Policia e Shtetit vijon aksionet kundër kultivimit të hashashit në zona të ndryshme të Shqipërisë dhe në orët e fundit ka asgjësuar mbi 55 mijë rrënjë të bimës narkotike në disa operacione të ndërmarra në Vlorë, Memaliaj, Dibër dhe Këlcyrë.
Pjesa më e madhe e bimëve janë asgjësuar në Buz dhe Luftinjë të Memaliajt, ku janë identifikuar dhe më pas shkatërruar përmes djegies 45 parcela me në total 38 mijë bimë narkotike.
Në Vlorë policia thotë se ka asgjësuar rreth 12 mijë bimë në disa operacione të kryera në zonat e thella të rrethit. Aksionet janë ndërmarrë në fshatrat Kuç, Sevaster dhe Kardhikaq, ku bima narkotike ishte kultivuar në toka pa pronar.
Në Dibër, në vendin e quajtur Balgja të njësisë Selishtë janë identifikuar në një zonë të pyllëzuar rreth 4800 bimë, të cilat janë asgjësuar me anë të djegies nga efektivët e Komisaritatit të Dibrës.
Operacione antikanabis janë zhvilluar edhe në Sukë, Ballaban dhe Dishnicë në Këlcyrë, ku janë gjetur 5 parcela me rreth 500 bimë, që u asgjësuan me anë të djegies.
Në të katër rastet policia thotë se po punon për identifikimin e autorëve të kultivimit. /Telegrafi/