Telegrafi

Askush nuk po e dëshiron Carmelo Anthonyn

Në 16 sezonet që kur u zgjodh si drafti i tretë në vitin 2003, Carmelo Anthony ka shënuar 25551 pikë në NBA, duke e bërë atë koshashënuesin e 19-të më të mirë të të gjitha kohërave.

Sidoqoftë, Melo luajti ndeshjen e fundit në basketbollin amerikan më 8 nëntor të vitit të kaluar. Që atëherë, asnjë nga 30 klubet amerikane nuk ka treguar interes për ta transferuar lojtarin.

Ai është zyrtarisht pa klub që nga 1 shkurti pasi e liroi Houston Rockets, e cila bëri “trade” me Chicago Bullsin.

Pak a shumë të gjithë lojtarët e rëndësishëm kanë gjetur një shtëpi të re këtë verë, por jo edhe 35-vjeçari.

“Ai është akoma më i mirë se 60-70 për qind e lojtarëve të NBA. Melo thjesht dëshiron një sezon lamtumirës në mënyrë që të mund të bëjë të njëjtën gjë si Dwyane Wade, të shkëmbejë fanellat”, tha Chris Brickley, trajneri që e ndihmon Melon të qëndrojë në formë gjersa është pa klub.

Ndryshe, Anthony në të kaluarën ka luajtur ka luajtur edhe për Oklahoman, New Yorkun e Denverin gjersa ka qenë dhjetë herë pjesëmarrës në ndeshjet e NBA All-Star. /Telegrafi/