Site icon Telegrafi

ASHMDHP bëhet pjesë e grupit të Berlinit

Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, është pjesë e përhershme e ‘’Grupit të Berlinit’’. Ky grup punues mbledh ekspertë të telekomunikimit, ligjor dhe të fushave teknike, të autoriteteve për mbrojtjen e të dhënave dhe akterëve tjerë nga sektori i telekomunikimit.

E përfaqësuar për herë të parë nga Jeton Arifi- Drejtor i Financave & Shërbimeve të Përgjithshme, Valon Kryeziu -Drejtor Ligjor dhe Shpend Reçica udhëheqës i Divizionit të Teknologjisë Informative, nga tani Agjencia si pjesë e këtij formacioni ka për të dhënë kontributin e saj në draftimin e platformave për fusha të caktuara në kuadër të mbrojtjes së të dhënave në telekomunikime.

“Grupi Punues Ndërkombëtar për Mbrojtjen e të Dhënave në Telekomunikime është themeluar në 1983 në Konferencën Ndërkombëtare të Komisionarëve të Privatësisë dhe Mbrojtjes së të Dhënave. Autoriteti për Mbrojtjen e të Dhënave i Berlinit është në krye të sekretariatit të këtij grupi punues, i cili njihet edhe si Grupi i Berlinit.
Ky grup punues mbledh ekspertë të telekomunikimit, ligjor dhe të fushave teknike, të autoriteteve për mbrojtjen e të dhënave dhe akterëve tjerë nga sektori i telekomunikimit. Takimet mbahen dy herë në vit, njëri në Berlin dhe tjetri nga një anëtar që shprehë gatishmëri për ta organizuar atë. Që nga themelimi, Grupi i Berlinit ka miratuar shumë dokument dhe rezoluta që synojnë tërheqjen e vëmendjes për mbrojtjes e të dhënave në sektorët e telekomunikimit dhe në internet. Këta dokument, edhe pse nuk janë të natyrës detyruese, frymëzojnë autoritetet tjera të mbrojtjes së të dhënave, siç është Grupi Punues i dalë nga Neni 29, dhe inkurajojnë Komisionin e Privatësisë që të reflektojë me rastin e kryerjes së detyrave të përditshme, në cilësinë e këshilluesit dhe kujdestarit të privatësisë”, thuhet në njoftimin për media.

Vlenë të theksohet se Këshilli i Agjencisë pati bërë përpjekje të vazhdueshme gjatë viteve të fundit për t’u bërë pjesë e Grupit të Berlinit, por organizatorët nga Autoriteti homolog i Berlinit nuk patën kthyer përgjigje afirmative. Sidoqoftë, pas shkresës së dërguar organizatorit dy muaj më parë nga Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë, Bujar Sadiku, anëtarët e këtij forumi konfirmuan pranimin e autoritetit tonë si pjesë e përhershme e këtij grupi punues për të dhënë kontributin e saj në draftimin e platformave për fusha të caktuara në kuadër të mbrojtjes së të dhënave në telekmunikime./Telegrafi/

Exit mobile version