Telegrafi

Asllani: Kosova ka ngecur në edukimin e të rinjve për të drejtat e njeriut, Qeveria duhet të hartojë programin nacional

Foto: Arkiv

Themeluesi i Qendrës Kosovare për të Drejtat e Njeriut, Neshad Asllani, ka thënë se konventat dhe mekanizmat ndërkombëtarë në Kosovë kanë ngecur që të adaptohen në shoqërinë e Kosovës, prandaj Qeveria e Kosovës duhet të hartojë programin nacional për edukimin e qytetarëve për të drejtat e njeriut.

Asllani në Ditën ndërkombëtare për të drejtat e njeriut në një prononcim për Telegrafin ka thënë se UNESCO ka qenë e interesuar që të bëj edukimin e brezave të rinj për të drejtat e njeriut në Kosovë, por që ka munguar vullneti politik.

Ai tha se Qendra Kosovare për të Drejtat e Njeriut si bashkëpunëtor i UNESCO-s në Kosovë kanë edukuar 17 trajnerë për të drejtat e njeriut në vitin 2000, ku prej tyre kanë përfituar edhe 55 arsimtarë të shkollave fillore të disa komunave, ku projekti ka arritur të implementohet duke u aftësuar rreth 7 mijë nxënës.

“Qëllimi i bashkëpunimit ka qenë që këtë projekt komuna ta shtrijë në tërë Kosovën, por ka munguar vullneti i të gjitha qeverive dhe individëve që merren me edukim, nuk e kanë parë të arsyeshme. Kjo rrjedhimisht na çon në atë që, edukimi është bazë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut”, tha Asllani për Telegrafin.

Në mungesë të përkrahjes institucionale, ai tha se këtë ditë e shënojnë dhe i kanë edhe tekstet për edukimin e personave për të drejtat e njeriut, të cilat mund t’i shërbejnë Qeverisë nëse ka interesim të avancoj vendin në këtë aspekt.

“E kemi librin ‘Hapat kosovar për edukim në të drejtat e njeriut’, që e kemi botuar në bashkëpunim me UNESCO-n, në gjuhën shqipe e boshnjake, serbe. Arsimtarët kanë punuar me këtë libër nëpër shkolla fillore, e kanë implementu projektin mirëpo kanë ngec pastaj. UNESCO ka qenë e interesuar të jetë në Kosovë edhe të vazhdojë edukimin e të drejtave të njeriut, mirëpo vullneti politik edhe i sistemit të edukimit ka munguar. Tani jemi në një kthesë, në një rrugicë, që ndoshta nuk është pa kthim mirëpo duhet t’i bëjmë do hapa që të dalim në rrugë kryesore, edhe me u kthy në civilizim ku respektimi i të drejtave të njeriut nuk mungon”, tregoi Asllani.

Ai tha se pas pavarësisë së Kosovës, me gjithë angazhimet që i kanë pasur për të avancuar në çështjen e respektimit të të drejtave të njeriut, vendi ka ngecur në këtë aspekt.

“Ne jemi të vetëdijshëm që kjo do t’i kushtojë gjeneratave të reja, mirëpo besoj se do të këndellemi në një të ardhme të afërt”, u shpreh ai.

“Duhet strategji që është botërore, tri dekada për edukim të të drejtave të njeriut, që secili shtet e ratifikon dhe e ndërton programin nacional për edukim të të drejtave të njeriut. Ne kemi punuar me UNESCO që ta zhvillojmë këtë program nacional edhe në Kosovë. Do të thotë edukimi është bazë, çelës për këtë. Ne kemi ngec në edukim në përgjithësi, e në veçanti për të drejta të njeriut, por që hapi tjetër është që këtë edukim të të drejtave ta vazhdojmë. Kemi shumë material të shumtë që mund t’i shërbej shumë Qeverisë së Kosovës nëse vendosin të bëjnë programin për edukim të të drejtave të njeriut”, pohoi Asllani. /Telegrafin/