Telegrafi

Asamblisti Sveçla: Vendimi për këmbimin e pronave, i dëmshëm për pasurinë publike të qytetarëve të Prishtinës

Shefi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Gëzim Sveçla, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të enjten ka thënë se vendimi për këmbimin e pronave është i dëmshëm për pasurinë publike të qytetarëve të kryeqytetit.

Kjo seancë është thirrur nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, për të anuluar vendimin e datës 21 dhjetor 2023 për këmbim të pronave në zonën e mbrojtur në Badovc me prona në lagjen ‘Prishtina e Re’.

“Ky këmbim i pronave në mënyrën se si na është paraqitur nga ekzekutivi, jemi të bindur se nuk i shërben të mirës së përgjithshme dhe si i tillë është i dëmshëm për pasurinë publike të qytetarëve të Prishtinë. E pasurinë publike jemi të thirrur dhe të zgjedhur që ta mbrojmë ne asamblistët”, është shprehur Sveçla.

Ai tutje ka deklaruar se kjo çështje nuk do të bëhej mediatike pa kundërshtimet që janë shprehur në Kuvend në mbledhjen e datës 21 dhjetor në emër të grupit të LVV-së.

“Ligjet në fuqi që kanë të bëjnë me këmbimin e pronës janë shumë të qarta. Në këtë rast, si shumë të tjera, është evidente se është vepruar në kundërshtim me normat si dhe dispozitat ligjore. Nuk bëhet dhe nuk duhet të bëhet këmbim pa e pasur fillimisht vlerësimin financiar nga organi kompetent, në këtë rast nga departamenti përkatës i Ministrisë së Financave”.

“Nuk duhet të bëhet pa definim të qartë dhe të saktë të sipërfaqes e cila këmbehet. Nuk duhet të bëhet pa e definuar dhe arsyetuar interesin publik. Nuk bëhet këmbimi për parcela që fillimisht kanë qenë pjesë e këmbimit të vitit 2021. Nuk bëhet këmbimi duke i vënë në lajthitje asamblistët e duke i mashtruar”, ka thënë asamblisti. /Telegrafi/