E përditshmja Gazeta Shqiptare raportoi të dielën se ndër çështjet më emergjente, veç presidentit, është edhe ajo e përgjimit të kreut të Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), i cili është mbajtur në atë detyrë me kërkesën e amerikanëve.
Zyra e delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë dhe disa zyra të tjera të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian janë vënë gjithashtu në lëvizje. Edhe pse është fundjavë, pritet që Bashkimi Evropian të dalë me një deklaratë të veçantë në mbledhjen e ministrave të jashtëm të BE që do të mbahet të hënën në Bruksel.
Burime zyrtare diplomatike thanë për Gazeta Shqiptare se situata pas këtij vendimi, dhe nëse ai zbatohet, është jashtë kontrollit në dëm të institucioneve kushtetuese dhe të pavarura, të cilat nuk janë pjesë e një hetimi për atë që qeveria e ka konsideruar si “puç institucional”.
Informacione për këtë vendim të fundit të komisionit janë kërkuar edhe nga një pjesë e madhe e ambasadave të vendeve anëtare të NATO-s.
Ndërkohë, një mbledhje “blic” e shpejtë, është zhvilluar të shtunën në mbrëmje edhe në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të SHISH, nga drejtori i këtij shërbimi, por edhe ata që asistojnë për punën e tij. Bëhet fjalë për shërbimet partnere. Në ligjin për SHISH parashikohet bashkëpunimi me partnerët e huaj.
Gjatë këtij muaji, Bahri Shaqiri mund të ketë pasur jo pak kontakte me partnerët ndërkombëtarë. Por nëse do të ketë një zbatim të vendimit të Komisionit hetimor parlamentar, atëherë të gjitha të dhënat dhe komunikimet që mund të ketë pasur kreu i SHISH-it, do të bien në dorën e deputetëve të maxhorancës, të cilët, nuk dihet se për çfarë arsyesh mund t’i përdorin ato.
Komisioni hetimor parlamentar, i ngritur për 21 Janarin, kërkon përgjimet telefonike të të gjithë autoriteteve më të larta të vendit për datën e demonstratës ku mbetën të vrarë tre persona. Në mbledhjen e zhvilluar pasditen e se premtes, deputeti Enkelejd Alibeaj paraqiti kërkesën për t’iu drejtuar kompanive celulare në vend, në mënyrë që t’i dorëzojnë komisionit këto përgjime.
Komisioni kërkon gjithë listën e komunikimeve telefonike më 21 janar, për të gjithë autoritetet e larta në vend, duke filluar që nga presidenti Topi, kryeministri Berisha, kreu i opozitës Edi Rama, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, listën e bisedave telefonike të kryeprokurores Ina Rama dhe kreut të SHISH-it, Bahri Shaqirit. /Telegrafi/