Site icon Telegrafi

Asfaltohet rruga për lagjen Kodrali në Kërkavasari

Ka përfunduar asfaltimi i rrugës për lagjen “Kodrali”, në fshatin Kërvasari të Malishevës. Asfaltimi i kësaj rruge, është njëra prej investimeve më me rëndësi për banorët e kësaj por edhe të vet Komunës së Malishevës, për shkak të lidhjes së kësaj lagje, me fshatin dhe me qendrën komunale. Kjo lagje ka qenë tërësisht e shkëputur nga fshati, për shkak të konfiguracionit të terrenit.

Punimet në rrugë sot i kanë inspektuar edhe kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj dhe drejtori i urbanizimit, Skënder Rrahmanaj. “Vetëm ta mendosh rregullimin e kësaj rruge, ka qenë shumë e vështirë, por sot jam shumë i kënaqur, që pas shumë përpjekjeve kemi arritur ta hapim këtë rrugë dhe sot ta asfaltojmë”, tha kryetari gjatë inspektimit të punimeve në këtë rrugë.

Kjo lagje është afër dy kilometra larg fshatit, ndërsa për të shkuar në fshat, u janë dashur më shumë se dhjetë kilometra rrugë, një pjesë rrugë mali, për të dalë fshatra tjerë, në mënyrë që të shkojnë në fshatin e tyre, ose detyroheshin të ecnin vetëm në këmbë, që shpeshherë, në mot me të reshura, nuk kanë mundur ta kalojnë e përroskën që i ndanë nga fshati.

Por më vështirë nga të gjithë, e kanë pasur nxënësit, të cilët jo vetëm që janë rrezikuar gjatë kalimit të përroskës, po në shumë raste nuk kanë mundur të vijojnë mësimin, sidomos në mot me borë, pasi është dashur të ecnin nëpër mal.

Pas shumë përpjekjeve të komunës, është bërë e mundur hapja e rrugës e cila e lidh lagjen me fshatin dhe sot ka përfunduar pjesa më e madhe rregullimit të saj.
Kjo rrugë është punuar në dy faza, ku faza e parë ka qenë hapja, ndërsa faza e dytë, ishte asfaltimi i saj. Rruga e gjatë dy kilometra është asfaltuar 1.6 kilometra, ndërsa pjesa tjetër është duke u shtruar me kubëza. Faza e dytë e kësaj rruge, buxhetit të Komunës së Malishevës, i kushtuar 68 mijë euro.

Hapja dhe rregullimi i rrugës, ju ka bërë më të lehtë jetën e banorëve të kësaj lagjeje, të cilët e kanë falënderuar Komunën e Malishevës dhe kryetarin Ragip Begaj, pasi, sipas tyre, “tani mund të lëvizin pa problem, nuk kanë nevojë të rrezikojnë kalimin e përroskës dhe fëmijët shumë më lehtë shkojnë në shkollë, por edhe në aspektin ekonomik, tani nuk bëjnë shpenzime për të shkuar në fshat dhe anasjelltas”. /Telegrafi/

Exit mobile version