Telegrafi

Asnjë udhëtim nga Stacioni i Autobusëve në Prishtinë

Zëdhënësja e Stacionit të Autobusëve në Prishtinë, Shqipe Durmishi për RTV Dukagjinin ka thënë se kjo ndërmarrje publike ka zbatuar të gjitha udhëzimet nga institucionet shëndetësore sa i përket linjave të trafikut.

“Stacioni është i boshatisur, nuk ka ndonjë nisje apo ardhje ndërkombëtare apo ndërurbane”, tha ajo, përcjell Telegrafi.

Durmishi thotë se stacioni nuk është i mbyllur tërësisht por për shkak të mungesës së udhëtimeve po punojnë me staf të reduktuar.

“Për momentin asnjë lloj udhëtimi nuk zhvillohet dhe kjo do të vazhdojë deri në ndonjë vendim të ri nga Ministria e Infrastrukturës apo institucionet tjera përgjegjëse”, deklaroi më tej Shqipe Durmishi.

Kujtojmë, sot një autobusë ishte nisur nga Italia për në Kosovë por i njëjti me vendim të ministrit Lumir Abdixhiku ishte kthyer në Kroaci pasi nuk kishte marrë leje për operim.

Ndërkohë Aeroporti i Prishtinës kishte njoftuar se kompanitë mundë të realizojnë fluturime nga Kosova për t’i kthyer udhëtarët në vendet e tyre në Evropë nëse paraprakisht sjellin në Kosovë aeroplanë pa udhëtarë./Telegrafi/