Republika e Kosovës ka arritur që legjislacionin e saj e saj ta ndërtojë bazuar në standardet e barazisë dhe diversitetit. Por, sfiduese vazhdon të jetë përfaqësimi i duhur i gruas në politikë dhe në vendimmarrje.
Në një intervistë dhënë Telegrafit, Mimoza Shala që është asambliste në Kuvendin Komunal të Gjakovës, dhe njëkohësisht është kryesuese e grupit të asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Gjakovës, tha që angazhimi i saj politik ka nisur qysh në moshë të re.
“Angazhimi im në politikë ka filluar qysh në moshë të re, mirëpo si aktiviste politike, direkt në një subjekt politik, rrjedhimisht në Lëvizjen Vetëvendosje, ka filluar qysh nga viti 2010, ku në vitin 2011 veçse jam bërë anëtare e këtij subjekti”, tha fillimisht Shala.
Duke potencuar arsyet se pse vendosi që të angazhohej në politikë ajo tha që e shihte të nevojshme të ngriste zërin për pakënaqësitë që populli kishte në atë kohë.
“Fillimisht kam pasur nevojë ta ngris zërin për shumë pakënaqësi që populli ka pasur në atë kohë, dhe duke menduar se çka mund të bëhet dhe se ku duhet të adresohem, ka qenë LVV, dhe në atë periudhë ishte i vetmi subjekt i cili përfaqësonte brengat edhe hallet e secilit qytetar, edhe pastaj angazhimet kanë qenë shumë të ngjeshura duke filluar me protesta, aksione politike, aksione simbolike, deri tek përfaqësimi në vitin 2013 në institucione ku për herë të parë jam zgjedhur asambliste në Komunën e Gjakovës” , shtoi ndër të tjera, Shala.
Intervistën me asamblisten Mimoza Shala, mund ta ndiqni më poshtë. /Telegrafi/