Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) sot do të publikojë rezultatet e para përfundimtare të Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave (ReKos 2024).
Me këtë rast, ASK-ja organizon një konferencë me fillim në ora 10:00.
“Të dhënat e para përfundimtare do të përfshijnë numrin e popullsisë sipas gjinisë në nivel të komunave përfshirë trendët më të fundit demografike. Ndërkaq, gjatë vitit 2025 do të publikohen edhe 25 raporte të tjera tematike”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, projekti i Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave (ReKos2024) u realizua nga 05 prill deri më 24 maj 2024.
E pas përfundimit të procesit të regjistrimit, ASK kishte publikuar rezultatet paraprake të Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave (ReKos 2024).
Sipas rezultateve paraprake, numri i popullsisë i regjistruar në Kosovë, ku nuk përfshihet diaspora është 1,586,659 banorë rezidentë. 795,046 meshkuj dhe 791,614 femra.
Nga gjithsej 38 komuna të Kosovës, nëntë prej tyre kishin rritje të popullsisë, ndërkaq në 29 tjera ka pasur rënie.
Komunat ku ka pasur rritje janë: Fushë Kosovë, Partesh, Shtërpcë, Graçanicë, Kllokat, Prishtinë, Obiliq, Mamush dhe Ferizaj.
Komunat veriore kanë bojkotuar regjistrimin. /Telegrafi/