Site icon Telegrafi

Asgjë e re nga “Wikileaks”

Në fund të vitit të kaluar, kur dolën materialet e para të “Wikileaks” dhe u tha se do të botoheshin të dhëna që kanë lidhje edhe me Shqipërinë, natyrisht opinioni publik priste me padurim që të vinte ky moment për të mësuar të vërtetën mbi shumë fakte apo informacione që me rrugë të tjera kurrë nuk do t’i kishin marrë vesh.

Tashmë, ka disa kohë që mediat shqiptare po publikojnë materialet sekrete në formë kabllogramesh të dërguara nga ambasada amerikane. Kurioziteti për t’i mësuar se çfarë shkruajnë ato ka qenë dhe është tepër i madh. Ashtu si në botë mendohej se këto publikime do të sillnin ndryshime në gjeopolitikën globale, edhe në Shqipëri mendohej se do të shkaktonin një tërmet politik duke publikuar skandale apo mashtrime politike.

Me kalimin e ditëve po bëhen të shumta kabllogramet e publikuara, ndërkohë që kurioziteti për to sa vjen e po ulet. Çfarë na informoi “Wikileaks”? Tërë ajo zhurmë mediatike rreth këtij spiunazhi informativ duket se po shuhet gjithnjë e më shumë. Cilat ishin të rejat që publiku u vu në dijeni? Që ish-ministri Pango u shkarkua pas një skandali?

Që plasi Gërdeci apo që Hillary Clinton i kërkoi Kryeministrit të Katarrit të njihnin pavarësinë e Kosovës në këmbim të anëtarësimit të këtij vendi në FMN? Apo që Jozefina Topalli ishte nga Shkodra dhe rridhte nga një familje e persekutuar? Shumica e tyre ishin gjëra që diheshin e që nuk përbëjnë asgjë të re për shqiptarët. Pjesa tjetër, nëse nuk diheshin, të gjithë i mendonin.

E reja e vetme ishte përmbledhja e bërë nga ambasadori amerikan, i cili u referohej ngjarjeve dhe informacioneve që në shumicën e rasteve i vinin nga shtypi i përditshëm. Që të gjitha mësuam sesi ngjarjet shqiptare politike apo jo qofshin përmblidheshin nga ambasadori dhe zyra e shtypit e tij, ashtu si bën çdo zyrë shtypi në varësi të të institucionit që i përket. Deri diku paradoksale duke menduar sesa shumë u trumbetua nga vetë siti “Wikileaks”, por dhe nga mediat tona.

Kujtoj se gjatë presidencës së Moisiut, në Tiranë mbërriti një raport i cilësuar tepër sekret nga Europa, ku jepeshin detaje për korrupsion në Shqipëri, për lidhje të politikanëve në afera dhe me njerëz të dyshimtë. Përmbante emra, të dhëna dhe opinione që tronditën disa nga institucionet. Nga mediat u publikua vetëm një përmbledhje e këtij materiali e bërë nga dikush në një zyrë shteti, por jo të dhënat e hollësishme. Ai materiali nëse do të bëhej publik do të kishte ndryshuar skenën politike shqiptare.

Asgjë e ngjashme me materialet e kabllogrameve të cilat duken si thashetheme më shumë sesa lajme. Janë materiale që gjenden në të gjitha zyrat e ambasadave apo ministrive të vendeve përkatëse. Ka qenë gjithmonë.

Dikur mbushin kartelat dhe dollapët e arkivave sot ruhen nëpër servera kompjuterikë. Edhe më naivi e di se ato ekzistojnë, derisa ambasadat nuk janë institucione klimaterikë. Pa diskutim do të ishte më interesante të lexoheshin kabllogramet e kundërta, ato që vinin nga Departamenti i Shtetit nëse ka të tilla e nëse shprehej për politikën shqiptare. Por e tërë kjo zhurmë për të lexuar letrat e Withersit?!

Por ka edhe një anë tjetër etike. A duhet publikuar çdo material që përbën sekret? A ka rrezik për shoqërinë apo për individin? Nëse ekziston ky rrezik, a duhet që të bëhet publik për hir të transparencës dhe të informimit?

Më kujtohet letërkëmbimi i Presidentit amerikan, Kenedi me Hrushovin, në kohën e krizës së Kubës, kur bota rrezikonte të shpërthente në një luftë bërthamore. Materialet u bënë publike nëpër tekstet e historisë vetëm pas përfundimit të Luftës së Ftohtë. Nëse “Wikileaks” do të kishte ekzistuar atëherë dhe do të vepronte si sot, jo vetëm amerikanët, por njerëzimi do të terrorizohej e do të futej në një panik që mund të kishte pasoja të paparashikueshme.

Ndaj dhe jo çdo material sekret duhet bërë publik në emër të së drejtës së informimit. Siguria e shoqërisë, por edhe ajo e një individi të vetëm është më e rëndësishme. Kjo transparencë e sforcuar dhe e detyruar është analoge me detyrimin për të bërë publike mendimet dhe opinionet personale.

Dikush e mbron “Wikileaks” në emër të së drejtës universale të të shprehurit të fjalës dhe mendimit me çdo mjet informimi, përfshirë internetin. Por sa është vërtet kjo e drejtë aq është edhe e drejta e mosshprehjes së mendimit dhe opinionit. Liria është të shprehësh ato që do dhe të mos shprehësh atë që nuk do.

Ndaj dhe tashmë gjithçka po shkrin si flluskë sapuni kur kuptohet se nuk ka fakte të reja, por përmbledhje informacionesh të përpunuara. Këto të publikuara deri tani lënë vend për shumë skepticizëm për rëndësinë reale të tyre, por që vazhdojnë të ushqejnë gazetarinë spektakël.

(Marrë nga Shqip)

Exit mobile version