Site icon Telegrafi

Asfalti i shembur në “Arbëri” të Prishtinës i pasanuar prej dy vjetësh

E shembur në shtator të vitit 2013, si pasojë e punimeve pa kritere të një kompanie private, rruga “Ekrem Rexha” në lagjen “Arbëria” të Prishtinës vazhdon të jetë e paasfaltuar.

Nga ajo kohë rruga është shtruar vetëm me zhavorr, por pos amortizimit që u bëhet automjeteve, sipas banorëve të ndërtesave, krijon shumë pluhur dhe zhurmë. Objekti që atëherë ishte shkaktar i shembjes së rrugës, ndërkaq qysh nga atëherë është në të njëjtën gjendje, pasi që Komuna nuk ka lejuar vazhdimin e punimeve. Shtyllat-pilot, që ishin shembur po ashtu, vazhdojnë të jenë të pandryshuara, ndonëse midis shiritit të shembur të asfaltit dhe pilotëve të shtrembër qëndron një llamarinë, e cila sadopak pamundëson gjendjen reale të ambientit aty.

“Nuk e di se si mund të ndodhë që nga viti 2013 të mos ndërtohet një rrugë”, ka thënë banori i lagjes Lum Osmani, derisa ka shtuar se problemi i shembjes të vetëm një shiriti është vetëm një pjesë e problemit. Sipas tij, problemi edhe më i madh është se nga qarkullimi po dëmtohet edhe shiriti tjetër i rrugës, shkruan sot Koha Ditore.

“Aq më keq që shembja është bërë në hyrje të objektit e shiriti i shpëtuar më 2013 tashmë ka marrë një dimension të ri të përdorimit, sidomos pasi ajo rrugë është lidhur me rrethin në hyrje të lagjes “Arbëria” dhe është e qarkullueshme në të dyja drejtimet”, ka thënë ai. Në lagje, paralel me rrugën “Ekrem Rexha”, qe shembur edhe një rrugë tjetër, kështu që, sipas banorëve, e ka dinamizuar qarkullimin edhe më shumë. Gjëja tjetër që i pengon banorët në këtë pjesë të kryeqytetit është edhe parkimi i automjeteve përgjatë objekteve të banimit /Telegrafi/

Exit mobile version