogël në buzët e vaginës dhe kruarje fare rrallë. Si t’ia bëj?
Faleminderit.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Gardnerella vaginalis është mikrob i cili shkakton të ashtuquajturën vaginozën bakteriale. Vaginoza bakteriale zhvillohet për shkak se shkatërrohen mikrobet që normalisht duhet të gjenden në vaginë të cilat janë laktobacilet. Laktobacilet prodhojnë disa materie të cilat krijojnë një mjedis acidik në vaginë dhe në këtë mënyrë i luftojnë shumë mikroorganizma përfshirë edhe E. Coli. Nëse laktobacilet shkatërrohen atëherë E. Coli do të rritet shumë lehtë. Pra, E. Coli që normalisht gjendet në rrugët e jashtëqitjes, nuk mund të shumohet në vaginë për shkak se këtë nuk e lejojnë laktobacilet. Kandida është mikrob që bën pjesë në grupin e myshqeve dhe është shfaqur tek ju për shkak të mjekimit afatgjatë me antibiotikë.
Unë mendoj se duhet të mjekohet E. Coli dhe më pas duhet që të rivendoset flora normale e vaginës me laktobacile. Përndryshe, E. Coli mund të të shkaktojë edhe probleme me urinim (urinim të shpeshtë, djegie gjatë urinimit etj).
Uroj që të të kem ndihmuar me përgjigjen time!


Përshëndetje. Jam 22 vjeçare, e martuar. Kam provuar të mbes shtatzënë disa herë me radhë, mirëpo pa sukses. Problemi qëndron tek ajo që sa herë provoj të mbes shtatzënë, sperma nuk qëndron në mua, mirëpo kur ngrihem në këmbë e tëra del jashtë. Ndonjëherë ndodhë që të del jashtë edhe kur jam e shtrirë. Kam bërë disa ekzaminime mjekësore dhe rezultatet nuk kanë qenë të këqija, gjithashtu i kam ndjekur udhëzimet e mjekëve, mirëpo nuk ka pas sukses. Ju kisha lutur të më jepni një përgjigje në lidhje me këtë problem.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Problemi që keni ju është mjaft i shpeshtë dhe po shpeshtohet çdo ditë e më tepër. Pamundësia për të mbetur shtatzënë (që quhet sterilitet) duhet të mjekohet nëse kanë kaluar 12 muaj kur partnerët kanë marrëdhënie të rregullta dhe të pambrojtura seksuale (pa kontraceptivë).
Ju thoni se problemi qëndron tek fakti se “sperma nuk qëndron tek ju” dhe se “kur qoheni në këmbë e tëra del jashtë”. Në fakt, sperma përmban jo vetëm spermatozoide (qeliza mashkullore), por edhe sekret të gjëndrave mashkullore të cilat kanë për qëllim që t’iu mundësojnë spermatozoideve që të depërtojnë nëpër qafën e mitrës dhe të mbërrijnë deri tek tuba e mitrës ku do të takohen me qelizën vezë (qelizën femërore). Gjatë ejakulacionit të një mashkulli derdhen disa mililitra spermë me disa milionë spermatozoide dhe jo të gjitha duhet të depërtojnë deri tek tuba e mitrës për të ndodhur shtatzënia.
Po përpiqem t’ju sqaroj shkaqet më të shpeshta të sterilitetit dhe pastaj ju do të më kontaktoni për të gjetur zgjidhje.
Është llogaritur se 1 nga 7 çifte kërkon ndihmë mjekësore, për të pasur fëmijë. Në shumicën e rasteve është vetëm një shkak i sterilitetit i cili zbulohet dhe mjekohet. Ka raste kur ka më tepër se një shkaktar që pamundëson çiftit të kenë fëmijë.
Është një bindje e gabuar se steriliteti është problem i cili lidhet vetëm me gruan. Faktikisht, prek në përqindje të njëjtë si gratë ashtu edhe burrat. Në rreth 32% të rasteve problemi lidhet me burrin, poashtu në 32% problemi është tek gratë, kurse në 17% të rasteve ekzistojnë disa faktorë të cilët lidhen edhe me të dy partnerët.
Mbetet edhe 19% i rasteve në të cilat infertiliteti mbetet i pasqaruar.
Në 90% të rasteve janë tri probleme që shkaktojnë sterilitetin:
(1). ovulacioni dhe cilësia e qelizës vezë;
(2). tubat e bllokuara; dhe
(3). problemet tek mashkulli.
(1). Ovulacioni dhe cilësia e qelizës vezë Në këtë kategori futen PCOS (sindromi i vezoreve policistike), cilësia jo e mirë e qelizës vezë, ovulacioni i çrregullt ose mungesa e ovulacionit (për shkak të mungesës ose disbalansit të hormoneve). Shpesh këto probleme lidhen me moshën e gruas dhe shfaqen më shpesh pas moshës 37 vjeçare (kjo vlen sidomos për cilësinë e qelizës vezë).
(2). Tubat e mitrës janë të bllokuara Tubat duhet të jenë të kalueshme, sepse nëpër to kalon qeliza vezë prej vezoreve deri te mitra. Bllokimi i tubave mund të vie për shkak të sëmundjes inflamatore të pelvikut (pelvic inflamatory disease PID), endometriozës, cikatrikseve, adhezioneve dhe për shkak të dëmtimit të fimbrieve. Edhe nëse keni ovulacione të rregullta, shtatzënia është e pamundur. Shtatzënia është e pamundur sepse qeliza vezë nuk mund të arrijë deri në mitër, por edhe spermatozoidet nuk mund të takohen me qelizën vezë.
(3). Problemet te mashkulli. Steriliteti te burrat mund të jetë pasojë e bllokimit të epididimisit (vendi ku ruhen spermatozoidet) ose të vas deferens (gypat që bartin spermën prej epididimisit gjatë ejakulacionit). Shkaqe tjera janë cilësia e dobët e spermatozoideve, lëvizshmëria e ulët ose mungesa e spermatozoideve (nuk ka në sasi të mjaftueshme ose mund të mos ketë fare).
Nuk e di se çfarë analizash dhe ekzaminimesh keni kryer deri më tash, por nëse kanë kaluar më shumë se dymbëdhjetë muaj që kur përpiqeni të keni një shtatzëni, ju rekomandoj që të hulumtoni shkakun se përse nuk ndodhë shtatzënia. Edhe një herë po e theksoj, se nuk besoj se shkaku mund të jetë rrjedhja e spermës jashtë vaginës… kjo mund të ndodhë në raste jashtëzakonisht të rralla, por në këto raste ju do të duhej të kishit edhe shumë shqetësime tjera shumë më serioze dhe të cilat është dashur të ishin manifestuar shumë më herët se sa tash kur jeni 22 vjeç.


