Gjuha shqipe në instancat e larta të shtetit zbatohet sipas dëshirave të funksionarëve edhe pse një gjë e tillë parashikohet me Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Pavarësisht vendosjes së fundi në shqyrtim të neneve të caktuara të këtij ligji, prapëseprapë ai i obligon institucionet ta përdorin gjuhën shqipe si në komunikim ashtu edhe në publikimin e materialeve.
Qeveria, e cila do të duhej të ishte shembulli më i mirë për respektimin e ligjeve, në fakt jep shembull se si të mos respektohet ligji. Në vend që ta bëjë komunikimin paralelisht në dy gjuhë, komunikatat dhe informacionet publikohen fillimisht vetëm në maqedonisht, dhe më vonë, në mënyrë të jo të rregull apo me vonesa, dërgohen edhe në shqip. Të mos flasim për procesverbalet e seancave qeveritare të cilat publikohen vetëm në maqedonisht. Kjo dëshmohet nga vetë stenogramet, shkresat dhe komunikimi brenda organit ekzekutiv.
Nëse kontrolloni uebfaqen e Qeverisë, mund të vërehet se versioni në gjuhën shqipe është i varfër për nga përmbajtjet dhe arkivi, madje edhe ato përmbajtje që gjenden, kur klikohen shfaqen vetëm në maqedonisht. Aq i papërditësuar është versioni shqip, sa që në të qëndron ende nënkategoria për vaksinim ndaj kovidit, e cila ka dy vite që është shpallur e asgjësuar. Por, për ironi, nëse klikoni në të, nuk mund të gjeni të dhëna për çështjen e vaksinimit, sepse lidhja ju drejton në faqen e fjalorit të gjuhës maqedonase.
Situata me shqipen është pothuajse e njëjtë në të gjitha ministritë e drejtuara nga pjesëtarët e komunitetit maqedonas. Madje, edhe ato ministri që ishin drejtuar deri dje nga kuadrot shqiptarë, me ndërrimin e ministrave, kanë ndaluar ta përdorin shqipen.
Shembull më dramatik është Ministria për Marrëdhënie Ndërmjet Komuniteteve e cila ka për synim pikërisht zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Uebfaqja e kësaj ministrie që drejtohet nga Ivan Stoilkoviqi ka bllokuar versionet e të gjitha gjuhëve, përfshirë edhe shqipen. Nëse hapet faqja, aty thuhet se është në ndërtim e sipër dhe nuk ka asnjë informacion në gjuhë të tjera përveç maqedonishtes.
Gjuha shqipe nuk ekziston as për Ministrinë e Punëve të Jashtme që drejtohet nga Timço Mucunski. Në uebfaqen e saj, asnjë rresht nuk mund të gjendet në gjuhën e thuajse 1/3-ës së popullatës që ai dhe ekipi i tij përfaqëson. Edhe Vllado Misajllovski dhe Pançe Toshkovski si ministra të Mbrojtjes dhe të Punëve të Brendshme, bashkë me ekipet e tyre paguhen edhe nga tatimet e popullatës shqiptare, por të drejtën e tyre për informim në gjuhën ame e respektojnë sipas dëshirës së tyre. Komunikimi i ministrive me mediat është krejtësisht në maqedonisht, ndërkaq qytetarët rrallëherë marrin ndonjë informatë në shqip, madje me vonesë.
Shembullin e mosrespektimit të shqipes e ndjek edhe Ministria e Transportit dhe Ministria e Bujqësisë, të drejtuar nga Aleksandar Nikollovski dhe Cvetan Tripunovski. Ministri i Drejtësisë Igor Filkov pati trashëguar uebfaqe tërësisht në shqip, megjithatë, me ardhjen e tij, Ministria e Drejtësisë nuk dërgon komunikata dygjuhëshe edhe pse në uebfaqe kumtesat publikohen me vonesë edhe në shqip. Financat, Arsimi dhe Kultura, të cilat janë drejtuar paraprakisht nga kuadro shqiptarë, kanë uebfaqe më të përditësuara në gjuhën shqipe. Ndërkaq, ministritë që drejtohen nga kuadrot shqiptar, siç janë Ministria e Shëndetësisë, për Çështje Evropiane, Ekonomisë dhe Punës, por edhe Ministria e Punës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve e realizojnë komunikimin rregullisht në dy gjuhë.
Nga ana tjetër, as presidentja si figurë unifikuese në shtet, nuk e respekton Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve. Konkretisht, presidenca nuk komunikon me mediat në gjuhën shqipe, ndërsa uebfaqja përditësohet sa për sy e faqe. Aktualisht, institucioni i vetëm që komunikon në përputhje me Ligjin për përdorimin e gjuhëve është Kuvendi./Alsat/