Ka më shumë se një muaj që kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, kishte paralajmëruar një ofertë serioze për opozitën, e cila do ta nxirrte vendin nga kriza, por edhe kaq kohë më pas asnjë hap konkret – të paktën publikisht – nuk është bërë nga vet ai. Madje, për partitë në pushtet duket që zgjedhja e presidentit të ketë qenë edhe prioriteti kryesor i tyre.
Që prej ditës kur Hashim Thaçi është betuar si president i Republikës, nuk është thirrur më asnjë seancë plenare dhe nuk është mbledhur as Kryesia e Kuvendit.
Albert Krasniqi nga KDI-ja, që e monitoron punën e Kuvendit, ka thënë se që nga fillimi i vitit janë mbajtur vetëm shtatë seanca plenare, përfshirë edhe atë të zgjedhjes së presidentit.
Ai habitet me faktin se si në kohën kur opozita bllokonte seancat me gaz lotsjellës, kishte insistim të pushtetit që ato të mbaheshin e kur opozita është tërhequr, ata kanë rënë në qetësi.
AAK-ja dhe Nisma vazhdojnë të deklarojnë se nuk do të marrin pjesë në seanca për këtë mandat e Vetëvendosje do ta vlerësojë seancë më seancë.