Përshëndetje. Jam 19 vjeçare dhe në fillim të këtij viti e kam humbur virgjërinë. Natyrisht që kam pasur gjakderdhje herën e parë, por edhe kur kam provuar më vonë, ka ndodhur e njëjta edhe kemi prit, por e kam kuptuar që ato kanë qenë mujoret. Pra, unë nuk e kam ditur nëse edhe e kam humbur virgjërinë atëherë, apo ai ka qene gjaku i mujoreve. Kam pasur shumë dhimbje herën e parë dhe vështirësi. Kjo ka vazhduar edhe më vonë. Herëve tjera kam pasur gjakderdhje më të vogla pas marrëdhënieve, por kam dëgjuar që kjo është normale te shumë femra. Me kalimin e kohës, dhimbje nuk kam më edhe as gjak, por po shqetësohem sepse nuk kam as kënaqësi të madhe, ashtu siç kam pritur që duhet të kem edhe nuk e di si është të përjetosh orgazëm, tash pas gati 4 muaj që kam marrëdhënie (mesatarisht një herë në javë). Në dy raste kam përdorur tableta për parandalimin e shtatzënisë (72 orësh), pasi kam dyshuar që partneri im nuk është treguar shumë i kujdesshëm. Herën e dytë i kam përdorë, jo pse partneri im nuk ka qenë i kujdesshëm, por se kam krijuar paranoje nga rrëfimet e ndryshme që mund të mbes shtatzënë edhe me një lëng që derdhet para spermës. Kondom nuk përdorim gati asnjëherë, vetëm në raste të rralla kur unë kam insistuar. Kam përshtypjen që kohët e fundit, gjatë ditës po kam më shumë menstruacione të bardha edhe nuk po e di sa është normale?
Më fal për përshkrimin e gjatë, por këto janë shqetësimet e mia. Faleminderit shumë.

PËRGJIGJJE:
Përshëndetje. Është normale që në marrëdhënien e parë një vajzë të ketë dhimbje dhe gjakrrjedhje. Problem paraqet fakti që ju nuk arrini të keni kënaqësi seksuale gjatë marrëdhënieve. Problemi që ju keni quhet çrregullim i përjetimit të orgazmit nga një femër (female orgasmic disorder FOD). Kjo gjendje është pamundësia e një gruaje që të përjetojë orgazëm pas stimulimit adekuat seksual. Një grua mund të mos ketë përjetuar orgazëm asnjëherë gjatë jetës së saj, apo ky problem mund të shfaqet kohë pas kohe. Ky çrregullim mund të jetë primar (kur një grua asnjëherë nuk ka përjetuar orgazëm gjatë jetës së saj) apo sekondar (kur ky çrregullim shfaqet pas ndonjë traume). Poashtu, ky çrregullim mund të jetë i gjeneralizuar, apo kur lidhet me ndonjë situatë të caktuar. Shkaqet e mospërjetimit të orgazmës mund të jetë psikologjike dhe fiziologjike.
Normalisht, kur një grua eksitohet seksualisht, enët e gjakut në pelvik zgjerohen dhe në këtë mënyrë më shumë gjak mbërrin në organet gjenitale. Pas kësaj nga gjëndrat e vaginës lirohet lëng i cili shërben si lubrifikant gjatë marrëdhënies seksuale. Sa më shumë që rritet stimulimi seksual, aq më tepër rritet tensioni i trupit dhe qarkullimi i gjakut në pelvik. Stimulimi mund të bëhet qoftë përmes presionit të drejtpërdrejtë në klitoris apo në muret e vaginës dhe të qafës së mitrës. Kur tensioni lirohet, atëherë shfaqen tkurrjet ritmike të mitrës dhe të vaginës – kjo është orgazmi. Gjatë këtyre tkurrjeve gjaku largohet nga organet gjenitale dhe shkon në qarkullimin e përgjithshëm të gjakut. Është normale që orgazma të ketë intensitet dhe kohëzgjatje të ndryshme, si dhe që numri i tkurrjeve mund të jetë i ndryshëm. Ky ndryshim dallon nga një grua në tjetrën, por edhe tek e njëjta grua në përvoja të ndryshme seksuale. Gratë në moshë të mesme e kanë më të lehtë që të përjetojnë orgazëm, krahasuar me adoleshentet të cilat kanë më pak përvojë seksuale.
Në rastet kur ka çrregullim të përjetimit të orgazmës, ndodhë stimulimi seksual dhe lubrifikimi, shfaqet tensioni i trupit, por ajo grua e ka shumë të vështirë (ose edhe të pamundur) që të përjetojë orgazëm. Në këtë rast shkaktohet frustrim dhe kënaqësi jo të plotë seksuale tek të dy partnerët që mund ta rrezikojë edhe lidhjen midis dy partnerëve.
Është normale që një grua të mos arrijë gjithmonë orgazëm, apo që të arrijë orgazëm vetëm me disa mënyra speciale të stimulimit. Kjo nuk do të thotë se ajo grua ka çrregullim.
Shkaktarët fiziologjikë të çrregullimit të përjetimit të orgazmës janë: dëmtimi i enëve të gjakut në pelvik, dëmtimet e palcës kurrizore, efektet anësore të disa barnave, dëmtimi i klitorisit etj. Shkaktarët psikologjikë janë: frikë nga shtatzënia e padëshiruar, abuzimi seksual, dhunimi apo përvojat tjera traumatike seksuale, problemet me partnerin, streset e ndryshme (problemet në punë, në familje, divorci etj) si dhe problemet tjera.
Çrregullimi i përjetimit të orgazmës më shpesh ka origjinë psikologjike. Ky problem më shpesh shkaktohet nga kohëzgjatja joadekuate e paralojës, mosstimulimi adekuat seksual dhe komunikimi joadekuat midis partnerëve.
Mjekimi i këtij çrregullimi varet nga shkaktari, domethënë duhet të trajtohet origjina e problemit.
Konsideroj se është mirë që të caktoni termin dhe të konsultoheni me një gjinekolog. Nga emaili juaj mendoj se shkaku i problemit mund të jetë frika juaj nga shtatzënia e padëshiruar. Mund të merrni këshilla për mbrojtje nga shtatzënia e padëshiruar si dhe këshilla tjera.


