Telegrafi

Asamblistët e Fushë Kosovës unanimisht votojnë kundër deponisë në Harilaq

Asamblistët e Fushë Kosovës kanë votuar unanimisht kundër vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për të ndërtuar një deponi të mbeturinave në fshatin Harilaq, të Fushë Kosovës.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar nënkryetari i kësaj komune, Fadil Krasniqi.

“Sot Kuvendi komunal i Fushë Kosovës, ka marr vendim në mënyrë unanime që të mos lejohet ndërtimi i deponisë së objekteve për deponimin e materialeve të rrezikshme në zonën kadastrale të Harilaqit. Pro kundër vendimit të Qeverisë kanë qenë edhe pozita edhe opozita”, ka thënë Krasniqi.

Edhe asamblisti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Remzi Shala tha se një vendim i tillë nga Qeveria e Kosovës është i rrezikshëm për shëndetin e të gjithë qytetarëve.

Lexo po ashtu Qeveria vendos ndërtimin e një deponie në Fushë Kosovë, banorët thonë se do ta kundërshtojnë (Dokument)

Shala tha se këtë vendim e kanë kundërshtuar të gjithë njëzëri, pasi siç tha ai është edhe në kundërshtim me të drejtat e njeriut.

“Ato materiale të rrezikshme janë shumë të dëmshme për shëndetin. Në një vendim të tillë komuna e Fushë Kosovës nuk është ftuar asnjëherë dhe në bazë të ndërtimit në atë lokacion kanë filluar edhe reagimet. Edhe qytetarët edhe asamblistët e Kuvendit komunal të Fushë Kosovës kanë dalë kundër këtij vendimi që është në kundërshtim me të drejtat e njeriut”, ka thënë Shala për Telegrafin.

Lexo po ashtu Matoshi: Deponia e Harilaqit nuk paraqet rrezik për banorët

Ndryshe, Qeveria e Kosovës kishte marr vendim që të vendos një deponi të materialeve të rrezikshme në Harilaq të Fushë Kosovës, i cili vendim nxiti shumë reagime të ashpra të qytetarëve të kësaj komune.

Kundër këtij vendimi kishte reaguar edhe aktori Jeton Zogjani, banor i kësaj komune, i cili përmes një statusi në profilin e tij në Facebook kishte ftuar që edhe institucionet si Instituti i Shëndetit Publik, shoqatat ambientaliste, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, shoqata e mjekëve kundër kancerit, ta përkrahin kundërshtimin e banorëve.

Ndërsa, Zyra e kryeministrit në një përgjigje për Telegrafin kishte thënë se Kosova nuk ka pasur asnjëherë deponi për mbeturinat e rrezikshme dhe kjo është nevoje e pashmangshme për ta ndërtuar atë.

Ndërkaq, ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi pasi kishte vizituar komunën  e Fushë Kosovës në një konferencë për media kishte thënë se për banorët e fshatit Harilaq, nuk do të ndërtohet asgjë që rrezikon shëndetin e qytetarëve të kësaj zone. /Telegrafi/