Shndërrimi i Forcës se Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura po shihet si vështirë i mundshëm. Qëndrimi i Listës Serbe karshi themelimit të Ushtrisë së Kosovës mund të ndryshojë vetëm nëse bëhet ndonjë pazar më çështjen e Asociacionit ose themelimin e ndonjë komune të re serbe.
Të paktën kështu vlerësojnë zyrtarët e opozitës dhe njohësit e çështjeve politike.
Në anën tjetër, në Qeveri nuk kanë ndonjë koment karshi këtij kushtëzimi.
Faton Abdullahu, këshilltar politik i kryeministrit Isa Mustafa, thotë se themelimi i FAK-ut është shumë i rëndësishëm për stabilitetin dhe paqen në rajon.
Ai vlerëson se në këtë proces Kosova do të ketë përkrahjen e SHBA-ve dhe BE-së.
Ndërsa, partia më e madhe opozitare Lëvizja Vetëvendosje vlerëson se është e vështirë të formohen Forcat e Armatosura pa pazare të reja me Serbinë.
E, çmimi i themelimit të Ushtrisë së Kosovës, sipas Vetëvendosjes dhe analistëve, do të jetë themelimi i Asociacionit.