Telegrafi

Asociacioni për Fibrozë Cistike, kërkon ilaçin Trikafta për të gjithë pacientët

Ankesat e pacientëve me Fibrozë Cistike nuk kanë të ndalur, ndërkohë që edhe kërkesat e Asociacionit për fibrozë cistike vazhdojnë të adresohen drejt Ministrisë së Shëndetësisë.
Nga ky Asocacion kërkojnë që ilaçin Trikafta ta merr çdo pacient, duke filluar nga mosha dy vjeçare, e jo vetëm ato të moshës mbi 12 vjet.
“Trikaftën e marrin vetëm pacientët mbi 12 vjet dhe disa pacientë ndër 12 të cilët e kanë pas gjendjen shëndetësore më të rënduar, dhe kjo normalisht për ne si Asociacion nuk është zgjidhje definitive. Ne kërkojmë që këtë lloj ilaçi ta merr çdo pacient i cili është i përshtatshëm për ta marr Trikaftën, bëhet fjalë për një numër të konsiderueshëm të pacientëve. Në nivel evropian, institucionet e shëndetësisë e kanë aprovuar Trikaftën prej moshës 2 vjeçare dhe ne normalisht kërkojmë nga Ministria e Shëndetësisë, që kjo të mundësohet. D.m.th pacientët nga 2 vjet e lartë të mund të marrin Trikaftën”, thuhet në kumtesën e Asociacionit për Fibrozë Cistike.
Në Kliniken Universitare për Fëmijë aktualisht ka 72 pacient të cilët trajtohen me terapinë modulatore për Fibrozë Cistike. 68 prej tyre janë mbi moshën 12 vjeçare, ndërsa 4 pacient janë nën moshën 12 vjeçare.
Drejtori i kësaj Klinike, Rexhep Memedi thotë se tendenca e tyre si Klinikë Universitare është që tu mundësohet pacientëve të moshës mbi 6 vjeçare të pranojnë terapinë e re.
“Ne fillimisht planifikojmë që së shpejti, kuptohet me pëlqim edhe vendim të Ministrisë së Shëndetësisë të arrijmë që edhe 29 pacient që i kemi të moshës 6 vjeçare të mund ti inkuadrojmë në terapinë e re. Kuptohet intenca dhe tendenca jonë do të jetë që të gjithë pacientët të moshës mbi 2 vjeçare sa më shpejt të kenë të drejtë dhe të kenë mundësinë të pranojnë terapinë e re por ajo është një proces që nuk varet direkt nga Klinika e Fëmijëve por duhet vendime në suaza më të larta”, u shpreh drejtori në Kliniken Universitare për Fëmijë, Rexhep Memedi.
Nga Ministria e Shëndetësisë nuk japin ndonjë përgjigje konkrete, thonë që edhe përkundër terapisë që është shumë e shtrenjtë do të përpiqen të mbështesin pacientët me Fibrozë Cistike.
“Ministria e Shëndetësisë, në kuadër të buxhetit të saj të disponueshëm, ka mbështetur dhe vazhdon të përkrahë në mënyrë maksimale ofrimin e terapive më moderne”, theksojnë nga Ministria e Shëndetësisë.
Ilaçi Trikafta nga viti 2023 është lejuar nga Agjencia Evropiane e Mjeksisë edhe për pacientët e moshës dy vjeçare. Ilaçin për trajtimin e kësaj sëmundje e bën kompania Varteks, e cila është kompania e vetme e cila e prodhon ilaçin Trikafta në nivel botëror dhe e njëjta ka monopol deri në vitin 2039.   /RTVM2