“Do të vijë një kohë kur ju shqiptarët patjetër do të fitoni dhe do ta realizoni ndarjen nga Serbia, por mbajeni në mend përherë se, sa herë që do të jetojë në Prizren vetëm edhe një serb, aty patjetër do të valojë flamuri i Serbisë si dhe kisha jonë do të jetë dominante”.
“Çika (baca) Kosta” na kishte qenë diku një serb, i cili pas Luftës së Parë Botërore, i mbetur si një ushtar i “krajlit”, fati i jetës ia ka diktuar që të mbetet përherë në Prizren, duke punuar kështu deri në fund si çoban (bari me dele). Edhe pse publikisht i deklaruar dhe krenar me shovinizmin e tij të papërmirësueshëm antishqiptar, meqë nuk e konsideronin si të rrezikshëm në veprim, qytetarët e kësaj ane, këtë far “çika Kostën”, e njihnin mirë dhe nuk ia merrnin seriozisht bindjet politike dhe fjalët e tija paralajmëruese për të ardhmen, andaj edhe shoqëroheshin shpesh me të me qëllim që të bënin shaka. Sipas një kallëzimi të disa bashkëqytetarëve të mi më të moshuar, një herë “çika Kosta” kishte profetizuar kështu: “Do të vijë një kohë kur ju shqiptarët patjetër do të fitoni dhe do ta realizoni ndarjen nga Serbia, por mbajeni në mend përherë se, sa herë që do të jetojë në Prizren vetëm edhe një serb, aty patjetër do të valojë flamuri i Serbisë si dhe kisha jonë do të jetë dominante”.
Dhe…kjo kohë mbase erdhi! Pas sa e sa viteve të kaluara, profetësia e “çika Kostës” u realizua në përpikëri! Edhe pse sot në Prizren jetojnë vetëm disa serbë, për valimin e lirë të flamurit të tyre, nuk ka fare dilema. Kjo e drejtë e pacenueshme u garantohet që nga dispozitat e Kornizës Kushtetuese të Kosovës së pasluftës, si dhe së fundi, me Kushtetutën më “demokratike në botë” të Republikës së Kosovës.
Por, në fillim dukej se nga ai parashikim politik i “çika Kostës”, sikur diçka mbetet si e parealizuar në tërësi. Premisa tjetër rreth dominimit të Kishës Ortodokse Serbe në Prizren? Por kjo mangësi sikur nuk zgjati shumë. Dhe, ja që, edhe pas nënshkrimit të peticionit nga ana e mbi 10.000 qytetarëve të Prizrenit, reagimit të fuqishëm të subjekteve politike qendrore dhe lokale, organizatave komunale joqeveritare, intelektualeve të ndryshëm të pavarur…etj, falë këmbëngulësisë së pakuptimtë të vetë Hashim Thaçit si kryeministër, deputetëve servilë të nënshtruar pa kompromis ndaj autoritetit të tij, si dhe të përkrahur pa rezervë nga të gjithë deputetët turq dhe boshnjakë prizrenas, në Parlamentin e Kosovës u aprovua ai ligj famëkeq për “Qendrën historike të Prizrenit”.
Ligji në fjalë, nga njëra anë, kaloi në legjislativ! E nga ana tjetër, u realizua edhe gjysma tjetër e profecisë së “çika Kostës”…
Se cili do të jetë “falënderimi” për këtë mospërfillje të vullnetit të qytetarëve, të cilën bashkëqytetarët e mi ia kanë përgatitur Hashim Thaçit dhe partisë së tij në pushtet, këtë mrekulli ata do ta kenë rastin ta shohin dhe përjetojnë tek në zgjedhjet e ardhshme nacionale dhe lokale që do të mbahen shumë shpejtë në Kosovë.
Ndërsa deputetët minoritarë turq dhe boshnjakq me bazë deleguese nga Prizreni, që kanë “ngre gisht” ta votojnë këtë ligj diskriminues për qytetin e tyre, shumë shpejtë do të gjenden të demaskuar para altarit të turpit (nëse vërtet e dinë se çka është turpi).
A thua, po na kthehen përsëri…?!
Cilido zyrtar i lartë i Republikës së Serbisë që i ka ra hise ta vizitojë Prizrenin, me suitat e tyre përplot truproje dhe të stërmbushur nga kamera televizive, patjetër kanë pasur si obligim të duken sikur shëtisin nëpër qytet dhe gjatë kësaj shëtitje të shkurtë, janë ndalur të freskohen duke pirë ujë në Shatërvanin e lashtë në qendër të qytetit.
Së fundi, tash e një vit më parë, këtë veprim obligativ protokollar e bëri edhe Lideri i Partisë Socialiste të Serbisë (SPS) dhe njëherit ministër i Punëve të Brendshme, Ivica Dacic, i cili, atëbotë, na kishte ardhur për të marrë pjesë në ceremoninë e shugurimit të peshkopit të Kishës Ortodokse Serbe për Rashkë dhe Prizren, Peshkopit Teodosije, që u mbajt në kishën e “Shën Gjergjit” në Prizren.
Rituali i shëtitjes nëpër qytet dhe ndalesa kinse spontane për të pirë ujë në SHATËRVANIN e vjetër të Prizrenit, në shikim të parë, nuk do të thotë asgjë, por ata që e njohin traditën prizrenase, e dinë mirë se, kjo besëtytni simbolike, ka një domethënie të fuqishme si porosi: Në Prizren tradicionalisht thuhet se, “kush një herë vjen këtu dhe pi ujë në Shatërvanin e lashtë, ai patjetër do të kthehet përsëri aty”?
Kjo mesele, mbase s’do koment, apo!