Site icon Telegrafi

As Mazreku nuk i bashkohet Sigal Prishtinës

Disa nga lojtarët kyç të Sigal Prishtinës nuk kanë dalë në stërvitje as të martën. Blerim Mazreku, Granit e Fisnik Rugova, Urim Zenelaj dhe Muhamed Hasani nuk iu janë bashkuar në stërvitje, derisa tanimë dihet që Alban Veseli nuk do të luajë me ‘Bardhekaltërit’ sezonin e ardhshëm. Nga lojtarët vendorë të vitit të kaluar vetëm Edmond Azemi dhe Dardan Berisha ishin në stërvitje.

Njëri nga lojtarët që nuk u paraqit në stërvitje është Blerim Mazreku. “Mua më ka përfunduar kontrata. Jam lojtar i lirë dhe nuk jam më lojtar i Sigal Prishtinës. Për këtë edhe nuk jam në stërvitjet e Prishtinës. Aspak nuk jam i hidhëruar me Sigal Prishtinën, por tani jam lojtar i lirë dhe me kënd arrihet marrëveshja do të jem lojtar i atij klubit”, ka deklaruar qendra Mazreku.

Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë t’i bashkohet prapë Prishtinës, por që mund të kalojë edhe te Peja nëse në drejtim të tij i vjen një ofertë e mirë.

“Momentalisht nuk kam marrëveshje me Prishtinën, por të ardhmes nuk i dihet. Varet nga oferta e tyre. Sa i përket Pejës mund të luaj në ‘Karagaçi’, pasi kam kaluar shumë mirë në Pejë për dy vjet dhe kam fituar një titull, por ende nuk ka diçka konkrete”, theksoi Mazreku. /SportPlus/Telegrafi/ 

Exit mobile version