Banka Qendrore e Kosovës (BQK), ka njoftuar se Kosova pati performancë të mirë në sektorin bankar.
“Asetet e sektorit bankar shënuan rritje vjetore prej 7.0 për qind, duke arritur në 3.67 miliardë euro. Rritja e aseteve të sektorit bankar vazhdon të mbështetet kryesisht në përshpejtimin e rritjes së aktivitetit kreditues”, thuhet në raportin e BQK-së, për Vlerësimin tremujor të ekonomisë, transmeton RTKlive.
Sipas BQK-së, zgjerimi i aktivitetit kreditues të sektorit bankar vazhdon të mbështetet nga ecuria e depozitave, rritja e të cilave paraqet burimin kryesor të financimit të kreditimit në vend.
“Në qershor 2017, stoku i letrave me vlerë i sektorit bankar shënoi ngadalësim të rritjes në 1.4 për qind, nga 2.1 për qind sa ishte në vitin e kaluar. Ngadalësimi i rritjes në këtë kategori kryesisht i atribuohet rënies së investimeve në sektorin e jashtëm. Në qershor 2017, investimet në letrat me vlerë të qeverive të huaja shënuan rënie vjetore prej 7.1 për qind (10.1 për qind rritje në qershor 2016)”, thuhet në raportin e BQK-së, për Vlerësimin tremujor të ekonomisë. /Telegrafi/