Anëtari i kryesisë së Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka njoftuar se partisë së tyre i është bashkuar asamblisti i Vetëvendosjes në Gjilan, Xhelal Hajrullahu.
Molliqaj në një shkrim të bërë në llogarinë e tij në Facebook, ka shkruar se Hajrullahu ishte asamblisti më i votuar i VV-së në Gjilani, transmeton Telegrafi.
“Xhelal Hajrullahu, asambleisti më i votuar i VV-së në Gjilan, sot u bashkua me ne. Ishim bashkë në përpjekjet tona për një Kosovë më të mirë. Jemi ribashkuar për t’i realizuar ato përpjekje”, ka shkruar Moliqaj.
Tutje ai ka thënë se anëtarësimet e shumta në PSD gjithandej Kosovës, sipas tij, po e konfirmojnë koalicionin fitues.
Kujtojmë se PSD ka lidhur një koalicion parazgjedhor me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, ku bartës i listës është kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare pritet të mbahen më 6 tetor, ditë e diele. Buxheti i planifikuar për këto zgjedhje është në shumën prej 5 milion e 698 mijë e 486 euro. /Telegrafi/