Pas akuzave të Lëvizjes Besa se kryetari i Gostivarit dhe nënkryetari i BDI-së, Nevzat Bejta punon për OBRM-PDUKM-në, ka ardhur edhe reagimi i Bejtës i cili pyet mes tjerash ”Besa i është dhënë OBRM-PDUKM-së në nivel qendror dhe lokal”
Në reagimin e drejtuar Telegrafit në Maqedoni thuhet ”Deri tani jam shprehur hapur dhe publikisht për koalicionin qeverisës me partinë LSDM në interes të gjithë Maqedonisë e në veçanti të popullit tonë. Unë jam shprehur edhe më hapur për mendimet e mia kundër Gruevskit. Lëvizja pa Besë të flasë hapur se ku i ka interesat që sulmon kundërshtarët e Gruevskit, si unë?. Mos Besa i është dhënë Gruevskit si në nivel qendror edhe lokal ? Asgjë nuk mund të shpjegohet ndryshe.Si kryetar komune kam punuar dhe vazhdoj të punoj në të mirë të qytetit dhe qytetarëve të Gostivarit pa dallim të përkatësisë etnike dhe fetare. Në fund të mandatit është krenari të konstatoj që kemi realizuar mbi 90 % të programit parazgjedhor duke investuar në çdo vendbanim të Komunës së Gostivarit”, thuhet në reagimin e Kryetarit të komunës së Gostivarit Nevzat Bejta.
Përndryshe, gjatë ditës ka pasur edhe sulme të ndërsjella mes dy partive. /Telegrafi/