Jam 31 vjeçe, e martuar prej 7 vjetësh. Për herë të parë kam kryer marrëdhënie në moshën 19 vjeçe. Pas dy ditësh pata një infenksion në rrugët urinare të cilin nuk e trajtova, por kaloi vetë.
4 vjet më vonë, më është rikthyer, jam vizituar te mjeku dhe nuk më dha ilaçe, vetëm mora disa masa higjienike si dhe shumë lëngje dhe më kaloi. Gjithashtu kam pasur gjithmonë candida për të cilën më kanë dhënë kremra.
Shqetësimi im është sepse para dy vjetësh jam diagnostikuar me Myoma subserosal, është rreth 2cm, nuk më jep shqetësime. Menstruacionet i kam të rregullta, përveçse janë pakësuar, pra nuk kam shumë fluid dhe fakti që këtë vit kam pasur dy herë infeksion urinar Kam bërë të gjitha analizat e mundshme për sëmundjet e transmetuara seksualisht dhe më dalin negative. Po ashtu edhe im shoq ka infeksioni urinar, shkaktohet nga E.coli. Higjienën e kam ne maksimum, doktorët së fundmi më dhanë ilaçe Ciprofloxacin, një dozë pas marrëdhënies. Tani mbas një muaji, mu rikthye. A është shkak mioma që unë jam si sfungjer për infeksione, apo candida? Fakti që vazhdimisht kam infeksion në mitër (Candida,), ka të bëjë me zhvillimin e miomes, si dhe irritimin e fshikëzës?
Kam histori familjare për gurë në veshka, por nga Pilografia që kam bërë më rezulton gjithçka në rregull.
Faleminderit.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Miomat (ose fibromat) janë tumore beninje shumë të shpeshta. Rreth 20-25% e grave kanë mioma, por ato mjekohen vetëm kur shkaktojnë probleme. Problemet të cilat shkaktohen nga mioma, varen nga lokalizimi që ka ajo. Mioma mund të jetë e vendosur më afër brendisë së mitrës që quhet miomë submukoze; mund të jetë e vendosur në muskulin e mitrës që quhet intramurale dhe mund të jetë e vendosur në sipërfaqe të mitrës që quhet miomë subseroze. Ju keni miomë subseroze dhe gjasat për të shkaktuar probleme janë shumë të vogla, për më tepër që dimensioni i saj është shumë i vogël (e kuptova nga emaili që diametri i miomës është 2 cm).
Mioma nuk ka të bëjë fare me faktin që ju keni infeksione të shpeshta urinare. Kandida është një mikroorganizëm që rritet nëse merren shumë antibiotikë. Domethënë, nëse përdoren antibiotikë për një kohë të gjatë, atëherë rritet kandida.
Nuk e kam të qartë se infeksioni me E. Coli a jep shenja dhe shqetësime tek ju? Sido që të jetë, konsideroj se do të ishte mirë të konsultoheshit me një mjek urolog.
Dua t’ju siguroj edhe një herë që mioma nuk shkakton infeksione urinare dhe as që e favorizon kandidën.


I nderuar doktor. Jam operuar qe tri vite, kam hequr mitrën pa anekse, por gjithmonë me probleme shumë të mëdha. Disa herë jam konsultuar me psikiatër, të cilët ma kanë përshkruar terapinë f-20. Kam vuajtur nga mitra 11 vjet, në Papa test gjithmonë kam qenë në grupin e tretë e tutje. Vaginalete të shumta kam përdorë dhe preparate tjera. Në fund, u operova në Klinikën e gjinekologjisë në Prishtinë. Nga klinika kam dalë pas dhjetë ditësh me një infeksion të madh. Më mundon fakti se mjeku operator nuk më ka dhënë terapinë adekuate, madje nuk mund ta bindi as që të më bëj një ultrazë.
Neuropsikiatri më ka shkruar diagnozën f31 dhe më ka sugjeruar të marr Litium.
Unë, megjithatë, shpesh po bëhem nervoz dhe kërkoj ndihmën tuaj. Çka duhet të përdori, ndonjë hormon…?
Unë punoj si infermiere dhe jam 45 vjeçare.
Ju lutem, më ktheni përgjigje.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje Zonjë e nderuar. Ju keni pasur probleme të vazhdueshme në qafë të mitrës dhe përfundimisht është bërë largimi i mitrës bashkë me vezoret. Besoj se paraprakisht keni diskutuar hollësisht me mjekun tuaj se cili intervenim do të kryhet dhe se çfarë pasojash (ose ndryshimesh) priten pas operacionit. Jam i sigurt se ky diskutim ka qenë akoma më i lehtë duke marrë parasysh se ju jeni infermiere me profesion dhe se shumë nga informacionet tashmë kund t’i keni pasur të njohura.
Tek ju është hequr mitra me vezoret në moshën 42 vjeçare. Vezoret janë aktive deri në fund të të dyzetave kur fillon menopauza. Normalisht menopauza shfaqet rreth moshës 50 vjeçare, por ndryshimet në funksionimin e vezoreve fillojnë shumë më herët. Ajo çfarë ka ndodhur tek ju është ndërprerja e përnjëhershme e hormoneve të cilat prodhohen nga vezoret (sepse vezoret janë larguar gjatë operacionit). Kjo quhet menopauzë iatrogjene. Ky fakt ka shkaktuar tek ju shqetësimet të cilat ju i keni përjetuar mjaft rëndë. Gjatë muajve të parë pas intervenimit ju sigurisht se keni qenë shumë e shqetësuar, nuk keni fjetur rehatshëm, jeni djersitur shumë gjatë natës (edhe nëse temperaturat mund të kenë qenë të ulëta), keni pasur afshe të të nxehtit (të cilat ju keni mundur t’i parandieni; këto mund të kenë ndodhur 5-6 herë ose edhe me dhjetëra herë gjatë ditës). Për më tepër ju paskeni pasur edhe probleme me infeksion pas operacionit. Të gjitha këto ndryshime kanë bërë që ju të jeni kaq shumë e shqetësuar sa që të keni nevojë të konsultoheni edhe me mjek psikiatër.
E nderuara Zonjë, ju duhet ta dini se në organizmin tuaj nuk do të ketë më hormone të cilat prodhohen nga vezoret. Për më tepër sipas studimeve të fundit, nuk lejohet edhe dhënia e tyre përmes tabletave, sepse kjo gjë është shumë e rrezikshme. Është bërë një studim i madh për efektin e terapisë me hormone tek gratë në menopauzë. Ky studim është ndërprerë akoma pa u përfunduar, sepse është parë që efektet negative janë shumë më të mëdha se përfitimet e mundshme të marrjes së kësaj terapie. Është mirë që ju të jeni nën përcjellje të vazhdueshme të gjinekologut për të parë ndryshimet në organizmin tuaj. Ju duhet të bëni edhe analizat dhe ekzaminimet e nevojshme për të përcjellur shëndetin e përgjithshëm.
Ju uroj shëndet dhe jetë të gjatë!


I nderuar doktor. Nusja ime para 5 vitesh është bërë operacion nga cistet dhe si pasojë e tyre është dashtë ta heq njërën vezore, por pas 4 vitesh ka mbetur shtatzënë dhe na ka gëzuar me djalë dhe është shëndosh e mirë.Pyetja ime është kjo: a është e vërtet se edhe në qoftë se jetë prapë shtatzënë nusja ime, prapë lind djalë, pasi është vetëm me një vezore? Përshëndetje.

