Site icon Telegrafi

ASK: Bien çmimet e inputeve bujqësore

Sipas të dhënave të prezantuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) në raportin ‘Indeksi i Çmimeve të Inputeve dhe Çmimet në Bujqësi, periudha 2015-2017’, gjatë kësaj periudhe ky indeks ka rënë për 1.1 për qind, shkruan Telegrafi.

Në vitin 2017, ky indeks ka rënë për 2.8 për qind për ‘Input 1’, krahasuar me periudhën e njëjtë të viti 2016, ndërsa indeksi për ‘Input 2’ ka rritje për 1 për qind ndërmjet viteve 2017 dhe 2016. Indeksi i inputit të përgjithshëm ‘Input 1 + Input 2’ ka rënie për 1.1 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2016.

Ndërsa, indeksi vjetor për vitin 2017, ka rënie për 4.6 për qind për ‘Input 1’, krahasuar me vitin 2015, kurse indeksi për ‘Input 2’ ka rritje për 3.2 për qind ndërmjet viteve 2015 dhe 2017. Indeksi i inputit të përgjithshëm ‘Input 1 + Input 2’ ka rënie për 1.1 për qind, krahasuar me vitin 2015.

Produktet, të cilat e përbëjnë bazën për Indeksin e Çmimit të Inputeve janë të ndara në dy grupe kryesore. Mallrat dhe shërbimet aktualisht të konsumuara në bujqësi (Input 1) dhe Mallrat dhe shërbimet që kontribuojnë në investimet në bujqësi (Input 2). Brenda grupit të Mallrave dhe shërbimeve aktualisht të konsumuara në bujqësi, çmimet grumbullohen sipas grupeve në vijim: farëra dhe material mbëltues, energji; vajra, plehra dhe përmirësues të tokës, produkte për mbrojtjen e bimëve dhe pesticide, shpenzime për veterinari, lëndë për ushqimin e kafshëve, mirëmbajtje e materialeve, mirëmbajtje e ndërtesave, si dhe mallra dhe shërbime të tjera. Sa i përket mallrave dhe shërbimeve që kontribuojnë në investimet bujqësore, çmimet grumbullohen për materiale (makineri dhe pajisje të tjera), ndërtesat dhe të tjera (ndërtesat jo-rezidente të fermës, punët tjera përveç përmirësimit të tokës).

Publikimi është i bazuar në çmimet e inputeve bujqësore të grumbulluara në Kosovë. Grumbullimi i çmimeve është kryer në barnatoret bujqësore, farmacitë veterinare, në kompani, tregje dhe në vende të tjera, ku çmimet e inputeve bujqësore janë në dispozicion. Disa çmime të inputeve bujqësore janë marrë nga çmimet e konsumit (IHÇK) në ASK. /Telegrafi/

Exit mobile version