Asnjë ministri apo komunë në vend nuk ka nivel të lartë të mbrojtjes nga korrupsioni në prokurimin publik, sipas Qendrës për Komunikim Civil (QKC).
QKC publikoi renditjen e Qeverisë, ministrive dhe komunave sipas 32 treguesve për performancën kundër korrupsionit në prokurimin publik. Institucionet janë vendosur në tre zona: e kuqe, e verdhë dhe e gjelbër, në varësi të pikëve të fituara për mënyrën e kryerjes së prokurimit publik. Në të njëjtën kohë, 100 për qind do të thotë maksimum, dhe 0 për qind nuk ka mbrojtje kundër korrupsionit.
“Asnjë institucion i vetëm nuk ndodhet në zonën e gjelbër, të mbrojtjes së lartë ndaj korrupsionit, me performancë antikorrupsion mbi 80 për qind. Katër ministri dhe 43 komuna janë në zonën e kuqe, gjegjësisht prokurimet publike të tyre kryhen me nivel të ulët të mbrojtjes nga korrupsioni sepse kanë më pak se 50 për qind pikë”, thekson QKC.
Sipas renditjes, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Ministria e Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve Ndërkomunitare kanë ekspozimin më të lartë ndaj korrupsionit, ndërsa Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Bujqësisë kanë performanca më të mirë kundër korrupsionit me 72 përqind.
Ndër komunat, niveli më i ulët i performancës kundër korrupsionit në prokurimin publik është përcaktuar në Kratovë dhe Gostivar. Në zonën e kuqe është edhe Bashkia i Shkupit, si dhe 40 komuna të tjera. Performancën më të mirë kundër korrupsionit në prokurimin publik e ka Komuna e Kavadarit me 70 për qind, si dhe Komuna e Velesit dhe Probishtipit me 66 për qind.
Sipas Qendrës, niveli i ulët nuk do të thotë domosdoshmërisht korrupsion në prokurimin publik të atij institucioni me çdo kusht, por se nuk ndërmerren të gjitha masat e mundshme për parandalimin e tij, prandaj edhe mundësia që të ndodhë në këto institucione është më e madhe.
Renditja është bërë në kuadër të programit “Qytetarët kundër korrupsionit”, mbështetur nga USAID.