PËRGJIGJE:

Vlerësimi që ju është dhënë lidhur me gjininë e fëmijëve tuaj të ardhshëm nuk është aspak i vërtetë dhe në rreshtat në vijim do të përpiqem t’ju sqaroj se çfarë ndodh kur qeliza femërore (qeliza vezë) bashkohet me qelizën mashkullore (spermatozoidin) dhe se si përcaktohet gjinia e bebes që sapo është ngjizur. Vezoret e një gruaje normalisht prodhojnë çdo muaj nga një qelizë vezë. Prodhimi i qelizës vezë fillon disa muaj pas menstruacionit të parë të jetës (sepse në ciklet e para tek një vajzë nuk lirohet qeliza vezë) e deri në fund të moshës reproduktive. Kjo qelizë vezë kalon në tubën e mitrës dhe pret që të takohet me qelizën mashkullore. Në këtë rast ndodh shtatzënia dhe krijohet embrioni. Qeliza vezë gjithmonë ka kromozomin X, kurse qelizat mashkullore janë dy llojesh, ato që kanë kromozomin X dhe ato që kanë kromozomin Y. Nëse qeliza vezë bashkohet me qelizën mashkullore e cila ka kromozomin X, gjinia e bebes do të jetë vajzë, kurse nëse bashkohet me spermatozoidin që ka kromozomin Y, gjinia e bebes do të jetë djalë. Pra, se cila qelizë mashkullore (X apo Y) do të bashkohet me qelizën vezë është një proces i rastësishëm (ndonëse ka mënyra për të rritur gjasat që beba të ketë gjininë e dëshiruar nga prindërit).

Nuk ka lidhje aspak se cila vezore prodhon qelizën vezë, sepse nuk është e vërtetë se ka vezore të cilat prodhojnë qeliza vezë nga të cilat lindin bebe djem apo vajza!

Uroj që t’ia kem arritur që të sqaroj se si determinohet gjinia e bebes së ardhshme dhe që t’ju jap përgjigjen e kërkuar!

Uroj që të keni fëmijë të shëndoshë dhe që të jenë me fat e me jetë të gjatë!

I nderuar doktor. Nusja ime para 5 vitesh është bërë operacion nga cistet dhe si pasojë e tyre është dashtë ta heq njërën vezore, por pas 4 vitesh ka mbetur shtatzënë dhe na ka gëzuar me djalë dhe është shëndosh e mirë. Pyetja ime është kjo: a është e vërtet se edhe në qoftë se jetë prapë shtatzënë nusja ime, prapë lind djalë, pasi është vetëm me një vezore?

Përshëndetje.

PËRGJIGJE:

Vlerësimi që ju është dhënë lidhur me gjininë e fëmijëve tuaj të ardhshëm nuk është aspak i vërtetë dhe në rreshtat në vijim do të përpiqem t’ju sqaroj se çfarë ndodh kur qeliza femërore (qeliza vezë) bashkohet me qelizën mashkullore (spermatozoidin) dhe se si përcaktohet gjinia e bebes që sapo është ngjizur.

Vezoret e një gruaje normalisht prodhojnë çdo muaj nga një qelizë vezë. Prodhimi i qelizës vezë fillon disa muaj pas menstruacionit të parë të jetës (sepse në ciklet e para tek një vajzë nuk lirohet qeliza vezë) e deri në fund të moshës reproduktive. Kjo qelizë vezë kalon në tubën e mitrës dhe pret që të takohet me qelizën mashkullore. Në këtë rast ndodh shtatzënia dhe krijohet embrioni. Qeliza vezë gjithmonë ka kromozomin X, kurse qelizat mashkullore janë dy llojesh, ato që kanë kromozomin X dhe ato që kanë kromozomin Y. Nëse qeliza vezë bashkohet me qelizën mashkullore e cila ka kromozomin X, gjinia e bebes do të jetë vajzë, kurse nëse bashkohet me spermatozoidin që ka kromozomin Y, gjinia e bebes do të jetë djalë. Pra, se cila qelizë mashkullore (X apo Y) do të bashkohet me qelizën vezë është një proces i rastësishëm (ndonëse ka mënyra për të rritur gjasat që beba të ketë gjininë e dëshiruar nga prindërit).

Nuk ka lidhje aspak se cila vezore prodhon qelizën vezë, sepse nuk është e vërtetë se ka vezore të cilat prodhojnë qeliza vezë nga të cilat lindin bebe djem apo vajza!

Uroj që t’ia kem arritur që të sqaroj se si determinohet gjinia e bebes së ardhshme dhe që t’ju jap përgjigjen e kërkuar!

Uroj që të keni fëmijë të shëndoshë dhe që të jenë me fat e me jetë të gjatë!


Përshëndetje i nderuar. Para 2 viteve kam dashur të kem marrëdhënie me të dashurin, por në momentin kur ka dashtë ta fus penisin tek unë, nga frika jam larguar dhe më ka rrëshqitur brenda. Në atë moment ka plasur gjakderdhja e madhe me copëza të mëdha. Jam shtruar në spital 6 ditë, sepse pata humbur gjak shumë.
Që nga atëherë nuk kemi provuar të kryejmë marrëdhënie ngaqë mua më ka kapluar stresi. Ka dy muaj që jam martuar. Mjekja më ka thënë që ende jam e virgjër.
Çfarë do më këshillonit?

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Gjakderdhja që ke pasur para dy vitesh mund të ketë qenë për shkak të rupturës koitale (çarjes së indeve të buta të vaginës gjatë marrëdhënies seksuale). A është dashur që të qepet vagina kur ke shkuar në spital? A është dashur që të marrësh transfuzion (gjak)? Një gjë tjetër që më bën ta konsideroj rastin tënd më të veçantë është fakti që mjekja të ka thënë që akoma je e virgjër; kjo më bën të mendoj se shkaku i gjakderdhjes mund të mos ketë qenë çarja e indeve të buta, por ndonjë arsye tjetër.
Më intereson të di se a ke probleme më lëkurë (lëkura shumë e butë dhe që tërhiqet shumë), a ke probleme me të pamurit, a ke probleme me nyjet (artikulacionet), a ke probleme me mishin e dhëmbëve?
Nëse ke ndonjë nga këto shenja, atëherë me mjekun tënd duhet patjetër të diskutosh më në hollësi problemin që ke.


Jam 22 vjeçare, në javën e 30-të të shtatzënisë. Mjeku më tha që qafa e mitrës më është shkurtuar, është 2.5 cm. Shpeshherë kam ndjenjën për të urinuar, urinoj pak, e ndonjëherë aspak. Në anën e majtë, në fund të barkut ndjej therje, por që nuk zgjat shumë.
Doktor, jam shumë e brengosur, a është rrezik që të lindi para kohe?
Pres përgjigjen tuaj.
Faleminderit.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Për të thënë se një shtatzënë është në rrezik për të lindur parakohe, qafa e mitrës duhet të jetë ë shkurtuar, e zbutur dhe/ose e dilatuar (e hapur). Me sa kuptoj nga emaili juaj, qafa e mitrës nuk është e shkurtuar dhe nuk ka shenja tjera për lindje parakohe.
Shqetësimet tjera që keni janë tipike për një infeksion urinar: dhimbja e shpinës (më shumë në njërën anë), urinimi i shpeshtë, djegie gjatë urinimit dhe nevoja për të shkuar urgjent në toalet për të urinuar, por më pas nuk mund të urinoni ose keni shumë pak urinë, janë shenja infeksioni.
Të rekomandoj që të konsultohesh me mjekun dhe të bësh analizat e gjakut e të urinës. Mund të ketë nevojë që të bëhet edhe urinokultura. Pas mjekimit nuk do t’i kesh më këto shenja. Për më tepër infeksioni është një faktor favorizues i tkurrjeve të parakohshme të mitrës, prandaj të rekomandoj që sa më shpejt të vendoset diagnoza dhe të bëhet mjekimi i infeksionit.


