Telegrafi

ASHMAA ka vërejtje për raportimin e RTVM-së më 27 prill

Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audio-vizuale (ASHMAA), i bën thirrje Këshillit Programik të Radio Televizionit të Maqedonisë (RTVM), si organ që ka detyrë të mbroj interesat e publikut në drejtim të programit dhe të gjitha përmbajtjeve që transmeton Shërbimi Publik, të rishikojë raportimin e RTVM-së në lidhje me ngjarjet në Kuvendin e Maqedonisë, më 27 prill 2017, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Nga ASHMAA theksojnë se Këshilli i Programit si organ kompetent duhet të ndjek raportimin e RTVM-së në lidhje me ngjarjet me interes publik. Ata thonë se duhet të:

– sigurohet raportim i vërtetë, i plotë, i drejtë dhe në kohë për gjithë ngjarjet politike në Maqedoni,
– të promovohet kultura e dialogut publik dhe të mundësohet arenë për debat publik për çështjet me interes publik,
– të sigurohen informacione gjithpërfshirëse dhe të njëjtat të prezantohen qartë, në mënyrë që qytetarët të mund lirisht të formojnë mendimin e tyre.

ASHMAA thekson se një thirrje e këtillë vjen për shkak që Shërbimi Publik nuk ka siguruar informim në kohë për ngjarjet në Kuvend dhe nuk janë organizuar programe aktuale në të cilat do të debatohej për këto ngjarje politike./Telegrafi/