Gratë që rregullisht marrin doza më të ulëta të aspirinës kanë më pak gjasa të preken nga kanceri ovarian.
Një ekip hulumtues zbuloi se gratë që rregullisht marrin 75 miligramë aspirinë, kishin 23 për qind më pak mundësi për zhvillimin e këtij lloj kanceri. Marrja e një dozë të vogël aspirine mund të zvogëlojë rrezikun e kësaj sëmundjeje me një të katërtën, tregojnë gjetjet e hulumtimit të Universitetit të Harvardit në 205,000 gra.
I njëjti efekt nuk vlen për doza të mëdha të tabletave 300 mg, ndoshta për shkak se ato nuk merren për një kohë të gjatë.
Mjekët zakonisht e përshkruajnë aspirinën në doza më të ulëta për të parandaluar problemet e zemrës, pasi ndalon mpiksjen e gjakut, transmeton KosovaPress.
Kanceri i vezoreve është i pesti në frekuencën midis sëmundjeve malinje te femrat. Ai quhet një “vrasës i heshtur”, pasi shkakton simptoma të vonuara dhe në 3/4 raste zbulohet në një fazë të zhvilluar, kur shërimi është i pamundur. Kjo është arsyeja pse mbijetesa 5-vjeçare në kancerin e vezoreve është më pak se 50 për qind, shkruan Daily Mail.
Shkencëtarët kanë studiuar për një kohë nëse aspirina mund të luftojë me kancerin dhe zbuloi se doza të ulëta mund të reduktojnë ndjeshëm rrezikun e kancerit të zorrëve. Por studimi i ri i Harvardit ofron prova më të forta se aspirina mund të përdoret për të ndaluar kancerin ovarian.
Autorët nuk e dinë saktësisht se si funksionon kjo, por mendojnë se aspirina zvogëlon aktivizimin e trombociteve, të cilat janë çelësi për formimin e tumoreve dhe zbut inflamacionin që lidhet me zhvillimin e kancerit ovarian.
Studimi, i botuar në revistën JAMA Oncology, gjithashtu tregoi se medikamente të tjera të dhimbjes – antireumatikë jo steroide si ibuprofen dhe naproxen – në të vërtetë rritin rrezikun e kancerit të vezoreve.
Kur merren në sasi prej së paku 10 tableta në javë për disa vite, ato rrisin rrezikun e kancerit të vezoreve me 19 për qind.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se duhet të konsultoheni me mjekun para se të filloni të merrni ilaçin.