Jam një grua 30 vjeçare, kam një fëmijë. Gati një vit, në fazat e pavolitshme për shtatzëni, kur bëj marrëdhënie me burrin, ai ejakulon brenda në vaginë, por unë nuk e ndjej ejakulimin e tij. Më parë, sa herë që ai ka kryer orgazmën brenda në vaginë, unë e kam ndier. A mund të jetë ky ndonjë defekt serioz apo është diçka që mund të evitohet.
Ju lutem, më ndihmoni.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Keni bërë një pyetje të mirë dhe shqetësimin që ju keni e kanë edhe shumë gra tjera. Dua t’ju siguroj se jeni përsosshmërisht në gjendje normale! A planifikoni që të keni edhe një fëmijë apo tash për tash nuk planifikoni një shtatzëni? Nëse nuk jeni e gatshme për një bebe tjetër, ejakulimi brenda në vaginë mund të shkaktojë shqetësim tek ju dhe rrjedhimisht nuk ndjeni atë që keni ndjerë më parë. Vëllimi i spermës jo gjithmonë është i njëjtë dhe normalisht nuk mund ta ndjeni gjithmonë. Është orgazma e cili shkakton ndjesinë që keni pasur më herët dhe të cilin tash nuk e ndjeni.
Konsultohuni me mjekun tuaj dhe kërkoni që t’ju rekomandojë një metodë kontracepsioni. Më pas marrëdhënia seksuale do të jetë shumë më e këndshme. Duhet ta dini se organi kryesor seksual femëror i cili prodhon kënaqësinë seksuale është klitorisi. Relaksohuni, përpiquni ta bllokoni mendjen dhe përjetoni sensacionet trupore që do të ndjeni. Përpiquni të ndjeheni rehatshëm gjatë marrëdhënies seksuale.


Përshëndetje doktor. Jam 24 vjeçare dhe kam bërë analizat e strishove vaginale e cervikale, chlamydien, Ureaplazmën. Rezultati i Chlamydes është pozitiv, e i strishove Enterococcus, kurse Ureaplazma negative. Kam marr 10 dite terapi doxycycline dhe vitaGyn C. Në ditën e 7- të terapisë është dashtë të më shfaqet cikli (pasiqë kam cikël të rregullt) por nuk më është shfaqur. Testi gravis ka dal negativ. Kjo ishte arsyeja që vazhdova edhe 3 ditë tjera me terapi.
Ju lutem më tregoni nëse jam shtatzënë, cilat janë pasojat e kësaj terapie te fryti.
Flm.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Nuk e di arsyen se përse ju është rekomanduar që të bëni strishot vaginale dhe cervikale?! A keni pasur abort (ose aborte)? A keni shenja të pezmatimit të organeve të brendshme gjenitale (që janë sekreti i shtuar dhe me erë të pakëndshme, sekreti me ngjyrë të mbylltë, dhimbja në fund të barkut e cila është me e theksuar gjatë marrëdhënieve seksuale)?
Klamidia që është gjetur tek ju është një mikrob i cili shkakton pezmatime të organeve të brendshme gjenitale, por vendi “i preferuar” i rritjes së klamidias është në pjesët e sipërme të organeve gjenitale dhe jo në qafën e mitrës. Domethënë, nëse ke shenjat e pezmatimit të organeve të brendshme gjenitale, atëherë duhet të bëhen disa analiza laboratorike dhe nëse dalin pozitive, atëherë duhet të merrni antibiotikë të cilat vrasin jo vetëm klamidian, por edhe disa mikrobe tjera të cilat shkaktojnë këto pezmatime. Gjatë marrjes së kësaj terapie nuk rekomandohet që të keni marrëdhënie seksuale, prandaj edhe nuk ka mundësi që pacientja të mbetet shtatzënë gjatë marrjes së terapisë. Këshilla e dytë është që krahas pacientes duhet të mjekohet edhe partneri.
Doksiciklina është antibiotik i cili nuk rekomandohet të merret nga shtatzënat. Besueshmëria e gravid-testit nuk është e qindpërqindtë, prandaj të rekomandoj që nëse nuk të vijnë menstruacionet brenda pak ditësh të konsultohesh patjetër me gjinekologun.


Jam 19 vjeçare dhe jam në muajin e 7-të të shtatzënisë. Kur isha në kontroll mjeku më tha që qafa e mitrës ka shkuar shumë lart dhe mund të lindi më herët?
Çfarë duhet të bëj që ta evitoj rrezikun?

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Qafa e mitrës normalisht duhet të hapet brenda terminit të lindjes (lindja quhet në termin prej javës së 37 deri në javën 42). Nëse hapet më herët se në javën 37, atëherë mund të vjen deri te lindja e parakohshme. Ne dyshojmë se mund të vjen te lindja e parakohshme nëse qafa e mitrës zbutet, shkurtohet dhe fillon të hapet. Pohimi yt se të është thënë nga mjeku se “qafa e mitrës ka shkuar shumë lartë” mua më duket o paqartë! Për më tepër nëse qafa e mitrës “është lartë” domethënë që ka pak gjasa që të dilatohet (çelet) para kohe.
Përndryshe, nëse me të vërtetë dyshohet për lindje të parakohshme, duhet të jepen disa barna për ta përgatitur beben për lindje eventuale të parakohshme dhe ti duhet të marrësh barna për t’i ulur tkurrjet (kontraksionet) e mitrës (këto barna quhen tokolitikë).
Të uroj shtatzëni të mbarë dhe bebe të shëndetshme!


