Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, ka pritur në takim zëvendës-ndihmësin e Sekretarit të Shtetit të SHBA-ve Alexander Arvizu.
Sipas një njoftimi, në këtë takim u bisedua lidhur me bashkëpunimin midis Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në projekte konkrete.
Po sipas njoftimit, ministri Hyseni e njoftoi mysafirin nga Amerika për situatën e përgjithshme të sigurisë në Kosovë dhe vlerësoi se gjendja e përgjithshme është e mirë.
Në veçanti, thuhet më tej në njoftim, ai e njoftoi atë me të arriturat e Kosovës në luftimin e trafikimit me narkotikë dhe përdorimit të paligjshëm të lëndëve narkotike.
“Ai po ashtu e njoftoi për përpjekjet që po bëhen në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm që shpie në terrorizëm dhe pjesëmarrjen e qytetarëve të Kosovës në luftërat e huaja. Ndërsa Arvizu mbështet punën që po bëjnë institucionet e Republikë së Kosovës në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe ofroi përkrahjen e SHBA-ve në projekte konkrete në mbështetje të Qeverisë së Kosovës”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/