Senatorët amerikanë e kritikuan administratën e presidentit Donald Trump për mospublikimin e informacioneve të reja rreth vrasjes së gazetarit saudit, Jamal Khashoggi.
Ligjvënësit ndoqën një seancë me dyer të mbyllura për të dëgjuar se çfarë po bën Shtëpia e Bardhë në lidhje me vrasjen e Khashoggit, i cili ka qenë banor i SHBA-së.
Senatori republikan, Marco Rubio, u tha gazetarëve se nuk ka mësuar asgjë të re.
“Senatit do t’i duhet të vendosë për sanksionet kundër Qeverisë së Arabisë Saudite”, tha ai.
Khashoggi është vrarë në konsullatën saudite në Stamboll, tetorin e kaluar, nga agjentët sauditë.
Ka pasur dyshime se princi saudit i kurorës, Mohammad Bin Salman, ka dhënë urdhrin për vrasje, por Qeveria saudite e ka mohuar një gjë të tillë.
Ligjvënësit amerikanë kanë kërkuar nga Trump që të urdhërojë një hetim për vrasjen e Khashoggit, por Shtëpia e Bardhë nuk ka pranuar të paraqesë një raport para Kongresit, brenda një afati të caktuar muajin e kaluar.
Arabia Saudite është aleatja më e ngushtë e SHBA-së në rajon.
Trump e ka përshkruar atë si një “aleat jetësor” dhe i ka kundërshtuar thirrjet për sanksione kundër udhëheqjes së mbretërisë, për shkak të vrasjes së Khashoggit./rel/