Përshëndetje doktor. Kur isha 22 vjeçe, kam pasur marrëdhënien e parë, me shumë dhimbje, por pa gjakderdhje. Prej atëherë nuk kam pasur guxim të kem lidhje me askënd. Kam biseduar me disa gjinekolog, por përgjigjja e tyre ka qenë që sërish do të përjetoj atë dhimbje, ndoshta edhe më shumë, sepse çdo herë gjatë ciklit menstrual, cipa ngushtohet dhe formohen disa vështirësi për marrëdhënie.
Jam në stres të madh, desha të di edhe mendimin tënd.
Me respekt.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Jo, nuk është e vërtetë se cipa (himeni) ngushtohet. Arsyet e shqetësimit tënd mund të jenë të një natyre tjetër. Fillimisht, dua të ta shpjegoj se ç’është himeni (cipa e virgjërisë) dhe çfarë ndodhë gjatë marrëdhënies së parë.
Himeni është një cipë e hollë e furnizuar me gjak. Zakonisht, himeni çahet gjatë marrëdhënies së parë seksuale. Edhe përpara se të çahet gjatë marrëdhënies së parë seksuale, himeni e ka një vrimë nëpër të cilën kalon gjaku i mentruacioneve. Himeni nuk rigjenerohet (domethënë nuk rikthehet në formën e mëparshme).
Janë tri variacione normale të prezencës së himenit (duke përjashtuar anomalitë):
Himeni i paperforuar (i paçarë) që do të thotë se në të nuk ka fare vrimë për të kaluar gjaku i menstruacioneve. Himeni i paperforuar shihet rrallë dhe zakonisht diagnostikohet kur një vajze i fillojnë menstruacionet për herë të parë dhe rrjedhimisht gjaku nuk mund të drenohet jashtë mitrës (grumbullohet në brendi të mitrës). Kjo është një situatë e cila shkakton dhimbje të forta dhe në këtë rast duhet të intervenohet menjëherë.
Himeni pjesërisht i hapur. Kjo hapje mund të jetë e gjerë aq sa nëpër të të mund të futet tamponi ose gishti, ose aq e ngushtë saqë nëpër të kalon vetëm gjaku. Himeni mund të jetë elastik (që është më i shpeshtë) ose rigjid i fortë (që ndodhë më rrallë).
Himeni mungon ose është minimal. Pra, himeni mund të mos ekzistojë edhe pse ajo vajzë nuk ka pasur farë marrëdhënie seksuale. Nuk ka një shpjegim shkencor për këtë, por dihet se kjo nuk shkaktohet nga ushtrimet gjimnastikore apo nga ngasja e biçikletës.

Nëse himeni është i paperforuar ose është rigjid, atëherë në këtë rast duhet të bëhet hymenotomia, që është një procedurë e thjeshtë e hapjes së himenit.
Në rastet kur himeni është pjesërisht i hapur (siç është në shumicën dërmuese të rasteve), atëherë ai çahet gjatë marrëdhënies seksuale, mund të çahet me gisht, me tampon etj. Në këtë rast vajza ka dhimbje dhe pak gjakrrjedhje (ndonëse jo të gjitha vajzat kanë gjakrrjedhje të njëjtë). Pra, jo domosdoshmërisht marrëdhënia e parë seksuale duhet të jetë me dhimbje dhe me gjakrrjedhje.
Supozoj se problemi yt mund të jetë i lidhur me një gjendje tjetër! Ekziston një gjendje e cila quhet vaginizëm (vaginismus) kur një grua nuk mund të ketë farë penetrim, përfshirë marrëdhënie seksuale, nuk mund ta fusë tamponin në vaginë dhe as kontroll gjinekologjik. Vaginizmi është pasojë e refleksit të disa muskujve të dyshemesë së pelvikut të gruas (quhen muskujt pubokokcigealë). Tkurrja e këtyre muskujve bën që vagina të tendoset dhe si rrjedhojë çfarëdo lloj penetrimi (përfshirë edhe marrëdhënien seksuale) shoqërohet me dhimbje e ndonjëherë edhe nuk mund të realizohet fare.

* Vaginizmi mund të shfaqet nëse një vajzë pret që marrëdhënia e parë seksuale do të jetë shumë e dhembshme.
* Nëse është anksioze për faktin se po e humb virgjërinë.
* Ka frikë se do të ketë shumë gjakrrjedhje.
* Ka frikë nga e panjohura (nga fakti se diçka do të futet në vaginën e saj).
* Nëse shtyhet që të ketë marrëdhënie seksuale me forcë dhe pa vullnetin e saj.

Shpresoj t’ia kemi arritur ta sqaroj sado pak problemin tënd! Konsideroj se duhet të konsultohesh më një gjinekolog për ta zgjidhur problemin që ke.


Jam 26 vjeçe, e fejuar. Kam 6 vite që kam marrëdhënie seksuale, muajt e fundit pata çrregullim me ciklin menstrual, bëra analizat dhe më doli që kam prolactin të lartë. Sipas rekomandimit të mjekes jam duke përdor dostinex tableta. Pas përdorimit të dy tabletave një herë në javë pata përmirësim të ciklit menstrual, por shqetësimi im që a do të kem përsëritje të këtij problemit prapë, sepse frikohem që s’do mund të mbetem shtatzënë atëherë kur dua unë. Tjetër, a është problemi te këto tabletat që nuk po ndjej kënaqësi seksuale si përpara.
Me respekt.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Prolaktina është një hormon i cili normalisht prodhohet gjatë shtatzënisë dhe pas lindjes së bebes. Prolaktina e përgatit gjirin për gjidhënie. Gjatë gjidhënies, për shkak të prodhimit të prolaktinës, gratë nuk kanë menstruacione (ose i kanë të çrregullta), prandaj edhe mundësia që gjatë gjidhënies një grua të mbetet shtatzënë është shumë e vogël (ndonëse nuk është pamundur).
Prodhimit i prolaktinës në rastin tuaj mund të vjen për disa arsye, por patjetër duhet të hulumtohet mundësia e lidhshmërisë së prolaktinës së rritur me nivelin e ulët të hormoneve të tiroidesë (hormonet e gushës). Kur tiroideja prodhon pak hormone, përmes një mekanizmi stimulohet prodhimi i prolaktinës. Arsye tjetër e prodhimit të prolaktinës janë ndryshimet që shfaqen në gjëndrën e hipofizës.
Tabletat dostineks e ulin prolaktinën, por nuk e mjekojnë shkakun e rritjes së prolaktinës. Janë barna shumë të mira, por duhet të jepen nëse nuk është gjetur shkaku i rritjes së sekretimit të prolaktinës; përndryshe rekomandohet që fillimisht të kërkohet shkaku i rritjes së sekretimit të këtij hormoni.
Mos keni merak se s’do të mund të mbeteni shtatzënë, sepse ky problem menaxhohet mirë dhe nuk do të keni probleme të tilla. Dostineksi nuk bën që të keni më pak kënaqësi seksuale. Kjo mund të jetë e lidhur me shqetësimin psikik që mund të keni. Në kokën tuaj mund të sillen mendime të cilat e ngarkojnë trurin dhe kjo mund të manifestohet edhe me mungesën e kënaqësisë seksuale.


