Site icon Telegrafi

As gjurmë të profilizimit të skenës politike të Kosovës

Që nga mbarimi i luftës dhe zgjedhjeve të para “të lira” nën mbikëqyrjen e plotë ndërkombëtare e deri më sot, pesë vjet pas pavarësimit të Kosovës si dhe dorëzimit të kompetencave ekzekutive nga ndërkombëtaret tek vendoret, në vend të profilizimit skena politike sa vjen e copëtohet edhe me shumë.

Historikisht, po të analizohet dhe të bëhet një krahasim se pse gjithmonë shqiptarët mbesin të fundit në rajon dhe ne Evropë, do të shihet çartë se bajraktarizmi dhe përçarjet e thella mes nesh kanë e ndikuar tmerrshëm në fatin dhe fatkeqësinë e përgjithshme kombëtare shqiptare.

Kur tashmë jemi në prag të një fushate tjetër për zgjedhjet lokale, vetëm një vështrim i thjeshtë i zhvillimeve aktuale në skenën politike të Kosovës dëshmon bajraktarizmin e skajshëm famëkeq të organizimit dhe profilizimit politik,posaçërisht të të ashtuquajturave parti politike, fraksione, grupime, individë e bajraktarë të panumërt tragjikomik edhe para syve të botës.

Nëse dikur auditori ndërkombëtar nuk kishte mundësi të na shoh kush dhe si jemi dhe çka po ndodhe në tokat shqiptare, sot në kohën e internetit nuk shpëton as edhe një lëvizje, qoftë edhe në fshatin më të largët e të mos gjendet në të gjitha faqet e mediave të shumta të vendit dhe atyre të huaja, numri i të cilave rritet çdo ditë.

Për habi, as mediat nuk dallojnë nga auditori. As mënyra as forma informacioneve të tyre nuk ndryshojnë dhe në shumicën a rasteve janë të kopjuara nga njëra tjetra. Fitohet përshtypja sikur ato po u prijnë këtyre zhvillimeve, gjithsesi jo pozitive.

Duke mësuar gjerat më të këqija nga shkolla fqinje serbe dhe duke mos ecur përkrah botës së përparuar, edhe statistikat tona, qofshin ato zyrtare apo jo zyrtare, kurrë nuk merren të besueshme nga vëzhguesit e shumtë ndërkombëtar që kanë vërshuar Kosovës në çdo cep, në qytet e fshat.

Duke bindur vetveten me gënjeshtra ,skena politike tashme është copëtuar aq shumë sa që një koalicion minoritetesh, që me përqindje janë pak, do të mund të arrinte një shumicë të nevojshme për të formuar nesër edhe një qeveri.

Kështu nuk po ndodhë vetëm sot. Kështu fatkeqësisht ka ndodhur gjatë gjithë historisë.

Edhe në politikë do të duhej të ketë pak etikë. Nëse dikush pretendon se duke formuar parti joserioze apo fraksione e grupe të pa rëndësishme fare, do t’ia dali të fitojë zgjedhjet, do të ishte një mrekulli e vërtetë.

Zakonisht përçarjet fillojnë përbrenda rretheve të ngushta partiake dhe jo për shkaqe parimore programesh kombëtare, ekonomike e sociale, por krejt për interesa të ngushta apo përfitime të individëve dhe grupeve. Grupet e ngushta zakonisht pësojnë goditje atëherë kur nuk arrijnë ta ndajnë prenë (gjahun) dhe të kënaqin apetitet qoftë edhe të një njeriu të vetëm.

Është interesant edhe auditori apo njeriu ynë me të drejtë vote, i cili luhatet deri në momentin fundit dhe në shumicën e rasteve duartroket individin a grupin e caktuar, pa kuptuar asnjëherë se çka po ndodhë dhe kujt po ia hedh votën.

Edhe më tutje shohim parti e individë të cilët betohen në kokën e liderit, apo të tjerë të pakënaqur që më në fund nxjerrin kokën nga rëra, vetëm atëherë kur shohin se janë bërë pre e hienave.

Duke mos qenë i kënaqur me privilegjet që i kishte gëzuar deri tash, herë si sekretar Partie, herë deputet, herë ministër, herë kryetar i Kuvendit e herë-herë me muaj të tërë edhe kryetar i Kuvendit e edhe President i Kosovës, duke harruar edhe netët a kaluara në Dubai, kryetari aktual i Kuvendit tha se ky Kuvend është produkt i votave të vjedhura. Harroi i gjori se vet është ende fatkeqësisht në pozitën e kryetarit të po atij Kuvendi i cili edhe e ka zgjedhur.

