Edhe kësaj radhe “Shema” siç e quajnë të gjithë, doli bindshëm e para dhe kjo ishte e pritshme pasi ajo mbi supet e saj kishte titullin dhe trofeun e Kupës me skuadrën e Prishtinës. Në pyetjen se cila është formula, apo çelësi i suksesit për shumë vite, Shemsije Asllanaj tha: “Shumë trajnerë më kanë thënë se puna ime, përkushtimi dhe dëshira për lojën e volejbollit është arsyeja kryesore, por ndoshta edhe pse kam pasur fat të jem pjesë e skuadrave cilësore dhe të organizuara mirë. Kjo edhe më bën të lumtur pasi viteve të fundit kudo që kam luajtur jam shpërblyer me trofe dhe kjo bën të ndihem mirë”. Asllanaj për herë të gjashtë është më e mira dhe kjo sikur është dëshmi se volejbolli tek ne nuk po shkon me hapa të duhur, pasi ka kohë që nuk po e gjejmë një volejbolliste, e cila do t’ia kalonte Shemës.
“Mendoj se tek ne ka volejbolliste të reja dhe cilësore, por ndoshta përvoja ime e madhe e ka bërë të veten kështu që të tjerat ende nuk kanë dalë në sipërfaqe. Nuk mendoj se volejbolli i femrave është duke stagnuar e kjo është parë në skuadrën tonë kur jemi shpallur fitues të kupës dhe të kampionatit pothuaj me volejbolliste vendore, duke i mposhtur skuadrat të cilat kishin më shumë volejbolliste të huaja”, shprehet Shemsije Asllanaj, e cila në vjeshtë ishte pjesë e Universitetit AAB me të cilin synon ta përsërisë suksesin që e ka arritur me skuadrën e Prishtinës.
Ajo thotë se i pëlqen thënia e përmendur shpesh se “ku është Shema aty janë kupat”, dhe shpreson se në pjesën pranverore skuadra e saj do të dëshmohet me cilësi, duke pritur rivalitet të denjë. “Skuadrat gjatë vjeshtës nuk po i japin shumë rëndësi kampionatit, por në pranverë atëherë kur vendoset për titull të gjithë po mobilizohen dhe po përforcohen dukshëm. Kështu pres të jetë edhe kësaj radhe dhe kjo do ta bëj edicionin më joshës”, tha Asllanaj. /Zëri/Telegrafi/