Telegrafi

Asanaj-Rexhepi merren vesh

Më në fund, kreu i AKP-së, Dino Asanaj e ka marrë vesh se ku janë paratë e privatizimit. Është dashur që guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Hashim Rexhepi të shkojë në zyrën e tij dhe t’i tregojë pikë për pikë se ku i ka investuar BQK-ja rreth 400 milionë eurot e grumbulluara nga shitja e ndërmarrjeve shoqërore.

Në mbledhjen e fundit të Bordit të AKP-së, të dy i kanë sqaruar dilemat, pas shumë deklaratash dhe akuzave verbale qe patën për muaj të tërë.

Për këtë çështje, edhe shefi i ICO-së, Piter Feith, pati dhënë kontributin e tij përmes letrës që i pati dërguar javën e kaluar Dino Asanajt. Feith pati thënë se AKP-ja pa të drejtë po bënte presion mbi BQK-në, pasi që paratë me vendim të AKP-së ishin lënë në llogari rrjedhëse dhe kthimi në investim nga këto para për këtë arsye ishte i ulët.

Por, tani duket se të gjitha palët janë pajtuar. Hashim Rexhepi është zotuar që bashkë me Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave do të krijojë mekanizma financiarë që sa më parë këto mjete të kthehen në Kosovë, e Asanaj është bindur që të presë derisa këta mekanizma të krijohen.

Asanaj nuk e mohon se fajin për lënien e mjeteve në llogari rrjedhëse e ka AKP-ja, por thotë se kështu ka qenë që nga themelimi i kësaj agjencie në kohën e UNMIK’ut.

Për kthimin e këtij fondi, problemi, sipas Asanajt, qëndron edhe te legjislacioni, pasi që ende nuk është miratuar Ligji për Bankën Qendrore të Kosovës dhe Ligji për bono të Thesarit.

Në një intervistë për Express, ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, ka thënë se deri në fund të vitit do t’i kenë gati mekanizmat e nevojshëm financiarë për futjen e këtyre mjeteve në zhvillim të ekonomisë së Kosovës. Ndërsa, tani për tani, çështja e përfitimit më shumë nga paratë e privatizimit, Shala thotë se është një problem që mund të zgjidhet mes AKP-së dhe BQK’së.

“Më 28 qershor përfundon procesi i tenderimit të institucioneve ndërkombëtare që do të bëjnë rejtingun e Kosovës dhe për muajin shtator ose tetor si shtet do të kemi një vlerësim ndërkombëtar nga ‘Standards and poor’, ‘Moodies’, apo, ‘Fiq’, sa i përket vlerësimit të rrezikut apo rejtingut të kreditit”, pati thënë Shala.

Pas këtij vlerësimi do të dihet saktë se në çfarë shkalle të sigurisë së investimeve është Kosova. /Express/Telegrafi/