Telegrafi

Asgjë më pak se pavarësi nuk do të jetë e pranueshme për palën kosovare

Drejtori i zyrës për informim të qeverisë, Bedri Gashi tha se Qeveria e Kosovës ka shprehur qëndrimin se nuk do të dialogohet për asnjë segment që lidhet me statusin e Kosovës, ndërsa sipas tij, mund të bisedohet për çështjet që tejkalojnë parimet e pathyeshme se "pavarësia është e panegociueshme".

"Kryeministri Çeku e ka njoftuar kabinetin e tij qeveritar për qëndrimin e përbashkët të institucioneve të Kosovës se asgjë që ofrohet më pak se pavarësi nuk do të jetë e pranueshme për palën kosovare, por është e pranueshme që të flitet për çështjet që shkojnë përtej bërjes së shtetit të Kosovës", tha Gashi.

Sipas tij, kabineti qeveritar ka shqyrtuar edhe ecurinë për procedimin e ligjeve që është objekt thelbësor i Qeverisë. Ai tha se është kërkuar që ekzekutivi deri në fund të mandatit t’i procedojë Kuvendit të gjitha ligjet bazike që dalin nga Pakoja e Ahtisaarit.

"Është kërkuar që Kuvendi t’i shqyrtojë edhe aktet e tjera madhore për Kosovën siç është Kushtetuta dhe Ligji për simbolet", tha Gashi. /qik/