Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit ka reaguar ndaj akuzave të BDI-së në lidhje me borxhin e Komunës së Gostivarit. Nga kjo parti thonë se komunat e udhëhequra nga VLEN, përfshirë edhe Komunën e Gostivarit, ishin për një kohë të gjatë nën presionin e vazhdueshëm të ish-pushtetit qendrorë të udhëhequr nga BDI.
“Kjo nuk ishte gjë tjetër përveç një përpjekje e organizuar për të krijuar perceptim të rremë, sikur këto komuna nuk po funksiononin si duhet. Por tani, situata ka ndryshuar rrënjësisht në dëm të BDI-së, e cila tani ndodhet në opozitë, ndërsa në favor të qytetarëve”.
“Komuna e Gostivarit ka qenë gjithmonë pararojë e ndryshimeve, duke marrë vendime të guximshme dhe duke përballuar sfida të mëdha. Këto ndryshime kanë ardhur përmes përpjekjeve të jashtëzakonshme dhe sakrificave të shumta. Në këtë kontekst, është e rëndësishme të përmendet figura e Valdet Xhaferit, si një nga kuadrot e BDI-së”.
“Gostivarasit, banorët e Laskarcës dhe e gjithë shoqëria, vazhdojnë të bëjnë pyetjen e madhe: a ka luajtur Valdet Xhaferi, si ish-drejtor i Byrosë për ekspertizë gjyqësore, një rol të fshehur në vonesën e trajtimit të rastit tragjik të Laskarcës? A ishte kjo një përpjekje për të lehtësuar situatën për të akuzuarit? Kjo është një çështje që nuk mund të heshtet dhe që meriton një përgjigje të drejtë dhe të hapur!”, thonë nga ASH e Taravarit.
Gjithashtu më tej theksojnë se në kuadër të thirrjes publike prej 100 milionë euro deri në vitin 2024, të shpallur nga Qeveria përmes Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale, Komuna e Gostivarit po përgatit një sërë projektesh të rëndësishme që synojnë të përmirësojnë jetën e përditshme të qytetarëve.
“Këto projekte do të sjellin investime të reja, përmirësime infrastrukturore dhe shërbime publike më efikase për të gjithë. Sidoqoftë, Komuna e Gostivarit përballet aktualisht me një borxh prej 556.839.788 denarë, ndërkohë që qytetarët dhe bizneset i detyrohen komunës 289.549.396 denarë. Pavarësisht këtyre sfidave financiare, komuna ka treguar një mirëkuptim të madh gjatë pandemisë dhe krizës energjetike, duke mbështetur borxhlinjtë e saj”.
“Për t’u përballur me këto vështirësi, po punohet për rritjen e bazës tatimore përmes rivlerësimit të pronave, si dhe është planifikuar aplikimi për obligacione përmes Ministrisë së Financave. Për më tepër, Ministria e Arsimit do të shlyejë borxhet e saj, ndërsa në bashkëpunim me UNDP po krijohet një sistem inovativ online për pagesën e taksave”, thuhet në reagim.