Këto ditë trupa artistike e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit ka nisur provat për operën “La Boheme” të Jacopo Puçini-it. Vepra do të dirigjohet nga artisti italian Jacopo Sipari.
“Në Itali situata është shumë e vështirë, sidomos në këtë periudhë. Kam përshtypjen se 2020-ta është një vit që sjell nevojën e emergjencave të ndryshme, sepse askush nuk beson më në art, askush nuk beson më në muzikë. Mendoj se ka humbur koncepti, se përse njerëzit duhet që ta shikojnë një koncert apo një operë. Mendoj se është e qartë që tani nëse duan që të dëgjojnë një regjistrim të mirë, blejnë një disk të Pavarotti-t, edhe e përjetojnë ‘La Bohemen’ në mënyrën më të mirë. Por, muzika është tjetër, muzika duhet të jetë një manifestim që përjetohet vërtetë. Që njerëzit gjejnë veten edhe vinë për të përjetuar emocione të jashtëzakonshme nga një arie. Edhe ne e kemi këtë përgjegjësi. Mendoj se në 2020-n ne muzikantët, artistët kemi mundësinë që të ndalim kohën edhe t’i mbajmë njerëzit të ulur për të dëgjuar dy orë, t’u dhurojmë emocione të forta, që kur të kthehemi në shtëpi, të jenë mbase më të lumtur sesa kur vijnë në teatër”, thotë muzikanti.
Sa i përket faktit që sot shpeshherë artistët përmes artit të tyre duhet edhe të jetojnë, ai e konsideron këtë diçka të jashtëzakonshme.
“Janë akoma shumë persona që besojnë në këtë punë, dhe besojnë se kjo punë mund të jetë edhe burim për jetën e tyre. Për ne artistët, muzikantët nuk ka një distancë midis jetës reale edhe punës sonë. Sepse, muzika është jeta jonë”, shton ai.
Opera “La Boheme” do të ngjitet në skenën e Pallatit të Kongreseve në datat 13, 15 dhe 16 mars. /Report TV/