Përkundër që nga pala serbe është paralajmëruar se dialogu me Kosovën nuk do të vazhdojë pa u zgjidhur çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, dje në Bruksel në nivel të shefave të delegacioneve dhe ekspertëve, përfaqësuesit e dy shteteve diskutuan për ekonomi dhe financa. Njohësit e çështjeve politike këshillojnë që Kosova të qëndrojë prapa vendimit të Gjykatës Kushtetutese të Kosovës marrë në vitin 2015.
Pas takimit të djeshëm në Bruksel me delegacionin e Kosovës të përfaqësuar nga Skënder Hyseni, kryesuesi i palës serbe në dialog, që është njëkohësisht drejtori i ri i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, u deklarua se në bisedime “u ngrit edhe çështja e formimit të Asociacioni të Komunave me shumicë serbe”, deklaratë të cilën Kryeministri Avdullah Hoti tha se nuk e merr seriozisht.
Politologu Ramush Tahiri thotë se Serbia nuk është palë për çështjen e Asociacionit prandaj si e tillë, kjo temë nuk mund të rikthehet në Bruksel.
“Serbia nuk është palë në Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Ajo ka qenë temë në Bruksel por në Kosovë atë asociacion e krijojnë institucionet e Kosovës. Serbët nuk janë ata që duhet ta pranojnë apo jo. Statuti pranohet në qeveri dhe del në Kuvend. Ky statut nuk është dokument që miratohet në Bruksel”, ka deklaruar për RTV Dukagjinin, Ramush Tahiri.
E Violeta Haxholli nga Instituti i Kosovës për Drejtësi shprehet se nga pala serbe nuk pritet që do të heqin dorë nga kërkesa për Asociacionin, përcjell Telegrafi.
“Pritet që pala serbe ta rikthejë Asociacionin si temë dhe nuk besoj se ajo do të heq dorë nga kërkesat e saj. Megjithatë pala kosovare duhet të ketë kërkesat e saja të qarta pavarësisht pretendimeve që ka pala serbe…Ky mekanizëm mund të themelohet vetëm në bazë të aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese”, deklaroi Violeta Haxholli.
Përfaqësuesit serbë vazhdimit kanë përsëritur se nuk janë të interesuar për një Asociacion me kompetenca të një Organizate Joqeveritare, sipas ofertës së Kosovës, duke pretenduar në një mekanizëm me kompetenca ekzekutive. /RTV Dukagjini/Telegrafi/