Përshëndetje doktor. Jam 21 vjeçare, para 6 viteve ja operua prej cistë në mitë, por çdo vjet ato po më pësëiten. Menstruacionet nuk me vinëkurrë me rregull një muaj – po, dy deri tre muaj – jo. Por, kohët e fundit po kam dhembje shumë në fund të barkut, mth, në pjesën ku janë vezoret. Gjithashtu menstruacione të bardha kam gjithherë.
Faleminderit, pres përgjigjen tuaj.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Vezoret janë organe shumë aktive. Ato çdo muaj prodhojnë folikula dhe nga këta folikula, njëri prej tyre e merr primatin duke u rritur më shumë. Nga ky folikul ditën e 14 të ciklit menstrual lirohet qeliza vezë. Cistet mund të prodhohen nëse ky folikul nuk pëlcet, prandaj vazhdon dhe rritet duke marrë përmasa të mëdha që manifesohet me cistë. Më rrallë ndodhë që pas pëlcitjes së folikulit në brendi të tij të grumbullohet gjak ose ndonjë përmbajtje tjetër. Cistat hiqen me operacion atëherë kur kanë dimensione shumë të mëdha, ose nëse me ekzaminim ultrasonografik konfirmohet se ato rriten shpejt. Përmes ekzaminimit ultrasonografik është e mundur që me një përafërsi të madhe të caktohet edhe natyra e cistës. Mund të shihet se a është cistë e thjeshtë, apo në brendi të saj ka gjak apo ndonjë përmbajtje tjetër. Varësisht nga pamja ultrasonografike bëhet edhe planifikimi i mjekimit. Fakti që ju keni cikël të çrregullt menstrual tregon se mund të keni probleme me ovulacionin. Duhet bërë një ekzaminim ultrasonografik për të parë se si janë vezoret dhe pastaj me një terapi të shkurtër ky problem evitohet. Për më tepër ju edhe keni dhimbje në fund të barkut, që është një shenjë e cila patjetër duhet të qartësohet dhe të mjekohet.


Përshëndetje. Jam 19 vjeçare dhe në fillim të këtij viti e kam humbur virgjërinë. Natyrisht që kam pasur gjakderdhje herën e parë, por edhe kur kam provuar më vonë, ka ndodhur e njëjta, por ato kishin qenë mujoret. Pra, unë nuk e kam ditur nëse edhe e kam humbur atëherë, apo ai ka qenë gjaku i mujoreve. Kam pasur shumë dhimbje herën e parë dhe vështirësi. Kjo ka vazhduar edhe më vonë, edhe herëve tjera kam pasur gjakderdhje më të vogla pas marrëdhënieve. Me kalimin e kohës, dhimbje nuk kam me edhe as gjak, por po shqetësohem, sepse nuk ndjej kënaqësi ashtu siç kam pritur dhe nuk e di si është të përjetosh orgazëm tash pas gati 4 muaj që kam marrëdhënie (mesatarisht 1 herë në javë). Në dy raste kam përdorur tableta për parandalimin e shtatzënisë, pasi kemi dyshuar që partneri im nuk është treguar i kujdesshëm. Herën e dytë i kam përdorë, jo pse partneri im nuk ka qenë i kujdesshëm, porse kam krijuar paranojë nga rrëfimet e ndryshme që mund të mbes shtatzënë edhe nga një lëng që derdhet para spermës. Kondomin, burri e ka vendosur vetëm në raste të rralla kur unë kam insistuar për të qenë më e sigurt. Kam përshtypjen që kohët e fundit, gjatë ditës po kam më shumë menstruacione të bardha, nuk e di sa është normale?
Faleminderit shumë.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Nga emaili juaj unë mund të ndaj dy probleme: i pari është mungesa e orgazmës dhe problemi i dytë është sasia e shtuar e sekretit vaginal. Kur seksi nuk të jep kënaqësi, atëherë në vend se të jetë një marrëdhënie, e cila kënaq të dy partnerët, mund të bëhet detyrim i mërzitshëm, një obligim që ndonjëherë shkakton edhe neveri. Çrregullimi i orgazmës është kur një femër nuk mund të përjetojë fare orgazëm ose e ka shumë të vështirë të mbërrijë orgazmën kur është e eksituar seksualisht. Rreth 35-50% e femrave nuk janë të kënaqura me faktin se sa shpesh përjetojnë orgazëm. Pra, çdo e dyta deri e treta femër ndjehet sikur ju! Nëse orgazmi nuk ndodhë asnjëherë, atëherë është e kuptueshme që zhduket dëshira për të bërë seks dhe ju do të keni marrëdhënie seksuale gjithnjë e më rrallë. Nëse ndodhë kjo, atëherë zhvillohet një situatë e cila krijon pakënaqësi dhe konflikt midis partnerëve. Çrregullimi i orgazmës mund të shkaktohet nga shumë faktorë si përdorimi i disa barnave, çrregullimi i inervimit të organeve të pelvikut, çrregullimet hormonale, nëse një femër ka qenë e dhunuar, nëse seksi është i mërzitshëm dhe monoton, nëse një femër nuk është e lirshme me partnerin dhe ka turp të kërkojë nga ai se cila formë e stimulimit i pëlqen më shumë, qasja negative ndaj seksit që krijohet në fëmijëri dhe adoleshencë (për shembull nëse konsiderohet se të bësh seks është veprim i gabueshëm deri edhe mëkat), mungesa e afërsisë emocionale me partnerin etj.
Nëse përjashtohen rastet kur mungesa e orgazmës është pasojë e ndryshimeve organike, ky problem nuk ndodhë gati asnjëherë nëse çasja ndaj seksit është pozitive dhe nëse të dy partnerët kanë njohuri për stimulimin seksual. Nëse partnerët komunikojnë mes veti lidhur me nevojat dhe dëshirat seksuale, çrregullimi i orgazmës ndodhë shumë rrallë. Nuk duhet harruar se marrëdhënia seksuale nuk është raport i thjeshtë fizik midis partnerëve, por është koordinim kompleks i mendjes dhe trupit. Për këtë arsye ky mekanizëm duhet të funksionojë mirë në mënyrë që të ndodhë orgazma. Trajtimi varet nga shkaktari. Me sa mund të kuptoj nga emaili, në rastin tuaj trajtimi i këtij problem nënkupton dhënien e informacionit juve dhe partnerit në mënyrë që të shmanget ky problem. Problemi i dytë është sasia e shtuar e sekretit vaginal. Është normale që një femër të ketë sekret. Në fakt ka gjëndra në organet gjenitale të cilat kanë për detyrë që të prodhojnë sekret. Sasia e sekretit është më e shtuar në mes të ciklit menstrual, por nëse sekreti nuk është i tejdukshëm, por ka ngjyrë të bardhë, të verdhë apo të gjelbër, nëse mban erë të pakëndshme, nëse keni dhimbje në fund të barkut, veçanërisht gjatë marrëdhënieve seksual, atëherë këto janë shenja të pezmatimit të organeve gjenitale. Në këtë rast patjetër që duhet mjekuar, sepse ky problem nuk tërhiqet vetvetiu.
Ju rekomandoj që të caktoni termin tek gjinekologu dhe të diskutoni lirshëm të dy problemet që keni.


