Telegrafi

Aspak leht, drejt digjitalizimit

Prishtine 5 dhjetor – Ka përmbyllur punimet konferenca “Koha e digjitalizimit”, kur për dy ditë janë prezantuar strategjitë për transmetimin digjital në Kosovë dhe rajon. Në ditën e dytë është diskutuar për përgatitjet e Kosovës për kalimin e transmetimit analog në atë digjital, si dhe për mundësitë e bashkëpunimit lidhur me alternativat e planit frekuentor.

Kryetarja e Bordit të AMPEK-ut, Afërdita Saraqini-Kelmendi, tha se konferenca ka dhënë shumë për të mësuar mbi përvojën e fqinjëve në fushën e digjitalizimit. “Tranzicioni prej radio difuzionit analog në atë digjital nuk është një proces i lehtë, por i zorshëm dhe i përcjell me përgatitje të mëdha e gjithëpërfshirëse, si dhe me kosto të mëdha, qoftë në fazën përgatitore ashtu edhe në atë implementuese.

 

Mirëpo Kosova në rrugën e vet të digjitalizimit sfidohet edhe me probleme të tjera dhe ngjashëm si në fushat e tjera, dallohet nga të tjerët në rajon me vështirësitë e saja shtesë, përplot me sfida, të cilat jo rrallë i shtrohen Kosovës edhe me qëllim”, tha Saraqini-Kelmendi.

Ajo tha se deri në vitin 2015, kur pritet të fiken frekuencat analoge, ka kohë që të bëhen përgatitjet e nevojshme për digjitalizim.
“Jemi në fillet e përgatitjes për digjitalizim, prej këtij momenti e deri në momentin kur do duhej të fiken frekuencat analoge kemi kohë. Pra kemi hapësirë për të punuar dhe për të bërë më të mirën në aspektin e përgatitjeve, por edhe të implementimit”, tha ajo.

Sipas Saraqini – Kelmendi, më problematikja për Kosovën është jopjesëmarrëja në ITU. “Si dhe nuk kemi marr pjesë në konferencën e ITU-së në vitin 2006 ku është përcaktuar plani frekuentor digjital për vendet e rajonit, ndërkohë që Kosova ka mbetur jashtë këtij plani digjital për t’i përmbushur nevojat e veta”, tha Saraqini-Kelmendi.
Emil Blakaj, ekspert për planifikimin frekuentor, ka prezantuar planin për alternativat teknike për planin frekuentor digjital të Kosovës sipas standardeve të UNT-së, duke theksuar se ky plan duhet përpunuar me vendet fqinje para se të shkojë në ITU për aprovim.

“Ne e kemi një analog, një pjesë që është sjell nga Gjeneva 2006. Ne deshëm ta ndërrojmë atë e ta ndajmë në tre pjesë. Ndarja në tre pjesë, do të mundësonte të fitojmë më shumë frekuenca, të cilat do ta mbulonin gjithë Kosovën”, tha Blakaj.