E qiti në pazar edhe Qeverinë duke harruar se vetë ka votuar për të dhe nga ajo shumicë është zgjedhur edhe vet. Kurrë nuk e dëgjuam të ketë folur se sa ka plaçkitë Serbia në Kosovë dhe prej nga ka dalë ky kuvend pas aq sakrificash. Habitet njeriu normal kur dëgjon të tilla fjalime nga kreu i legjislativit të një vendi të sapo dalë nga lufta. Që fatkeqësia të jetë më e madhe, fjalën e kryetarit nuk e kundërshtoi askush nga deputet e pranishëm.

Të harrosh historinë domosdo do ta përsërisësh, por shpresojmë se brezi i ri nuk do të mësojë kurrë nga fjalimet e tilla pa logjikë e “pa një kokërr kripe” siç thotë populli. Do të ishte mirë kur skleroza mund individin ai të tërhiqet me nder.

Duke lexuar shumë fakte nga historia jonë tragjike, jo fort moti kemi pasur rast konkret kur është shitur një qeveri. Secili qe është i interesuar mund ta gjej të plotë marrëveshjen e nënshkruar nga Amet Zogu me Nikolla Pashiqin të cilin e dorëzoi në Beograd kryerenegati Esat Pashë Toptani.

Ai i cili pretendon të shes Qeverinë e Kosovës nuk ka nevojë të shkruaj ndonjë tekst fare, vetëm le ta fotokopjojë tekstin e marrëveshjes Zogu – Pashiq dhe le ta nënshkruajë, por mos të harrojë as privilegjet, ngase pas shitje nuk do t’i ketë më.

Sipas informacioneve të shërbimit sekret maqedonas, teksti origjinal i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë edhe sot gjendet në Beograd dhe atë e kishte dërguar vetë Esat Pasha.

Nuk ka demokratizim të skenës politike pa demokratizim të brendshëm të vetë subjekteve politike nëse mund të quhen të tilla ato që i kemi, e që kanë kaluar numrin treshifror.

Kur analizojmë listat e individëve të nominuar për kryetar komunash apo deputet, rrallë ose fare nuk shohim ndonjë ekspert apo kuadër të ri që me nga dy master diploma presin me vite pa punë apo i sheh të angazhuar si kamerier. Fakte të panumërta flasin për largimin e pandërprerë të eksperteve tanë të rinj drejt Perëndimit, për të mos u kthyer kurrë. Do të ishte mirë që të gjithë ata që kanë qenë deputetë hiq më shumë se dy mandate të tërhiqen vetë dhe të mos krijojnë situata të reja, krejt tragjikomike.

Është për tu habitur kur sheh individ të nominuar, krejt pleq e me nga dy-tri e katër mandate të syrgjynosura nëpër fotelet e kryetarit apo të deputetit. Individë të caktuar tashmë kanë ndërruar edhe nga tri e katër subjekte politike krejt nga pakënaqësia me privilegjet që kanë pasur apo i kanë humbur ndërkohë. Ata assesi nuk po gjejnë kurajë të tërhiqen.

Ndryshimet kanë për të ndodhur, por më vonë. Derisa secili qytetar i ynë nuk do ta ketë kuptuar se çka është vota nuk do të mund flasim për zgjedhje të ndershme dhe ndryshimet nuk mund të ndodhin brenda natës. Në një vend si yni ku 50 për qind e qytetareve ende nuk kanë dalë kurrë në votime, nuk mund të shpresohet se skena politike e Kosovës do të ndryshojë. Do të ishte mirë që shumëkush ta testojë autoritetin e tij në vendlindjen apo vendbanimin ku ka jetuar e ku e njohin më shumë.

Në votimet e nëntorit, votuesi i vetëdijshëm vështirë do ta ketë të qartësojë vendimin e tij duke pasur para vetës mbi njëqind parti, fraksione, grupe, iniciativa qytetare “tarikate” e individë të ashtuquajtur të pavarur.

Kosova me aq banor sa ka, vetëm me dy deri tri parti politike zor se do të mund të formonte një staf profesionist qeveritar e lëre më ta bëjë ketë një grup a individ që nuk mund të bashkojë shumë herë as familjen e tij.

Me politikën e tashme dhe pa profilizimin e domosdoshëm të skenës politike në Kosovë, duke mos ditur ende se çka është vota dhe për kënd duhet votuar, zor se mund të dalim nga kriza ndonjëherë.

Deri sot nuk është parë asnjëherë një emision apo shënim rasti ku dikush ka bërë përpjekje që qytetarëve t’ua shpjegojë vlerën e vërtetë të votës dhe të daljes në votim.
 

Exit mobile version