Përshëndetje. E fejuara ime pas ciklit të menstruacioneve, më konkretisht me datën 20 kur i ka përfunduar, me datën 24 kemi pasur marrëdhënie të pambrojtur. Me datën 25, përafërsisht (36 orë) pas marrëdhënies ka përdorur 2 tableta (Post nor) nëse nuk gabohem, njërën menjëherë e tjetrën pas 12 orëve. Kur ka ardhur koha e ciklit tjetër të menstruacioneve me datën 22, dy ditë pasi iu kanë vonuar, ka bërë testin, ku ka rezultuar pozitiv. Sipas të gjitha konsultimeve kjo tregon që në marrëdhënien e parë medikamenti nuk ka pasur rezultat, edhe pse është marrë në mënyrë të rregullt, por 36 orë pas marrëdhënies, dhe tani duket se është 4 javë shtatzënë. Ne jemi të rinj dhe kërkojmë një zgjedhje, pasi që kjo nuk është pritur të ndodhë. Në recetë shkruante që të kontaktohet mjeku nëse mbetet shtatzënë pasi të ketë përdorur medikamentin. Si kishe me qenë mënyra më e lehtë fizike edhe psikike të pastrohet mitra? Ju lutem, më jepni një zgjidhje ose medikament, vetëm të mos jetë abort me vakum, apo diçka e rrezikshme për vezë dhe mitër. Jemi në pritje të përgjigjes tuaj. Ju faleminderit.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Për fat të keq asnjë metodë kontraceptive nuk ka efekt të qindpërqindtë. Ju keni përdorur si duhet kontraceptivin emergjent. Dua t’ju them se testi i shpejtë i shtatzënisë është orientues, por shpeshherë jep rezultat fals. Rezultati është më i besueshëm nëse del pozitiv, sesa kur del negativ. Pasi në rastin tuaj rezultati është pozitiv, atëherë po e konsideroj se bëhet fjalë për shtatzëni. Në rast të shtatzënisë së padëshiruar ekzistojnë disa mënyra për ndërprerjen e shtatzënisë, përfshirë edhe metodën medikamentoze. Secila nga këto metoda duhet të aplikohet nga gjinekologu, për këtë arsye ju rekomandoj që të caktoni një termin tek gjinekologu. Ndërprerja e shtatzënisë është një procedurë jo pak e rrezikshme. Për të kryer këtë procedurë nevojitet dijeni dhe përvojë, prandaj në asnjë mënyrë nuk ju rekomandoj që të ndërmerrni ndonjë hap pa u konsultuar paraprakisht me gjinekologun!


Përshëndetje doktor i nderuar. Unë jam 28 vjeçare, jam e martuar, por nuk kemi fëmijë sepse nuk duam, unë nuk kam pirë asnjëherë anti bebi pilula, jemi duke përdorur vetëm kondom.
Ciklin menstrual e kam shumë të çrregullt, dy herët e fundit kam pasur periudhë prej 55 ditësh në mes dy menstruacioneve, e di se nuk është në rregull kjo, para kësaj 36, 34, 44, përsëri 55 ditë. Nëpër gjithë tekstet që lexoj shkruan se cikli normal është 28 deri më 35 ditë. Unë asnjëherë nuk kam pasur cikël të rregullt, në kontrollet gjinekologjike që bëj, mjekja më thotë se jam mirë, nuk kam ciste, nuk kam CIN, as infeksione përveç kandida, por nuk më ka çuar në kontroll të hormoneve. a do të më bëjë problem cikli jo i rregullt në mbetjen shtatzënë?
Ju faleminderit shumë.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Kjo është shenjë se cikli menstrual ka humbur baraspeshën. Kjo nuk do të thotë se duhet të merakoseni! Është një gjë e mirë që kontrolloheni rregullisht te gjinekologu. Janë disa situata gjatë të cilave ndodhin çrregullimet e ciklit menstrual:
Humbja në peshë ose shtimi i madh në peshë. Do të përpiqem t’ju shpjegoj se si ndikon pesha në ciklin menstrual. Më parë është menduar se indi dhjamor është vetëm depo e yndyrave, por sot dihet se në indin dhjamor prodhohen edhe hormone. Për më tepër në indin dhjamor bëhet transformimi i hormoneve të ndryshme në hormone femërore (estrogjene). Në këtë situatë prishet baraspesha hormonale dhe kjo ndikon në rregullshmërinë e ciklit menstrual.
Stresi (ngarkesa) e madhe emocionale ka ndikim shumë të madh së shëndetin reproduktiv, e rrjedhimisht edhe në rregullshmërinë e ciklit menstrual.
Ushtrimet e tepërta trupore poashtu çrregullojnë ciklin menstrual. Për këtë arsye atletet, balerinat, notaret, shpeshherë kanë cikël të çrregullt menstrual.
Pirja e tepërt e alkoolit ndikon në ciklin menstrual duke çrregulluar metabolizmin hormonal.
Abnormalitetet e mitrës si polipet, miomat dhe endometrioza mund të shkaktojnë çrregullim të ciklit menstrual (por këto besoj se nuk janë shkak i çrregullimit në rastin tuaj, pasi që keni bërë kontrolle të rregullta).
Këto janë disa nga arsyet se përse çrregullohet cikli menstrual. Nëse me të vërtetë jeni e shqetësuar për këtë gjë, atëherë konsultohuni me gjinekologun për të kuptuar shkakun e çrregullimit. Kur cikli menstrual nuk është i rregullt, atëherë edhe ovulacioni mund të mos jetë i rregullt. Kur ovulacioni nuk është i rregullt, atëherë edhe mundësia për të mbetur shtatzënë është më e vogël. Duhet ta keni parasysh se gjatë ovulacionit lirohet qeliza vezë e cila duhet të bashkohet me spermatozoidin (qelizën seksuale mashkullore) për të ndodhur shtatzënia. Pra, nëse ovulacioni nuk është i rregullt, nuk do të prodhohet qeliza vezë dhe rrjedhimisht nuk vjen te shtatzënia.
Uroj t’ia kem arritur që të jap përgjigje në pyetjen tuaj!


Përshëndetje. Jam një zonjë 50 vjeçe, ka tash ca vite që kam probleme me mitër, skuqje (varr) në mitër, gati tash 10 vite. Kam pasur edhe probleme të tjera, si psh, mitra ka qenë e ënjtur dhe po ashtu e lëshuar poshtë. Tash ca javë kanë filluar dhimbjet në kurriz, ndërsa këto ditët e fundit më është shtuar dhembja në kurriz dhe pjesën e poshtme të barkut, mezi lëviz apo rri ulur.
Desha të di në çka ju asociojnë këto probleme në shikim të parë.
Ju lutem shumë ta merrni në konsiderim pyetjen time dhe të më bëni sqarimet e duhuhra?

Exit mobile version