Site icon Telegrafi

Asnjë njohje për 1 vit e gjysmë, cili është arsyetimi i ministres Donika Gërvalla?

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla, ka dhënë versionin e saj përse prej marrjes së mandatit nuk i ka siguruar vendit asnjë njohje.

Në intervistë në emisionin “Kallxo Përnime”, kryediplomatja Gërvalla ka thënë se janë fokusuar te sigurimi i njohjes nga blloku i 5-shes mosnjohëse të BE-së, Spanja, Rumania,  Sllovakia, Greqia dhe Qipro.

“Tani ne jemi përqendruar shumë në 5 njohjet pa dashur t’i injorojmë pjesën tjetër të botës, por 5 njohjet brenda BE janë tepër të rëndësishme për ne sepse në fund të fundit mund ta na paraqesin pengesa serioze në rrugën tonë drejt integrimeve evropiane dhe atyre në NATO” – tha ajo.

Një pjesë të fajit Gërvalla e ka hedhur edhe te moratoriumi 1-vjeçar për të stopuar fushatën për njohje të reja.

“Prandaj pjesa më e madhe e kohës tonë është investuar në këto njohje që nuk do të thotë që nuk kemi punuar edhe në kontinente të tjera, që mos harroni që një pjesë të madhe të këtij një viti e gjysmë ne kemi pasur një moratorium dhe moratoriumi i cili është dhënë premtimi në Uashtington është natyrisht një element i cili na ka bërë të dukemi që njohjet për ne si republikë nuk janë edhe kaq të rëndësishme” – tha ajo.

E pyetur se çfarë progresi ka, Gërvalla nuk ka dhënë detaje, por vetëm ka thënë se po punohet.

“Ka goxha progres të prekshëm në të 5 vendet, më shumë progres në disa, më pak në disa të tjera. Ju e shihni me Greqinë kemi marrëdhënie si me të gjitha shtetet e tjera njohëse i vetmi që mungon, unë nuk kam ardh këtu të them që kemi zbulu ujin e ngrohtë, unë po them se cili është fokusi i politikës së jashtme” – tha ajo.

Pavarësia e Kosovës ende nuk është njohur nga 5 vendet anëtare të Bashkimit Evropian: Spanja, Rumania,  Sllovakia, Greqia dhe Qipro.

Exit mobile version