Përhapja e pandemisë COVID-19 në mbarë botën ka bërë që shumë shqiptarë të mbesin jashtë vendeve të tyre. Edhe pse në masë më të vogël, edhe Turqia është prekur nga kjo pandemi. E atje ka një numër të madh të shqiptarëve të cilët po ndjekim studimet në universitete të ndryshme.
Njëri ndër këta student është edhe Ekrem Zajmi, i cili është duke ndjekur studimet e doktoratës në fushën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare në njërin prej universiteteve në Ankara.
Zajmi ka treguar për gjendjen e studentëve, por edhe kushtet në të cilat gjendjen në këtë kohë pandemie.
“Në Turqi ka një numër të madh të studentëve shqiptarë, të cilët janë të sistemuar në universitete të ndryshme në qytete të ndryshme. Duke qenë se Turqia është tashmë e tëra e mbuluar nga coronavirusi, studentët vazhdojnë që një pjesë e tyre të qëndrojnë në konvikte dhe nga aty t’i ndjekin mësimet e tyre, por një pjesë tashmë ndodhën në vendlindjet e tyre Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e Veriut apo edhe Luginën e Preshevës, këta studentë duke qenë se këtu institucioni përkatës ka marrë vendim që ky semestër do të ndiqet nga larg, deri në fund të semestrit dhe kjo i ka mundësuar studentëve të zgjedhin që të shkojnë në vendet e tyre dhe të vazhdojnë studimet”, thotë ai, për KosovaPress.
Zajmi thotë se në konviktet ku një pjesë e studentëve shqiptarë po i kalojnë këto kohë, kushtet janë të mira, ndërsa pohon se të gjithë studentët janë mirë dhe se nuk është i prekur asnjëri me coronavirus.
“Kushtet në konvikte janë të mira, nëse flasim për ngarkesën e konvikteve atëherë ditët e fundit, ka një ngarkesë më të lehtësuar ngase pjesa më e madhe e studentëve vendas, kanë udhëtuar te familjet e tyre nëpër qytetet përkatëse dhe është mundësuar një hapësirë më e përshtatshme për studentët e huaj ngase tash për momentin kryesisht këto konvikte janë të banuara nga studentë të huaj. Sa i përket studentëve në përgjithësi e veçanarishtë studentëve shqiptarë deri tash nuk kemi të konfirmuar ndonjë rast të infektimit të ndonjërit nga studentët shqiptar për fat të mirë dhe shpresoj që edhe ditët në vazhdim nuk do të kemi lajme të tilla. Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me studentët veçanarishtë ata të cilët ndodhën në Ankara por edhe në qytete të tjera dhe ndonëse një pjesë e tyre janë kthyer në familjet e tyre dhe vazhdojnë t’i ndjekin mësimet nga atje online, mirëpo edhe ata që janë këtu gjendja e tyre shëndetësore është e mirë”, thotë ai.
Por edhe nëse ndodh që ndonjëri prej tyre të preket me këtë virus, Zajmi thotë se ekzistojnë të gjitha kushtet për trajtim, pasi që Turqia i ka ndërmarr të gjitha masat për ta tejkaluar me lehtësi këtë pandemi.
“Nëse ndodh që do të ketë ndonjë të infektuar, shpresojmë që nuk do të ketë, atëherë në mënyrë shumë të thjeshtë, pa ndonjë problematik pagese do të marrin shërbime sikur se çdo qytetarë tjetër këtu në Turqi… Deri në një far forme është shtet social, nuk ka kërkuar dhe vazhdon të mos kërkojë para nga qytetarët të cilët kanë nevojë për të kryer testet e nevojshme, gjithashtu në ditët e fundit ka filluar që të shpërndaj falas tek secila familje maska mbrojtëse”, tregon ai.
Zajmi thotë se janë në kontakte të vazhdueshme me universitetet dhe komunat përkatëse, por edhe me ambasadën e Kosovës në Turqi që ata që dëshirojnë të kthehen në vendet e tyre, t’u krijohen mundësitë.
“Në formën e bashkëpunimit si me universitete të ndryshme dhe komuna të ndryshme ku ndodhën studentë dhe me forma tjera të cilët ata i zotërojnë që një pjesë të qytetarëve t’i kthejnë në Kosovë. Ngase me sa kam informacion diku ka pas rreth 400 deri 500 kërkesa nga Turqia për t’u kthyer në Kosovë, ku kryesisht janë qytetar të cilët kanë marrë ose kanë vazhduar të marrin shërbime shëndetësore këtu në Turqi. Herën e fundit, dy ditë më herët janë kthyer një aeroplan rreth 100 personave, mirëpo nuk janë kthyer të gjithë ata që kanë bërë kërkesë dhe kryesisht kanë pasur përparësi ata të cilët kanë kërkuar shërbim shëndetësor”, thotë Zajmi për KosovaPress.
Studenti kosovar tregon se Turqia ka ndërmarr një varg masash për të parandaluar përhapjen e COVID-19. Madje thotë se shëndetësia turke tashmë është duke prodhuar edhe respiratorë të avancuar të cilët pritet të vihen në përdorim shumë shpejt.
Po ashtu ai thotë se nëse këta respiratorë të avansuar tregohen të suksesshëm, të njëjtit do të eksportohen edhe në vendet tjera, përfshirë edhe Kosovën.
Numri i vdekjeve në Turqi nga koronavirusi i ri (COVID-19) është rritur në 2.706, me 106 viktima të reja të regjistruara në 24 orët e fundit. /Telegrafi/