Historiani Skender Asani, ka reaguar në lidhje me çështjen e ecurisë së marrëveshjes mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Ai thotë se Komisioni mes dy shteteve nuk duhej të niste punën me çështjet më të ndjeshme, siç është edhe prejardhja e Goce Dellçevit.
“Mendoj se kjo qasje do të jetë pengesë për procesin e mëtutjeshëm. Unë preferoj të krijohet një vizion krejtësisht i ri, pra këto dy komisione do të duhej të merreshin me çështjet që i bashkojnë, i afrojnë këto dy shtete dhe pastaj të merren edhe me çështjet më të ndjeshme”, shprehet Asani duke theksuar nevojën që në këtë komision të përfshihen edhe shqiptarët.
“Përfshirja e shqiptarëve do ta zbuste atë konceptin e përplasjes mes dy shteteve. Jam i bindur se sikur të kishte qenë një shqiptar në këto bisedime do ta relaksonte procesin dhe do t’i jepte kahe pozitive bisedimeve”, deklaron Asani.
Sipas tij, ky propozim lidhet me rolin dhe kontributin që kanë dhënë shqiptarët në luftën e kundër Perandorisë Osmane dhe krijimit të shtetit të parë maqedonas, më dy gusht të vitit 1903, që njihet si “Republika e Krushevës”, që kishte edhe qeverinë e saj më pjesëmarrje të barabartë në të, të maqedonasve, shqiptarëve dhe vllahëve.