Site icon Telegrafi

ASK: Përshkallëzimi i TVSH-së ka ulur koston e jetesës

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK) për muajin shtator 2015.

Indeksi i harmonizuar i tërësishëm i çmimeve të konsumit në Kosovë pësoi rënie për -0,3% në muajin shtator 2015 krahasuar me muajin gusht 2015. Ndërsa shkalla e inflacionit (deflacionit) e matur në muajin shtator 2015 me muajin shtator 2014 ishte -1,2%.

“Aplikimi i vendimit të Qeverisë Nr. 02/20, të datës 24.03.2015, për ndryshimin e TVSH-së, Ligji Nr. 05/L-037 për tatimin mbi vlerën e shtuar të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës më datë 22.07.2015, i shpallur në pajtim me Nenin 80.5 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës më datë 12.08.2015 i fuqizuar prej 1 shtator 2015 (shih faqen 16), për përshkallëzimin e TVSH-së prej 1 shtatorit 2015, ka ndikuar në masë prej -0.4% në koston e jetesës në muajin shtator, krahasuar me muajin gusht 2015”, theksohet në njoftimin për media të ASK-së, transmeton Koha.net.

Indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit, sipas këtij njoftimi për media të ASK-së, pësoi rënie për -0,3% në muajin shtator 2015, krahasuar me muajin gusht 2015. Rënie e indeksit të harmonizuar të çmimeve të konsumit vërehet te nëngrupet: buka dhe drithërat -1,9%, pemët -6,7%, furnizimi me ujë dhe shërbimet e ndryshme që kanë të bëjnë me vendbanimin -6,3%, rryma, gazi dhe lëndë djegëse të tjera -3,4%, përdorimi i pajisjeve për transportin personal -3,4% (rënie e çmimit të benzinës dhe naftës për -4,1%), shërbimet për transport -5,8% (rënie e çmimit të biletave me aeroplan) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej -1,0% për qind në IHÇK.

“Rënia u neutralizua kryesisht nga ngritja e indeksit të harmonizuar të çmimeve të konsumit te nëngrupet: qumështi, djathi dhe vezët 2,0% (ngritje e çmimit të vezëve),perimet 3,2%, mallrat dhe shërbimet për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake 1,2%, prodhimet dhe pajisjet mjekësore 2.4%, blerja e automjeteve 1,5%me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0,7% për qind në IHÇK”, theksohet në njoftim.

Sipas ASK-së, indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit pësoi rënie për -1,2% në muajin shtator 2015, krahasuar me muajin shtator 2014. Rënie e indeksit të harmonizuar të çmimeve të konsumit në këtë periudhë është vërejtur te nëngrupet: qumështi, djathi dhe vezët -1,7%, perimet -3,6%, furnizimi me ujë dhe shërbimet e ndryshme që kanë të bëjnë me vendbanimin -5,0%, rryma, gazi dhe lëndë djegëse të tjera -2,5%, përdorimi i pajisjeve për transportin personal -13,8% (rënie e çmimit të benzinës dhe naftës për-15,7%, arsimi i lartë -28.1%, shërbimet dhe strehimi i studentëve -15,7%, me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej -2,3 për qind në IHÇK.

ASK thekson se rënia u neutralizua kryesisht nga ngritja e indeksit të harmonizuar të çmimeve të konsumit te nëngrupet: mishi 1,8%, vajrat dhe yndyrat 6,0%, pijet alkoolike 12,2%, duhani 9,7%, mallrat dhe shërbimet për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake 2,5%, prodhimet dhe pajisjet mjekësore 3,2%,me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 1,1 për qind në IHÇK. /Telegrafi/

Exit mobile version