Telegrafi

As sivjet Kosova nuk e siguron bukën

Adil Behramaj, zëdhënës në Ministrinë e Bujqësisë, thekson se prodhimi që pritet të arrihet këtë stinor nga gruri i mbjellë në vjeshtë pritet të përmbushë nevojat e afro 60 për qind të konsumit të përgjithshëm në vend. “Vitin e kaluar për shkak të kushteve jo të mira klimatike është penguar faza zhvillimore e grurit duke ndikuar që prodhimi i brendshëm të plotësojë vetëm 53 për qind të kërkesave të përgjithshme”, ka thënë Behramaj. Sipas të dhënave zyrtare të kësaj ministrie, këtë sezon pritet të korren 72 mijë hektarë grurë. Behramaj thekson se sipas analizave të ministrisë, pas përfundimit të sezonit të korre-shirjeve çmimi i bukës dhe miellit do të vazhdojë të bie. Aktualisht një bukë në masë prej 500 gramëve shitet me çmim prej 0.40 eurove, shkruan Koha Ditore.

Tahir Tahiri, kryetar i Federatës Sindikale të Bujqve të Kosovës, thekson se ende nuk ka informacione të sakta mbi rendimentet e sivjetme të grurit. “Besojmë që këtë sezon bazuar në kushtet klimatike rendimentet pritet të jenë më të mira, por nuk pritet të ketë zbritje të çmimit të bukës dhe miellit”, ka thënë Tahiri.

Sipas tij, i tërë prodhimi i grurit nuk do të përmbushë as për 40 për qind kërkesat për bukë në nivel të vendit. “Nuk do të ketë zbritje të çmimit të miellit pa u siguruar rezervat shtetërore. Tregu i bukës dhe miellit në Kosovë është i ndikuar nga tregu serb. Tregtarët tanë janë mirë të organizuar dhe ju konvenon ta ruajnë këtë çmim të miellit dhe bukës, derisa shteti hesht”, ka theksuar Tahiri.

Edhe përfaqësuesit e industrisë së prodhimit të bukës nuk janë optimistë në zbritjen e menjëhershme të çmimit të bukës. Shefki Ostërgllava nga Shoqata e Furrtarëve të Kosovës ka theksuar se tek pasi të dihet sasia e grurit që do të përfitohet nga sezoni i sivjetshëm i korre-shirjeve, do të vendoset nëse do të ketë apo jo zvogëlim të çmimit të bukës. “Rezultati i korre-shirjeve të grurit do të shihet tek pasi të dihet sasia e plotë e drithit. Aktualisht një kilogram miell shitet rreth 0.46 euro për kilogram. Nëse mielli bie në 40 centë për kilogram, atëherë edhe çmimi i bukës do të bjerë”, ka thënë Ostërgllava.

Ai ka theksuar se nuk ka shumë shpresë për zbritje të çmimit edhe pas përfundimit të sezonit të korre-shirjeve për shkak se, sipas tij, tregu i jashtëm i miellit dhe grurit e dikton edhe çmimin e bukës në vend. “Prodhimi i brendshëm nuk i plotëson kërkesat e konsumit dhe se çmimi i bukës do të mbetet i njëjtë edhe për një kohë”, ka theksuar Ostërgllava.

Këtë vit një hektar grurë sipas çmimeve që ka përcaktuar Ministria e Bujqësisë do të korret për 90 euro. Sipas sindikalistëve të bujqësisë me këtë çmim nuk janë pajtuar kombajnerët të cilët kanë kërkuar që çmimi të jetë 100 euro për hektar të grurit. Ende nuk është dhënë ndonjë sqarim i plotë nga Ministria e Bujqësisë nëse çmimi i korrjes së një hektari grurë do të mbetet i njëjtë sikurse në vitin e kaluar. Në ndërkohë, Qeveria ka ndarë 500 mijë euro për subvencionimin e kombajnerëve, të cilët do të përfitojnë naftë me çmimi më të lirë prej 25 deri në 30 për qind të çmimit aktual në treg për litër. /Telegrafi/